1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndërrim qeveritar në Maqedoni

Verica Spasovska7 Korrik 2006

Në zgjedhjet parlamentare në Maqedoni ka dalë fituese aleanca e deritanishme opozitare e qendrës së djathtë e Nikola Gruevskit. Megjithatë ajo, nuk e arriti dot shumicën dhe me gjasa duhet të formojë koalicion me një nga partitë konkurruese të shqiptarëve

https://p.dw.com/p/Aqcu
Fituesi i zgjedhjeve, Nikola Gruevski i partisë VMRO-DPMNE
Fituesi i zgjedhjeve, Nikola Gruevski i partisë VMRO-DPMNEFotografi: AP

Përkundër gjithë drojës zgjedhjet parlamentare në Maqedoni rrodhën të qeta dhe ishin në përgjithësi të drejta. Ky është një lajm i mirë e inkurajues veçanërisht pas ekseseve të dhunshme në vendin ballkanik të tronditur nga krizat.

Kërcënimet e BE-së dhe në NATO-s me vështirësim të konsiderueshëm të rrugës së Maqedonisë drejt strukturave veri-atlantike për rastin e kundërt treguan pa dyshim efekt. Sepse pavarësisht dallimeve politike të gjitha partitë e vendit kanë të përbashkët synimin, ta fusin Maqedoninë mundësisht shpejt në BE dhe në NATO. Me këto zgjedhje Maqedonia i nxorri vetes në këtë kuadër dëftesën e pjekurisë.

Megjithatë lajmi i mirë nuk mund të fshehë veljen në rritje të zgjedhësve nga politika. Vetëm 60 për qind pjesëmarrje në zgjedhje - kjo është një shuplakë për klasën politike të vendit, e cila zgjon shpresa të mëdha pa i përmbushur ato ndjeshëm për shtresat e gjera të popullsisë.

Që aleanca qeveritare e qendrës së majtë mori në masë më të madhe se ç'pritej një mësim të mirë nga zgjedhësit, tregon se sa i madh është zhgënjimi i njerëzve me gjendjen e keqe ekonomike të vendit. Premtimin për të zvogëluar papunësinë e lartë dhe për të rritur mirëqenien e gjithë shtetasve aleanca e qendrës së majtë nën drejtimin e kryeministrit Buckovski nuk e plotësoi. Në vend të kësaj
diferenca midis një popullsie që sa vjen e varfërohet dhe një klase të vogël të privilegjuarish bëhet gjithnjë e më e madhe.

Në këtë sfond Buckovski nuk mundi të mblidhte pikë as me sjelljen e mirë kundrejt bashkësisë ndërkombëtare, të cilën e shfaqi gjatë zbatimit të marrëveshjes së paqes së Ohrit. Pesë vjet pas krizës së madhe në Maqedoni, që e çoi vendin në buzë të luftës civile, pakica shqiptare gëzon në shumë fusha të drejta të barabarta sa asnjë herë më parë. Por për zgjedhësit maqedonas ky fakt peshon shumë më pak se rrethanat që ekonomikisht ata janë më keq sesa para kohës së pavarësisë 15 vjet më parë.

Me udhëheqësin e deritanishëm të opozitës Nikola Gruevski zgjedhësit lidhin shpresën se ish-ministri i financave do ti japë hov ekonomisë së rrënuar. Gruevski i ndihmon shumë më fuqishëm sesa qeveria e deritanishme sipërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe ai i ka shpallur luftë kriminalitetit ekonomik gëlues. Sipas të gjitha gjasave ai do të hyjë në një aleancë me partinë shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim, e cila merrte pjesë deri tani në qeveri dhe ka mbrojtur atje kryesisht qëndrime të moderiara në pikëpamje të kërkesave shqiptare.

Bashkimi Evropian dhe NATO-ja duhet ta vlerësojnë ecurinë e zgjedhjeve si një sinjal të qartë për të çmuar përpjekjet reformuese të vendit dhe për t'i lehtësuar edhe më tej Maqedonisë rrugën në strukturat veriatlantike. Megjithë shenjat aktuale të lodhjes në Bashkimin Evropian në lidhje me zgjerimin e tij, si edhe shtetet e tjerë të Ballkanit Perëndimor, vendi ka nevojë për një perspektivë të qartë anëtarësimi në BE. Sepse vetëm atëherë - këtë na e tregojnë aktualisht zhvillimet në kandidatët për anëtarësim në BE: Rumani dhe Bullgari - Bashkimi Evropian mund të ushtrojë trysninë e mjaftueshme për kryerjen e reformave urgjentisht të nevojshme.

Reforma, të cilat nuk duhet të thyejnë vetëm strukturat që kanë zënë kore në ekonomi dhe drejtësi, por mund të kontribuojnë thelbësisht në shtendosjen e marrëdhënies së vështirë midis popullatës shumicë maqedonase dhe pakicës shqiptare. Përballë forcës centrifugale në fqinjësi, të cilat manifestohen në shkëputjen e Malit të Zi dhe në përpjekjet për pavarësi të Kosovës, Bashkimi Evropian duhet të ketë interes vital në stabilizimin e mëtejshëm të Maqedonisë. Por kjo nuk është e mundur në rast se i mban shtetasit e saj me shpresën për ditën që nuk vjen kurrë.