1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Shqipëri nuk ka të dyshuar si të infektuar nga 'gripi i derrave'

30 Prill 2009

Autoritetet e Shëndetësisë në Tiranë i deklaruan DW se deri tani në Shqipëri nuk ka asnjë të infektuar me virusin e gripit të derrit. Por rekomandimet e OBSH po zbatohen edhe në Shqipëri

https://p.dw.com/p/Hhi1
Tableta Tamiflu- kundër 'gripit të derrave'
Tableta Tamiflu- kundër 'gripit të derrave'Fotografi: AP

Në Itali dhe Greqi konstatohen të infektuar me virusin e "gripit të derrave"

Të dhënat nga Organizata Botërore e Shëndetësisë,(OBSH) tregojnë se ndër shtatë vendet e Bashkimit Europian, (BE) ku janë konstatuar rastet e të infektuarve me këtë lloj virusi përfshihen edhe dy vende fqinjë me Shqipërinë: Italia dhe Greqia. Me këto vende, për shkak të numrit të madh të emigrantëve, marrdhënieve tregtare dypalëshe ka një fluks të madh hyrje-daljesh të udhëtarëve, fakt ky që e bën real rrezikun dhe mundësinë e mbritjes së virusit prej këtyre vendeve edhe në Shqipëri. Por a ka mbërritur ai tanimë?

" Mund të deklaroj, se për momentin që flasin, në Shqipëri nuk ka të dyshuar për infektim me këtë virus." thotë për DW-në, Arben Ivanaj, zv. Ministër i Shëndetësisë

Virusi përhapet nga rritësit e derrave te njerëzit e tjerë

Megjithë këtë deklaratë zyrtare, Instituti i Shëndetit Publik, në Tiranë, ka filluar të sensibilizojë publikun për karakteristikat e virusit, rrugët e infektimit dhe shenjat klinike të të infektuarve.

"Është një virus që ka në përmbajtjen e vet komponentë të virusit të gripit të derrave, të shpendëve dhe të gripit të njeriut. Këto komponentë e bëjnë atë tëklasifikohet si një virus të ri. Ai përhapet përmes rrugëve të frymëmarrjes dhekontaktit me tëinfektuarin. Nuk duhet pështyrë në asnjë mënyrë në tokë, pasi kjo përbën një burim shumë të madh infeksioni. Infeksioni nuk vjen nga përdorimi i mishit të derrit. Origjina është nga kontakti i rritësve të derrave me virusin. Pas kësaj, virusi ka pësuar një mutacion që e bën atë të përhapet nga njeriu tek njeriu,"

shpjegon Silva Bino, Drejtore e Departamentit të Sëmundjeve infektive në këtë Institut.

Fushatë informimi dhe sensibilizimi e popullsisë me fletëpalosje dhe postera dhe kontrollo në kufi

Krahas këtij informacioni praktik që jep Instituti i Shëndetit Publik edhe Ministria e Shëndetësisë po përgatitet të fillojë këtë javë një fushatë informimi dhe sensibilizimi të popullsisë përmes fletë palosjesh dhe posterash. Ndërkohë që rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë po zbatohen me rreptësi.

"Në bazë të këtyre rekomandimeve edhe në Shqipëri është deklaruar niveli 4 i gadishmërisë nga 6 nivele që janë gjithsej. Po funksionon një komitet Ad- Hoc për këtë situatë. Janë marrë të gjitha masat sidomos në pikat e kalimit kufitar, ku do të bëhët një investigim i thjeshtë i udhëtarëve për të parë nëse ata vijnë nga zonat e infektuara apo kanë rënë në kontakt me persona mbartës të virusit. Në të gjitha pikat e kalimit kufitar janë vendosur punonjës sanitarë, të aftë të bëjnë investigimin epidemiologjik në njësinë e kohës për të identifikuar dhe deklaruar çdo të dyshuar të mundshëm. Gjithë strukturat e shëndetit publik në Shqipëri kanë marrë udhëzime përmes një guide se çfarë duhet bërë në rast të konstatimit të një personi të infektuar. Është bërë inventarizimi i plotë i situatës në të gjitha spitalet e vendit për të pritur çdo të dyshuar të mundshëm, "

thotë zëvendësministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj.

Duke dhënë disa detaje për përgatitjet që po bëhen, zoti Ivanaj, thotë se në Shqipëri ka një stok të medikamentit të njohur me emrin amiflu , të rekomanduar për trajtimin e infektimit në fjalë edhe nga OBSH për një kontigjent prej 100 të infektuarish.

" Në spitalet rajonale të Shqipërisë sot ka filluar përgatitja e dhomave të izolimit për të pritur të sëmurët" shton zëvendësministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj.

Mesazhi që autoritetet e Tiranës japin është vigjilenca, drejtimi i qytetarëve në qendrat shëndetësore dhe spitale dhe mbi të gjitha të shmangin panikun.

Autor: Ani Ruci/ Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi