1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Shqipëri po rritet fenomeni i vetëvrasjeve

Arben Muka6 Mars 2009

Vitin e kaluar u regjistruan 331 raste, ose 30 më shumë se një vit më parë. Sociologët e shikojnë burimin tek varfëria, menaxhimi i konflikteve etj.

https://p.dw.com/p/H6zW
Fenomeni i vetëvrasjes në Shqipëri ka si burime kryesore nivelin e ulët social e ekonomik dhe pamundësinë për të mbijetuar
Fenomeni i vetëvrasjes në Shqipëri ka si burime kryesore nivelin e ulët social e ekonomik dhe pamundësinë për të mbijetuarFotografi: dpa - Bildarchiv

Në skedat e policisë të ditëve të fundit është dhe rasti i 43-vjeçarit nga Fieri, Th. L. Në gjendje të rënduar depresioni ai u hodh nga një urë mbi lumin Vjosë duke u mbytur. Familjarët e tij pohojnë se gjithçka kishte nisur "qysh nga koha e rënies së skemave piramidale, ku viktima humbi një sasi të konsiderueshme parash". Duke mos gjetur asnjë rrugë shpëtimi e mbijetese ai zgjodhi aktin fatal të vetëvrasjes.

Prof. Dr. Zyhdi Dervishi
Prof. Dr. Zyhdi DervishiFotografi: DW/Muka

Prof. dr. Zyhdi Dervishi, sociolog, duke folur për DW-në mbi fenomenin e vetëvrasjes përcakton pikërisht periudhën e lulëzimit e rënies së skemave piramidale, si fillimin e shtimit të këtij fenomeni të frikshëm në Shqipëri. "Krijimi i këtyre firmave piramidale rrënoi shpirtërisht një masë të madhe të shqiptarëve. Para kësaj periudhe niveli i vetëvrasjeve ishte i ulët. Pikërisht shkatërrimi i piramidave shkaktoi një shok psikologjik e shpirtëror tek popullata, duke nisur dhe me shtimin e rasteve të tilla".

Prof. dr. Dervishi u referohet edhe të dhënave konkrete të asaj periudhe kur numri i të paraqiturve në gjendje depresioni në spitalet e vendit u rrit me 60 përqind. Pa përmendur këtu dhe raste të tjera të paevidentuara, pasi nuk u kërkua ndihmë e specializuar tek mjeku.

Burimet kryesore të shtimit të fenomenit

Duke e analizuar fenomenin e vetëvrasjes në Shqipëri ekspertët shikojnë si burim kryesor të shtimit të rasteve nga viti në vit varfërinë, nivelin e ulët social e ekonomik dhe pamundësinë për të mbijetuar. Gjithashtu dhe konfliktet dhe keqmenaxhimi i tyre përbën një burim tjetër për vetëvrasjet.

Sipas prof. dr. Zyhdi Dervishit në jetën e përditshme, në familje, a komunitet ka raste të përplasjeve e konflikteve të cilat jo gjithmonë zgjidhen në mënyrën e duhur. "Por dhe sistemi i drejtësisë dhe i mekanizmave të tjerë të dhënies së të drejtës çalojnë shumë në Shqipëri. Kjo është serioze p.sh, në çështjet e pronave, të problemeve të bartura nga e kaluara si hakmarrja e gjakmarrja etj. Në rastin kur mungon institucioni i dhënies së drejtësisë, qytetarët shtyhen më shumë drejt zgjidhjes fatale ose të vrasin, ose të vetëvriten. Në një farë mënyrë shoqëria i shtyn. Në një konceptim më të gjerë nuk ka vetëvrasje. Ka vetëvrasje të imponuar. Nëse shoqëria nuk i zgjidh problemet bazë, atëhere do të kemi për pasojë njerëz që shkojnë drejt kësaj zgjidhjeje. Ne jemi një vend i vogël, por dhe i keqmenaxhuar. Nëse do të kishte menaxhim efektiv të pasurive dhe të burimeve, jam i sigurtë se do të kishte shumë më pak vetëvrasje e vrasje dhe realiteti në përgjithësi do të ishte më pak i tensinuar", thotë për DW-në, prof. dr. Zyhdi Dervishi.

Shifrat në rritje

Duke iu referuar statistikave zyrtare në tetë vitet e fundit në Shqipëri kanë ndodhur 1.500 vetëvrasje. Vetëm gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 331 të tilla. Më problematike sipas statistikave zyrtare që jep Instituti i Shëndetit Publik dhe Ministria e Brendshme janë rrethet e Tiranës, të Elbasanit, të Fierit e të Korçës. Duke bërë krahasimin me një vit më parë, gjatë 2008-s u regjistruan 30 raste më shumë. Vihet re dhe se 60 përqind e viktimave ishin femra nën moshën 30 vjeç.

Vetëvrasja sipas prof.dr. Zyhdi Dervishit shkakton humbje të jetëve njerëzore, "por nga ana tjetër lë gjurmë të thella trishtimi e tronditje për një kohë të gjatë tek familjarët dhe të afërmit e viktimave duke përbërë një plagë të rëndë sociale e shpirtërore".