1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Negociata të vështira mbi borxhin grek

6 Janar 2012

Negociatat midis qeverisë greke dhe kreditorëve të saj për faljen e një pjese të borxhit po zhvillohen me vështirësi. Megjithatë, pjesëmarrësit shprehen optimistë.

https://p.dw.com/p/13fIq
Ministria e Financave të Greqisë ka pak hapësirë veprimi
Ministria e Financave të Greqisë ka pak hapësirë veprimiFotografi: AP

Disa luajnë me kohën, të tjerët insistojnë për një marrëveshje të shpejtë. Qysh të martën (03.01.), Fondi Monetar Ndërkombëtar u shpreh skeptik për shlyerjen e 50 për qind të borxheve dhe kërkoi një "qethje" më të gjerë të borxhit për Greqinë. Zëdhënësi i qeverisë greke, Pantelis Kapsis deklaroi në të njëjtën kohë në Athinë se ndoshta së shpejti do të ketë një marrëveshje.

Në samitin e tyre të krizës në fund të tetorit, vendet e Eurozonës vendosën që bankat dhe kompanitë e sigurimit të heqin dorë nga 50 për qind e kërkesave të tyre ndaj Greqisë dhe të shkëmbejnë kreditë e tyre të vjetra me letrat e reja me vlerë me afate më të gjata kohore. Kjo megjithatë duhej të ndodhte në baza vullnetare, në mënyrë që falja e pjesshme e borxheve të mos sjellë vetëm sigurime për rastin e mospagimit të kredisë, gjë që në rast të falimentimit të Greqisë do të kishte për pasojë një reaksion zinxhir në eurozonë.

Negociata mes qeverisë greke e kreditorëve

Që atëherë, negociohet me zell midis qeverisë greke dhe kreditorëve të saj. Negociatat janë në rrugë të mbarë, por çështje të rëndësishme janë ende të hapura, beson ekonomisti grek Kostas Stathopulos nga Manchester Business School.

"Me sa duket tri pika të negociatave mbeten ende të diskutueshme, përkatësisht lartësa e 'qethjes' vullnetare të borxhit, kohëzgjatja e kredive të ardhëshme si dhe normat e tyre të interesit", sqaron Stathopulos. Greqia donte një normë të përballueshme të interesit prej katër për qind, por kreditorët ndërkombëtarë këmbëngulin në gjashtë për qind, sidomos pasi ata duhet të pranojnë po ashtu afate të gjata për kthimin e kredive. Nga këndvështrimi i investitorëve kjo kërkesë është krejtësisht e kuptueshme, por presioni politik për përfshirjen edhe të kreditorëve privatë mund të rritet ende dhe t'i bindë huadhënësitë që të pranojnë norma edhe më të ulëta të interesit.

Pakënaqësi për shndërrimin e modaliteteve të pagesave

Qeveria greke nga ana e saj duhet të pranojë se kreditë e saj t'i nënshtrohen ligjit britanik. Në këtë mënyrë kreditorët ndërkombëtarë fitojnë një status të privilegjuar gjatë ristrukturimit të ardhshëm të borxheve, sepse qeveria heq dorë shprehimisht nga e drejta e saj për të ndryshuar modalitetet e pagesave përmes vendimeve të thjeshta të parlamentit.

Evangelos Venizelos, negociatori kryesor
Evangelos Venizelos, negociatori kryesorFotografi: picture alliance/dpa

Ky premtim ka shkaktuar pakënaqësi në Athinë. Sipas disa ekspertëve dhe politikanëve ministri i Financave Evangelos Venizelos do të vepronte në mënyrë të mençur nëse do t'i vendoste nga ana e tij nën presion kreditorët dhe për shkak të zvarritjes së negociatave të kërcënojë me një dalje nga euro. Ekonomisti Kostas Stathopulos e sheh këtë ndryshe.

"Sado joshëse që mund të jetë kjo ide për disa politikanë: Një kërcënim do të kishte kuptim vetëm nëse Greqia do të ishte në gjendje të paraqiste një tepricë primare të buxhetit", nënvizon Stathopulos. Atëherë qeveria greke do të mund të dërgonte një sinjal bindës se nuk varet më nga tregjet. Aktualisht nuk mund të thuhet një gjë e tillë prandaj për palën greke nuk ka hapësirë për negociata në këtë drejtim.

Një mendim tjetër ka tregtari i bursave Emmanuel Varsos: në një borxh total prej më shumë se 350 miliardë euro nuk mjafton as një shlyerje vullnetare prej 50 përqind. Po ashtu një falje e pjesshme e borxhit nuk do të arrijë të qetësojë pjesëmarrësitë në tregjet financiare, beson eksperti i bursës. Në vend të kësaj, Greqia duhet të zgjedhë rrugën e vështirë dhe të vendosë për falimentim, por pa u larguar nga zona e euors, tha Varsos për kanalin televiziv të Athinës Skai.

"Kush ka paguar në të kaluarën për t'u siguruar për kthimin e kredisë tani mund të kthejë sigurimin për rastin e mospagimit të kredisë", mendon eksperti Varsos. Pa pagesën e sigurimit për rastin e mospagimit të kredisë tregu do të pësonte kolaps dhe pastaj Greqia nuk do të kishte më mundësi për të huazuar para. Po ashtu nuk duhet të krijohet iluzioni që Greqia do të ishte në gjendje të sigurojë kredi në tregun e lirë vetëm pas një shkëmbimi vullnetar të huave.

Autorë: Jannis Papadimitriou / Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi