Ndërprerje apo jo e bisedimeve Maqedoni- Greqi?
19 Gusht 2010Disa organizata të diasporës maqedonase, politikanë dhe profesorë universitarë në vazhdimësi po bëjnë thirrje për ndërprerjen e negociatave midis Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit. Kryetari i diasporës së bashkuar maqedonase për SHBA-në dhe Kanadanë, Metodija Kollovski thotë se në parim diaspora mbështet angazhimet e qeverisë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE. “Diaspora është kundër zhvillimit të bisedimeve për ndërrimin e emrit të Maqedonisë, andaj ne kërkojmë që urgjentisht të ndërpriten bisedimet me Greqinë për emrin,” thotë Kollovski.
Kompromis apo kapitullim?
Një ndër ata që kërkojnë ndërprerjen e bisedimeve është edhe ish ministri i jashtëm i Maqedonisë, Sllobodan Çashule.“Bisedimet për çështjen e emrit janë rezultat i politikës çorientuese dhe zënkave brenda politikës maqedonase. Greqia këtë situatë e ka shfrytëzuar dhe ka imponuar negociatat për ndërimin e emrit,” thotë Sllobodan Çashule.
Profesori universitar Lubomir Cucullovski, thotë se politikanët maqedonas kanë bërë gabim të papërmirësueshëm që kanë pranuar të bisedojnë për ndërrimin e emrit. “Nëse dikush mendon se kompromis do të thotë ndërrimi i emrit është në gabim të madh, kjo nuk ka të bëjë asgjë me kompromisin, në fakt me këtë nënkuptohet kapitullim,” thotë Cucullovski.
Kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski thotë se qeveria nuk ka ndërmend t`i ndërpresë negociatat. “Unë nuk do të thoja se do të marrim një vendim për ndërprerjen e negociatave për çështjen e emrit, por në këto bisedime do të jemi shumë të kujdesshëm që të mos i dëmtojmë interesat shtetërore dhe kombëtare të Maqedonisë,” vlerëson Gruevski.
Shqiptarët pro bisedimeve
Propozimet për ndërprerjen e bisedimeve me Greqinë për çështjen e emrit që vijnë nga disa qarqe të caktuara maqedonase kundërshtohen nga shqiptarët. “Nuk posedojmë informata nëse qëndron apo jo dikush pas shoqatave të diasporës Maqedonase. Vlerësoj se interesimi i Maqedonisë është që të jetë pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian, pasi për Maqedoninë alternativë tjetër nuk ka,” vlerëson Rafis Haliti funksionar i lartë i Bashkimit Demokratik për Integrim, parti që bën pjesë në koalicionin qeveritar.
Analisiti politik Mahi Nesimi vlerëson se pas qëndrimeve të propoziomeve të diasporës maqedonase mund të qëndrojë struktura shtetërore. Sipas tij ndërpreja e bisedimeve për çështjen e emrit për politikën Maqedonase do të ishte një hap vdekjeprurës. “Është një gjë jashtëzakonisht e dëmshme, vdekjeprurëse për Maqedoninë sepse ndërpreja eventuale e bisedimeve me Greqinë do të thotë hyrje e Maqedonisë në një reeth nga i cili nuk dihet se kur mund të dilet dhe si mund të dilet,“ shprehet Mahi Nesimi.
Autor: Fatos Musliu
Redaktoi: Aida Cama