1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

NATO nuk do të tolerojë dhunë në Kosovë

Bekim Shehu21 Tetor 2006

Në Kosovë qëndruan për vizitë 40 gjeneral nga komiteti i lartë i Aleancës Veriatlantike. Kjo vizitë u realizua për të demonstruar vendosmërinë e Aleancës për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit sidomos në këtë fazë të zgjidhjes së statusit të Kosovës. Gjeneralët e NATO-s, thanë se ata dëshirojnë që zgjidhja e statusit të Kosovës të gjendet brenda vitit 2006

https://p.dw.com/p/Arbo
Gjen. Giuseppe Valotto i jep komandën e KFOR-it . Gjen. Roland Kather, Prishtinë, 1 shtator 2006
Gjen. Giuseppe Valotto i jep komandën e KFOR-it . Gjen. Roland Kather, Prishtinë, 1 shtator 2006Fotografi: AP

40 gjeneralë nga komiteti ushtarak i Aleancës Veriatlantike, siguruan qytetarët e Kosovës se trupat e NATO-s, nuk do të tolerojnë asnjë lloj dhune në Kosovë sidomos në këtë fazë të zgjidhjes së statusit. Trupat e KFOR-it do të mbesin të përkushtuara që në Kosovë të krijojnë paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim përkatësie etnike.

Këtë qëndrim e shprehu në Prishtinë, gjatë një vizite udhëheqësi i
komitetit ushtarak të NATO-os, gjenerali Thomas Baptista, i shoqëruar nga 40 gjeneralë të vendeve anëtare të NATO-s. "Ndërmjetësi ndërkombëtar, Marti Ahtisari ka mandat që të dërgojë propozimin e tij për statusin e Kosovës para grupit të kontaktit deri në fund të këtij viti. Mbi këtë bazë edhe është duke u punuar. Ndërsa, nga aspekti ushtarak unë mund të sigurojë se trupat e KFOR-it do të mbesin të përkushtuara për krijimin e paqes dhe stabilietit. Referendumi për kushtetutën e
Serbisë dhe zgjedhjet e atjeshme nuk do të kenë ndikim në përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për arritjen e marrëveshjes për zgjidhjen e statusit të Kosovës,"
tha gjenerali Baptista.

Ne dëshirojmë që zgjidhja e statusit të Kosovës të gjendet brenda vitit 2006, sepse ky është një afat i përcaktuar nga grupi i kontaktit por, është në duar të ndërmjetësit ndërkombëtar Marti Ahtisari që të bëjë propozimin e tij për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe pastaj është grupi i kontaktit, mekanizmi që përcakton përfundimin e procesit, tha gjenerali Baptista.

Ai tha se zgjidhja e statusit të Kosovës nuk do të ketë ndikim të madh në angazhimin e forcave paqerujatëse për garantimin e paqes në Kosovë. Forcat paqeruajtëse sipas tij, do të qëndrojnë në Kosovë jo vetëm tash por edhe pas zgjidhjes së statusit. Se çfarë do të jetë saktësisht misioni i KFOR-it dhe numri i trupave, pas statusit udhëheqësi i komitetit ushtarak të NATO-os, gjenerali Thomas Baptista, nuk ishte në gjendje ta thotë sepse për këtë tha ai, vendosin strukturat politike të NATO-s.