1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nëpër botë në kërkim të punës

Stephanie Höppner,15 Shtator 2013

Sipas një studimi të OKB-së Gjermania është një destinacion i preferuar. Imigracioni në Gjermani ka sidomos karakter evropian.

https://p.dw.com/p/19hfC
Fotografi: STR/AFP/Getty Images

Sipas një studimi të kohëve të fundit të Kombeve të Bashkuara 232 milionë njerëz në botë janë larguar nga vendi ku kanë lindur. Pra rreth 80 milionë më shumë se 20 vjet më parë. Por numri i emigrantëve është rritur jo vetëm në shifra absolute. Që nga viti 1990, përqindja e emigrantëve në numrin e popullsisë botërore pati një rritje nga 2,9 në 3,2 për qind.

Megjithatë, sipas ekspertëve, këto shifra nuk janë shumë domethënëse. Sepse në shumë vende jugore, emigrantët nuk regjistrohen plotësisht për shkak të mungesës së strukturave administrative, thotë Jochen Oltmer nga Instituti për Hulumtime të Migracionit dhe Studime Ndërkulturore në Universitetin e Osnabrück-ut në bisedë me DW. "Situata e të dhënave në disa vende është shumë e dobët." Përveç kësaj: Kombet e Bashkuara përfshijnë vetëm emigrantët që kanë lindur në një vend tjetër. "Kjo tregon vetëm një pjesë të vogël të dinamikës së lëvizjeve të migrimit në mbarë botën, sepse ka edhe shumë kthime apo kalime nga një vend në tjetrin apo të tillë që kanë disa dekada që kanë emigruar dhe kështu nuk janë emigrantë."

Ardhur për të qëndruar

Sipas studimit të OKB-së Gjermania është një destinacion i preferuar. Gjermania renditet pas SHBA dhe Rusisë me 10 milionë emigrantë në vendin e tretë. Për Robert Fox nga Qendra e Dokumentacionit dhe Muzeu i Migracionit në Gjermani shpjegon se numri i lartë i emigrantëve lidhet edhe me politikën e vetë Republikës Federale Gjermane. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Gjermani erdhën rreth 12 milion refugjatë dhe personave të zhvendosur.

Jochen Oltmer
Jochen OltmerFotografi: Universität Osnabrück

Nga mesi i viteve '50 - me fillimin e mrekullisë ekonomike gjermane - filluan të vijnë edhe gastarbajterë. Numri i të huajve në Gjermani u rrit nga 700.000 në fillim të viteve '60 në 2.7 milion në fillim të viteve '70-të.

Türkische Gastarbeiter treffen in Deutschland ein
Fotografi: picture-alliance/dpa

Me rënien e Perdes së Hekurt në fund të viteve '80 erdhi në Gjermani një tjetër grup i madh - gjermanët etnikë nga Polonia dhe BRSS. Me pasoja afatgjata: Në vitin 1990 numëroheshin 5,6 milionë të huaj. Dhjetë vjet më vonë, u shtuan edhe rreth dy milionë më tepër. Kriza globale financiare dhe lëvizja e lirë në tregun evropian të punës po sjellin vitet e fundit gjithnjë e më spanjollë, italianë dhe portugezë përsëri në Republikën Federale. Ndryshe nga bashkëkombasit e tyre në vitet '50 dhe '60, ata duan të qëndrojnë vetëm shkurtimisht, është i bindur Fox.

Pa para dhe kontakte, është e vështirë

Imigracioni në Gjermani ka sidomos karakter evropian. Sipas studiuesit Oltmer kjo shjegohet thjeshtë me burimet financiare të njerëzve. "Migrimi nuk ndodh ashtu thjeshtë, por është i lidhur me kosto të larta", thotë ai. Përveç parave për transportin dhe strehimin, njerëzit gjithashtu kanë nevojë për kontakte me miqtë dhe të afërmit në vendet ku shkojnë për të zënë shpejtë vend. - Ky fenomen quhet migrim zinxhir.

Potencial i falur

Polaku Tomasz Plonka punon në Gjermani
Polaku Tomasz Plonka punon në GjermaniFotografi: DW/A. Maciol

Ligjet kufizuese të imigracionit në shumë vende perëndimore ua vështirësojnë rrugën e tyre emigrantëve. Hulumtuesi i migracionit Philip Anderson i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Regensburg thotë se nga kjo humbet shumë potencial. "Në politikën gjermane të imigracionit bëhet një dallim shumë i fortë midis migrantëve 'të mirë' dhe emigrantëve të 'këqinj'", thotë ai për DW. "Ata me sfond refugjatësh ende konsiderohen si më pak të mirëpritur." Prandaj, ai kërkon që edhe tek refugjatët të shfrytëzohen aftësitë profesionale. "Ne kemi nevojë për këta njerëz dhe ata duhet të kenë qasje më të shpejtë në tregun e punës."