Nënshkruhet memorandumi i thellimit te luftës kundër korrupsionit në selinë e Parlamentit Europian në Bruksel
12 Maj 2005Një nga kërkesat e vazhdueshme që Bashkimi Europian i ka drejtuar vendeve të Europës Juglindore ka qënë thellimi nga ana e tyre i luftës kundër korrupsionit. Për Bashkimin Europian korrupsioni dhe krimi i organizuar janë dy nga plagët kryesore që zvarrisin anëtarësimin e vendeve të këtij rajoni në BE.
Kjo ishte edhe arsyeja kryesore që pakti i Stabilitetit në bashkëpunim edhe me Komisionin Europian dhe një varg institucionesh dhe organizatash të tjera ndërkombëtare organizoi në Bruksel një konferencë për luftën ndaj korrupsinoit në 10 vende e Europës Juglindore. Sipas iniciatorëve të kësaj konference përhapja dhe shtrirja e korrupsionit në Shqipëri, Rumani, Moldavi, Federatën serbo – malazeze etj është edhe njëra nga shkaqet kryesore se përse në këto vende mungojnë investimet e huaja. Një fakt i tillë u pohua nga shumë përfaqësues të biznesit dhe bankave të huaja. Burime nga kjo mbledhje bëjnë të ditur se komisioneri i BE-së, përgjegjës për rendin dhe drejtësinë, Franko Frattini ka pohuar se së bashku me komisionerin Olli Rehn janë duke shqyrtuar mundësinë e liberalizimit të vizave për disa nga qytetarët e vendeve të Europës Juglindore, por ky liberalizim do të bëhet shkallë – shkallë në bazë të arritjeve të çdo vendi në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit.
Në përfundim të këtij takimi pjesëmarrësit nënshkruan një « Memorandum të thellimit të luftës kundër korrupsionit », - në të cilin ishin përfshirë 10 propozime kryesore si masa efikase në luftën kundër kësaj dukurie. Ndër këto masa bëjnë pjesë nënshkrimi, ratifikimi dhe vënia në jetë e Konventës së Kombeve të Bashkuara kundë Korrupsionit, ngritja dhe krijimi i organizmave të specializuara për të zvogëluar mundësinë e korruptimit nga ana e zyrtarëve të administratës shtetërore, sistemit të drejtësisë dhe partive politike, krijimin e një « liste të bardhë » për të gjitha ato ndërmarrje dhe kompani, vendase apo të huaja, që dëshmojnë mosnjollosje nga kjo dukuri, nxitjen dhe lejimin e e njohjes së publikut dhe mediave me përmbajtjen dhe praktikën e biznesit etj.
Ndër nënshkruesit e këtij Memorandumi bënin pjesë edhe ministri shqiptar i shtetit, Marko Bello, ai i Serbisë Zoran Stojkoviç, përfaqësuesi i UNMIK-ut Fridrih Schwindt, ministri maqedonas i shtetit Viktor Cvetkovski, ai bosnjak Sllobodan Kovaç si dhe kolegët e tyre nga Rumania, Mali i Zi, Moldavia, Kroacia, etj. Përfaqësuesi i Paktit të Stabilitetit, Erhard Busek, deklaroi në mbyllje të këtij takimi se tani është koha e vënies në jetë të zotimeve të marra dhe se ….Pakti i Stabilitetit, ndër të tjera do të shqyrtojë me vëmendje se cilat janë rezultatet në praktikë të iniciativave të firmosura sot.