1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

NASH-Programi i studimeve Shqiptare

Aida Cama30 Prill 2006

Që prej vitit 1997 në University College London funksionon NASH, Programi i Studimeve Shqiptare. Programi është krijuar falë një trashëgimie të lënë nga Aleks Naçi, një student shqiptar i Oksfordit.

https://p.dw.com/p/ArgN
The School of Slavonic and East European Studies
The School of Slavonic and East European StudiesFotografi: NASH

Në Taviton Street nr 16 në Londër ndodhet Shkolla e Studimeve Sllave të Europës Juglindore. Është kohë pushimesh dhe ndërtesa sundohet nga qetësia. Portjerja tregon ku ndodhet Programi i studimeve shqiptare Aleks Nash. Në dhomën 515. Enkeleida Tahiraj, drejtuesja e programit ndodhet aty. Ajo na tregon çfarë është Programi i Studimeve shqiptare:

"Për Programin përzgjidhet çdo tre vjet me konkurs të hapur një drejtues. Ky person do të punojë për tre vjet në fushën në të cilën është specializuar. Fokusi i programit janë studimet shqiptare, që kanë të bëjnë me shqiptarët e Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës dhe në botë. Çështjet shqiptare studiohen të lidhura me rajonin."

Programi studimeve shqiptare, Aleks Nash, është krijuar më 1997 falë një trashëgimie të lënë nga Aleks Naçi. Aleks Naçi ka qenë një student shqiptar i Universitetit të Oksfordit, i emigruar në Mbretërinë e Bashkuar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Aleks Naçi, vdiq më 1995 duke lënë një trashëgimi dedikuar promovimit të studimeve shqiptare.

Trashëgimia e tij ju kalua Shkollës për Studime Sllave të Europës juglindore, ku u krijua programi i studimeve që për nder tij ka marrë emrin NASH. Drejtuesja e parë e programit ka qenë Stefani Schwandner Sievers.

"Natyra e programit varion në lidhje me specializimin e drejtuesit të programit. Gjatë periudhës që ka qenë Stefani Schwander, programi eshte fokusuar në studimeve
antropologjike shqiptare. Gjatë periudhës së dytë, nga viti 2004, programi ka patur një përqasje në shkencat sociale pasi kualifikimet e mia janë kryesisht në politikat sociale,
gjithmonë të lidhura me studimet shqiptare te krahasuara," shpjegon Enkelejda Tahiraj, drejtuesja aktuale e NASH.

Nga viti 2004 programi ka funksionuar ne katër linja kryesore që janë: mësimdhënia, kërkime-studime, publikime dhe aktivitete. Mësimdhënia varet nga profili i drejtuesit.

Për Tahirajn: "Në këtë rast une kam krijuar dhe jam pedagoge e vetme për lëndën "Varfëria dhe përjashtimi social në Ballkanin perëndimor", lëndë që jepet në nivelin Master (pasuniversitar). Përveç kësaj, jap mësim edhe në nivelin universitar për lëndën "Hyrje në politikë".

Në linjën e publikimeve do të nisë së shpejti një Journal-online i cili do të ketë kryesisht publikime të të ftuarve në aktivitete.

Linja e katërt janë aktivitetet, ku përfshihen seminare, tryeza të rrumbullakta, konferenca. Programi Nash organizon brenda Qendrës së Studimeve të Europës Juglindore (CSEES) seminare pothuaj të përdyjavshëm me akademikë ose politikbërës në fusha të ndryshme të studimeve shqiptare. Temat janë politikat e BE, aspektet ligjore të gjakmarrjes, diplomacia shqiptare gjatë tranzicionit, shëndeti mendor i
refugjatëve nga Kosova, pabarazitë në politikat e shëndetit në Shqipëri gjatë periudhës së tranzicionit, migrimi i të moshuarve nga Shqipëria, diaspora shqiptare,
korridori 8 etj.

"Në janar organizuam një tryezë të rrumbullakët me Ministrin e Arsimit të Maqedonisë.
Në mars të 2006 organizuam konferencën ndërkombëtare mbi politikat afatgjata të zhvillimit social dhe ekonomik në Kosovë", tregon krenare Enkelejda Tahiraj.


Studentët që ndjekin kurset variojne dhe janë nga Universiteti i Londrës (UCL) ku bën pjesë Shkolla për studime Sllave të Europës juglindore, por edhe studentë të tjerë që marrin kurse të krahasura. Vitin e ardhshëm pritet që numri i studentëve të jetë më i madh.

Çfarë temash u interesojnë studentëve?

"Në kurset e tjera studentët kanë ndjekur me interes tema që lidhen me çështjet e
sigurisë në Ballkan, krimin e organizuar etj. Studentë të tjerë po kryejnë doktoratat me
tema mbi arkitekturën dhe simbolizmin në Gjirokastër, kulturën materialiste në kufirin greko-shqiptar," përgjigjet Tahiraj.

Cili është publiku që viziton workshopet dhe konferencat?

"Audienca që ndjek aktivitetet tona mund të ndahet ne dy grupe: Një është shtresa
akademike apo administrata publike që ka interes në shkembime të tilla intelektuale për shkak të interesave profesionale, profilit të punës, fushës së studimit. Grupi i dytë është komuniteti shqiptar këtu në Mbretërinë e Bashkuar, i cilët ka interes për seminare të tilla. Seminaret janë të hapura për publikun, kështu audienca është e gjerë," thotë Enkelejda Tahiraj.


Ndihet mungesa e njerëzve që merren me studime shqiptare në nivele akademike?

"Unë nuk e ndjej këtë. Vështirësia më e madhe është që të angazhosh atë shtresë
që merret me çështjet akademike shqiptare të marrë pjesë në aktivitete të tilla
dhe ta ndajë informacionin me audienca ku edhe mund të sfidohet. Këtu ka të huaj që janë të interesuar ndaj çështjeve shqiptare, por edhe shqiptarë që ose punojnë me tema akademike ose kanë interes për të ditur për politikat shqiptare, çështjet e edukimit, e strehimit, politikat vendore. Interesi është i madh për tu informuar dhe për të debatuar për të qenë konstruktiv dhe për të kritikuar," shpjegon Tahiraj. Preokupimi i saj përqëndrohet më shumë diku tjetër:

"Ka me mijra studentë shqiptarë që kanë studiuar, kanë bërë mastera, kanë bërë doktoratat dhe temat e tyre po pluhurosen nëpër biblotekat e Universiteteve, pa u njohur, pa u sfiduar, pa u publikuar dhe rrjeshimisht pa kontribuar në studimet shqiptare. Ne po bëjmë përpjekje që këto punime, studime të publikohen. Sepse po nuk u publikuan humbasin dhe kjo është humbje e kapitalit njerëzor."

Për këtë qëllim në muajon qershor do të organizohet konferenca e dytë e shkollarëve të rinj në studimet shqiptare, e cila do të mbledhë studentë të masterave dhe doktoratave për të prezantuar punën e tyre.

"Gjithashtu mendoj se edhe studimet shqiptare nuk mund të shihen më të izoluara,
pra vetëm shqiptare, ato janë më me vlerë kur shihen të krahasuara me politikat globale. Në këtë aspekt studimet shqiptare mund të kenë diçka për të kontribuar në arenën e studimeve," përfundon Enkelejda Tahiraj, Drejtore e Programit NASH të studimeve shqiptare në University College London.