1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndërpritet nga Kombet e Bashkuara ndihma emergjente për refugjatët palestinezë

Bettina Marx2 Prill 2004
https://p.dw.com/p/ArTZ
Fëmijë palestinez në Rripin e Gazës
Fëmijë palestinez në Rripin e GazësFotografi: AP

Ditët dhe javët e fundit Rripi i Gazës në Palestinë ka qenë gjithnjë në kryetitujt e gazetave: u fol për plane të qeverisë izraelite për heqjen e vendosjeve hebreje aty; më pas Rripi i Gazës u përmend edhe në lidhje me organizatën radikale palestineze Hamas, me vdekjen e liderit të saj sheikut Ahmed Jasin. Hamas që prej themelimit të saj ka arritur të ngrerë edhe një rrjet të gjerë e funksionues social. Gjendja në fakt është emergjente dhe lidhja mes varfërisë dhe radikalizimit në rritje është këtu më e dukshme se askund. Në një sfond të tillë është një ngjarje veçanërisht shqetësuese kur Organizata Humanitare e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë ndërpret të paktën përkohësisht punën e saj në Rripin e Gazës për mungesë fondesh dhe kushte të vështirësuara pune.

Hapi i ndërmarrë nga Agjensia e Ndihmës e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë është dramatik. Organizata humanitare e OKB-së për refugjatët palestinezë ka njoftuar se do të ndërpresë ndihmën në ushqime për rreth 600.000 refugjatët palestinezë në Rripin e Gazës. Christer Nordahl që punon në Gaza për OKB-në thotë se magazinat e tyre janë bosh: "Problemi me të cilin përballemi që prej mëse dy javësh janë kufizimet e lëvizjeve të kontenjerëve mes Gazës dhe Izraelit. Kjo do të thotë që kontenjerët e zbrazur që duhet të kthehen në port nga Ashdodi nuk dalin dot nga Gaza. Pra ne nuk mund të nisim kontenjerë me ushqime në Gaza dhe prandaj tani nuk kemi më rezerva e na duhet të ndërpresim furnizimin e refugjatëve."

11.000 tonë ushqime presin në Ashdod t'i shpërndahen popullsisë në nevojë në kampet e refugjatëve në Gaza. Dy të tretat e rreth 1,3 milionë banorëve të Rripit të Gazës janë të varur nga ndihmat në ushqime të organizatës humanitare për refugjatët të Kombeve të Bashkuara. Çdo pesë javë familjet atje marrin një paketë humanitare me miell, oriz, vaj e ushqime të tjera bazë. Me to duhet të plotësohet 60% e nevojës. Por siç thotë Christer Nordahl mqs vetë organizata e OKB-së për refugjatët palestinezë është në vështirësi financiare ajo mund të mbulojë vetëm 40% të nevojës për mallra ushqimore. Pasojat janë ushqim i pamjaftueshëm gjë që çon në probleme serioze në rritjen e fëmijëve:"Natyrisht këta fëmijë të paushqyer që vuajnë nga anemia duhen klasifikuar si të rrezikuar. E gjithë jeta e tyre, aftësia e tyre për të mësuar dhe shanset për zhvillim do të jenë në periudhë afatgjatë të dëmtuara."

Me një papunësi prej më shumë se 60% baballarët e familjeve në Rripin e Gazës nuk kanë thuajse asnjë mundësi për të siguruar të tjera burime të ardhurash dhe për të ushqyer njerëzit e tyre. Por çfarë do të ndodhë tani me refugjatët palestinezë që nuk do të përfitojnë më ndihma ushqimore? Si do të mbijetojnë?"Fillimisht mendoj se do t'u drejtohen për ndihmë të afërmve, fqinjve dhe miqve. Por nëse kjo situatë vazhdon ata do të kenë probleme serioze dhe druhem se do të kemi krizë urie në Rripin e Gazës. Nëse problemi nuk zgjidhet do të përjetojmë urinë për herë të parë prej disa dekadash."

I ngarkuari i OKB-së për Agjensinë e Ndihmës për refugjatët palestinezë Peter Hansen i ka bërë thirrje autoriteteve izraelite të zbusin kufizimet dhe t'u mundësojnë organizatave humanitare rifillimin e dhënies së ndihmës humanitare.
Izraeli i forcoi në mënyrë drastike masat e sigurisë në kalimet kufitare me Rripin e Gazës pas atentatit vetëvrasës në portin e Ashdodit dy javë më parë. Gjatë hetimeve kishte rezultuar se të dy atentatorët kishin hyrë në Izrael të fshehur në një kontenjer. Prapa një muri të dyfishtë ata kishin kaluar kështu të pazbuluar pikën kufitare Karni të vetmin shesh të ngarkimit të mallrave mes Izraelit dhe Rripit të Gazës.