1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nato shpreson të reduktojë trupat në Kosovë deri në 2008

Anila Shuka, Riga28 Nëntor 2006

„Më pak Nato në Ballkan, por më shumë Ballkan në Nato“ – shpreson ketë arritur Sekretari i përgjithshëm i Nato-s Jaap de Hoop Scheffer në samitin e ardhshëm të Natos në 2008.

https://p.dw.com/p/AqZu
Scheffer në Konferencën e Rigës
Scheffer në Konferencën e RigësFotografi: AP

Në një fjalim të mbajtur të martën paradite në kuadër të samitit të Nato/s në Rigë, Scheffer kërkoi gjithashtu një bashkëpunim më të ngushtë të Bashkimit Evropian me Naton si edhe ndikim më të madh të Nato/s në vendimet politike.

"Shpresoj që në vitin 2008 të kemi reduktuar dhe ristrukturuar trupat në Kosovë. Dhe që Ballkani Perëndimor të jetë më afër Nato-s,” - tha Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike të mbrojtjes në një fjalim të mbajtur të martën paradite, 28 nëntor, në të ashtuquajturën Konferencë të Rigës në kuadër të samitit. Edhe ministri i jashtëm i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier ishte shprehur në një intervistë për shtypin gjerman se qëllimi i Bashkimit Evropian është që ta aftësojë Kosovën të kujdeset vetë për sigurinë e saj në të ardhmen.

Në qendër të samitit është këtë radhë transformimi i aleancës dhe bashkëpunimi i saj me organizata të tjera. Për shembull me Bashkimin Evropian. Scheffer dëshiron që të lihen mënjanë zënkat e së kaluarës: “Realizmi që vjen nga sfidat operacionale në Kosovë pasi të jetë zgjidhur statusi dhe në Afganistan e detyron Naton të bashkëpunojë me Bashkimin Evropian dhe të koordinojë më mirë aktivitetet me të," - tha Scheffer më tej. Deri në 2008-ën duhet të kemi arritur një nivel bashkëpunimi pragmatik pa gara konkurruese për rëndësinë e njëra-tjetrës.

Konferenca e Rigës organizohet nga Fondi Marshall për Gjermaninë dhe ka mbledhur një numër të madh ekspertësh nga e gjithë bota për të diskutuar për ristrukturimin e Natos dhe përkufizimin e detyrave të saj në të ardhmen. Në takimin, ku janë ftuar mes të tjerash edhe nënkryetari UNMIK=ut, Steven Shook, kryetari i lëvizjes “Ora” Veton Surroi, analisti shqiptar, Remzi Lani, si edhe ambasadori norvegjez në Nato, Kai Eide, do të flitet në një seancë me dyer të mbyllura edhe për Kosovën.

Roli që do të mund të luajë zgjerimi i Nato-s në zhvillimin e Kosovës do të diskutohet edhe në samitin që fillon të martën në mbrëmje. Pritet që nga ky samit të dalë një sinjal i qartë në drejtim të tre vendeve kandidate, Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë, për të vazhduar përpjekjet për anëtarësim në Nato. Vendime për zgjerimin megjithatë nuk priten. Por një temë që do të dominojë në samit është Afganistani. Bëhet fjalë për forcimin e trupave në jug të vendit. Kjo kërkesë ka ardhur nga kryekomandanti i Nato/s, gjenerali amerikan James Jones.