1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nafta nuk është njësoj e rrezikshme - edhe ndotja jo gjithkund katastrofë

8 Shtator 2011

Gati një e treta e naftës së konsumuar në globin tonë aktualisht vjen nga nëntoka e detit. Mijëra tonelata nafte përfundojnë vit për vit në det. Çfarë ndodh me këtë ndotje?

https://p.dw.com/p/12UWF
Ndotje me përmasa të mëdha në Gjirin e Meksikës vitin e kaluarFotografi: AP

Plazhe të mbuluara nga një masë e zezë vajore, pulëbardha të ngordhura me puplat të ngjitura nga nafta, botë nënujore e vdekur - imazhe të tilla mbesin në kujtesë kur masa e naftës pushton bregdetin. Por jo çdo ndotje nafte sjell të njëjtat dëme me vete, thotë Gerhard Dahlmann, specialist për ndotjen e naftës në Zyrën Federale të Lundrimit dhe Hidrografisë në Hamburg.

Dahlmann: „Në vitin 1977 në hapësirën qendrore të Detit të Veriut jemi përballur me të ashquajturin shpërthimi i Ekofiskut. 20.000 tonë naftë ranë në det, por pasojat ishin minimale, gati-gati të pandjeshme. Nafta nuk mbërriti në breg, ajo vazhdoi me rrymën drejt Atlantikut dhe u shpërnda atje.“

Pamje nga katastrofa e Ekofiskut, 1977. Përpjekje për të shuar zjarrin në rafinerinë e Detit të Veriut. Natyra e mbijetoi katastrofën
Pamje nga katastrofa e Ekofiskut, 1977. Përpjekje për të shuar zjarrin në rafinerinë e Detit të Veriut. Natyra e mbijetoi katastrofënFotografi: AP

Dëme kolosale nga një sasi e vogël nafte

Por nuk ndodhi e njëjta gjë në vitin 2003, kur një anije me dru ngeci në ishullin e Detit të Veriut, Amrum. Sasia e derdhur e naftës ishte e pakë, por katastrofa që shkaktoi ajo, ishte e jashtëzakonshme. „90 tonë naftë ranë në det, por në një zonë shumë delikate. Në këtë kohë ka pasur shumë shpendë në këtë zonë. Kështu ndodhi që aksidenti i anijes shkaktoi shfarosjen e rreth 20.000 shpendëve.“

Një arsye pse edhe një sasi e vogël nafte, mund të shkaktojë dëme kolosale është afërsia me bregun dhe zonat natyrore të mbrojtura. Por edhe lloji i naftës që bie në det luan rolin e vet. „Nafta është e tipeve të ndryshme. Për shembull nafta e tipit dizel. Kur ky bie në det, përhapet shumë shpejt dhe avullon në pjesën më të madhe. Ndërsa tipe të tjera nafte nuk kanë përbërës që avullojnë prandaj ato mbeten gjatë në det.“

Shpendët rrezikohen nga ndotja bregut
Shpendët rrezikohen nga ndotja bregutFotografi: DW

Krahas naftës që derdhet nga aksidentet që pësojnë anijet, një ndotës të rrezikshëm janë edhe vrimat në sondat e rafinerive apo avaritë që pësojnë ato në det. Lorenz Schwark nga Universiteti i Bremenit thotë se natyra di të përballojë mirë këtë ndotje. „Ekziston mundësia që nafta së bashku me ujin e detit të krijojë një emulsion më vete. Ndryshimet në dendësi mes naftës dhe ujit rrethues zvogëlohen, kështu ndodh që nafta të mos arrijë të ngjitet deri në sipërfaqe.“

Si ndihmon natyra vetveten

Një emulsion i tillë është mjaft nxitës për bakteret që ushqehen nga nafta. Për këto lloj bakteresh është mjaft e ushqyeshme kur nafta shpërbëhet në grimca minimale. „Bakteret vetë nuk do të gjallonin prej naftës, por vetëm në sipërfaqen që kufizon ujin me naftën. Sa më e madhe të jetë një sipërfaqe e tillë, aq më aktivë bëhen bakteret.“

Këto mikroorganizma janë përshtatur me kushtet më të vështira klimaterike. Kështu për shembull në brigjet e Alaskës ekzistojnë komunitete të tjera bakteresh nga ato që gjallojnë në zonat subtropikale. Por një tipar, ato e kanë të përbashkët, thotë studiuesi Lorenz Schwark: Ato oksidojnë elementët përbërës të naftës.

Prof. Lorenz Schwark nga Universiteti i Bremenit
Prof. Lorenz Schwark nga Universiteti i BremenitFotografi: Foto:Axel Schön,Copyright:Uni Kiel

„Me këtë reaksion nafta ndryshon kaq shumë nga përbërja kimike, saqë ose rimineralizohet komplet, në CO2 dhe ujë, ose ndahet në molekula shumë të vogla si acetati apo propionati. Këto molekula që nuk janë helmuese përdoren nga organizmat si ushqim, pas këtij procesi nuk mbetet më ndonjë element që ia vlen të përmendet.“ Por nëse këto baktere tresin squfur apo nitrogjen, atëhere mund të lindin produkte të tjera tepër helmuese.

Ndotje për 200 vjet e Gjirit Persik?

Katastrofa më e madhe në historinë e afërt është ndotja e bregdetit irakian gjatë Luftës së Gjirit Persik në vitin 1991. Rreth 1 milionë tonë naftë u derdhën në det, dyfish më shumë se vitin e kaluar kur u shkatërrua rafineria e naftës Deep Horizon në Gjirin e Meksikës. Ana pozitive e katastrofës së Gjirit Persik, ishte se bakteret ia dolën të shpërbënin gati të gjithë naftën. Kështu për fat të mirë nuk u bë realitet skenari dramatik, se Gjiri Persik ishte ndotur për 200 vjet.

Autor: Fabian Schmidt/Lindita Arapi

Redaktoi: E.Xhani