1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Shqipëri nuk ka kontroll për firmat e ndërtimit

Intervistoi Ani Ruci10 Nëntor 2008

Firma fantazëm, pa njohuri profesionale marrin liçensa dhe leje ndërtimi - intervistë ekskluzive për DW me Ilir Hebovijan, zëvendësdrejtor i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë.

https://p.dw.com/p/Fr1G
Nuk mund të ndërtohet më të njëjtat teknika si në një zonë që rrëshqet ashtu edhe në një zonë shkëmbore.
Nuk mund të ndërtohet më të njëjtat teknika si në një zonë që rrëshqet ashtu edhe në një zonë shkëmbore.Fotografi: AP

DW: Cilat janë shkaqet kryesore që çuan ne shembjen e nje pallati banimi ne Gjirokaster, ngjarje që për fat të keq u mori jeten tre banoreve dhe plagosi dhjetra të tjerë?

Ilir Hebovija: Shkaku kryesor është mungesa e plotë e profesionalizmit dhe e përgjegjësisë për të ndërtuar në një terren të vështirë që rrëshqet. Nuk është marrë mendimi i specialistëve dhe as janë marrë profesionistë për të realizuar ndërtimin në një zonë që kërkon vëmendje maksimale, në përputhje me kushtet. Nuk mund të ndërtohet më të njëjtat teknika si në një zonë që rrëshqet ashtu edhe në një zonë shkëmbore. Apo nuk mundet që një person që ndërton një kioskë , të ndërtojë edhe një pallat banimi, për më tepër në një zonë të vështirë. Shembja ndodhi kur firma e ndërtimit që kishte nisur gërmimin për pallatin e ri pasi themelet e këtij të fundit u tronditën nga heqja e masës së dheut nga makineritë e rënda. Çfarë kalkulimesh pati berë kjo firmë për pasojat në pallatin ekzistues, tanimë të kthyer në rrënojë? Me siguri të gabuara.

DW: A ishte anëtare e Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, kompania që kishte marrë lejen e ndërtimit për të ngritur një qendër biznesi në një terren rëshqitës pranë pallateve të banimit?

Ilir Hebovija: Kompania " Art Ndërtim" nuk është anëtare e Shoqatës.

DW: Atëhere, a mund ta përfshini këtë kompani ndërtimi në atë grup kompanish që janë quajtur "kompani fanatazmë", pra që shfaqen dhe zhduken?

Ilir Hebovija: Fantazëm, mundet. Quajmë kompani "fantazëm" të gjitha ato që bëjnë një pallat apo ndërtesë dhe pastaj zhduken. Të tilla kompani janë të pakualifikuara, absolutisht. Marrin një punëtor andej, një tjetër këtij ,nuk kanë ekip të vetin ndërtues, nuk pranojnë të jenë anëtarë të shoqatës së ndërtuesve apo të përmbushin standartet, pasi shoqata ka kritere dhe kërkesa të rrepta për profesionalizmin që përfaqëson kompania që behët anëtare.

DW: Shoqata juaj është një strukturë kompetente për të dhënë informacione për përgjegjësinë profesionale të një kompanie ndërtimi apo jo? A i kini të tilla kopetenca ?

Ilir Hebovija: Po, për fat të keq ato mbeten të paushtruara. Qeveria po monopolizon gjithçka dhe nuk na lejon që të ndërmarrim nisma të tilla si informacion të saktë për çdo firmë ndërtimi lidhur me profesionalizmin, përgjëgjësinë, legjitimitetin e saj. Tani mund të flasim për përgjegjësi. Por jeta e tre banorëve të pallatit të shembur, të gjetur në rrënojat e tij, nuk kthehen më.

DW: Flasim për përgjegjësi, që të tilla ngjarje të mos përsëriten. A keni shembuj konkretë te momnopolizimit të kompetencave tuaja nga ana e qeverisë?

Ilir Hebovija: Rasti i licensave, vetëm pak kohë më parë qeveria deklaroi që kishte hequr apo pakësuar numrin e licensave që jepen për sektorë të ndryshëm. Një sektor ku liçensat janë hequr në mënyrë abuzive është ai i drejtimit të makinereve të rënda, e manovratorëve. Deri pak kohë më parë këto licensa jepeshin nga Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë dhe Ministria e Transportit, përmes një komisioni të kualifikuar. Ndërkohë personi përgjegjës duhej të bënte kursin përkatës për te qenë në gjendje të drejtonte një makineri të rëndë. Tani nuk ndodh kështu. Është njëlloj si një person që do të marrë një makinë, të dalë në rrugë pa patentë. Por në rastin e drejtuesve të makinerive të rënda që bëjnë gërmime për të ndërtuar vepra publike apo civile pasojat janë jashtëzakonisht të rënda. Nga ana tjetër për ndërtimin e një pallati duhet një ekip profesionistësh të profesioneve të ndryshme që nuk kanë licensën përkatëse. Një profesion po të çalojë ndodh fatkeqësia. Ndërtimi është si në nje orkestër, ku nëse një vegël muzikore nuk ështe në harmoni, muzika prishet, shembet

DW: A e ndjeni ngjarjen në Gjirokastër si një këmbanë alarmi, që bie për mundësinë e përsëritjes së saj? Jetojme prej më shumë se një dekade në një boom ndërtimesh, qindra firma ndërtimi, të drejtuara nga gjithfarë profesionistësh por jo njerëzish të ndërtimit?

Ilir Hebovija: Kjo nuk është këmbanë alarmi. Kjo është këmbana e vdekjes. Deri më sot u kemi rënë shumë këmbanave të tjera por nuk janë dëgjua. Ajo që kërkojme sot si Shoqatë e Ndërtuesve është bashkërendimi me strukturat ekzekutive për t´i parandaluar të tilla ngjarje në të ardhmen.

Kjo që ndodhi në Gjirokastër tregon se është emergjent kontrolli rigoroz i të gjitha kompanive të ndërtimit, në të gjitha hallkat e procesit të ndërtimit.