1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndërron jetë Mandela i Kosovës, Adem Demaçi

Bekim Shehu
27 Korrik 2018

Mbajtësi i çmimit "Saharov", veprimtari i shquar shqiptar për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, Adem Demaçi, ndërroi jetë në moshën 82-vjeçare.

https://p.dw.com/p/329yE
Adem Demaci, kosovarischer Schriftsteller und Unabhängigkeitsaktivist
Fotografi: picture-alliance/dpa/S. Suki

Veprimtari për për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe çlirimin e Kosovës, cili kaloi 28 vjet në burgjet e ish-Jugosllavisë, Adem Demaçi, njihet edhe si Mandela i Kosovës.

Adem Demaçi u burgos tri herë - në vitin 1958, për tre vjet, në vitin 1964 për dhjetë vjet dhe nga viti 1975 deri më 1990. Pas lirimit nga burgu në vitin 1990 ai drejtoi për një kohë Këshillin për të Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Nga vitit 1991 deri në vitin 1993 ishte kryeredaktor i revistës "Zëri" në Prishtinë.

Mbajtës disa çmimesh

Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin "Saharov". Gjatë periudhës 1998/1999, ishte zëdhënës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas luftës ai u angazhua për respektimin e të drejtave të pakicave joshqiptare në Kosovë dhe për përmirësimin e gjendjes së tyre. Demaçi nga shqiptarët vlerësohej si simbol i rezistencës kombëtare. Në vitin 2010, ai u dekorua me Urdhrin "Hero i Kosovës”.

Adem Demaci, kosovarischer Schriftsteller und Unabhängigkeitsaktivist
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/V. Kryeziu

Për një periudhë Adem Demaçi drejtoi edhe Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007) dhe është autor i disa librave, njëri prej të cilëve "Gjarpijt e Gjakut” qe i ndaluar nga regjimi jugosllav.

Vlerësime të larta

"Është shumë e vështirë ta pranojmë që simboli ynë i rezistencës, baca Adem, ndërroi jetë. Ishte gjithmonë i pathyeshëm dhe i papërkulur përballë çdo sfide. Baca Adem tërë jetën ia kushtoi Kosovës dhe ne gjithmonë do ta kujtojnë si udhërrëfyes dhe do ta kemi si zë ndërgjegjeje popullore”, tha presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Personalitetin dhe veprën e Adem Demaçit e vlerësuan lart edhe drejtues të institucioneve dhe të partive politike në Kosovë.

Adem Demaci, kosovarischer Schriftsteller und Unabhängigkeitsaktivist
Fotografi: picture-alliance/dpa/A. Bujari

"Prehu në paqe Baca Adem! Gjithë jetën i shërbeve dhe gjithë jetën e nderove atdheun. Përjetësisht atdheu do ta nderojë e kujtojë veprën dhe emrin tënd”, u shpreh kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kadri Veseli, Kryetari i parlamentit, tha se vepra e Adem Demaçit shërbeu si burim frymëzimi jo vetëm për luftën tonë të armatosur, por edhe për ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës, në bazë të themeleve të shëndosha, të vlerave të lirisë e demokracisë.

Në nderim të figurës së Adem Demaçit Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, shpalli tri ditë zie. Adem Demaçi do të varroset me nderimet më të larta shtetërore.