Në rritje dallimi mes romëve dhe pjesës tjetër të shoqërisë
17 Shtator 2008Në Gjermani është etabluar termi i dyfishtë për emërtimin e tyre: sinti dhe romë. Me sinti nënkuptohet grupi i kësaj popullsie që jeton në Evropën Qendrore dhe me romë ata të Evropës Lindore. Jashtë hapësirës gjermanofone emërtimi romë përdoret në mënyrë përgjithësuese për antarët e kësaj pakice.
Muzika është pjesë e kulturës së tyre ashtu si edhe gjuha e jeta si nomadë
Por kjo mënyrë jetese nuk përputhet me të përditshmen moderne të Evropës. E si rrjedhojë romët gjithnjë e më shumë përjashtohen nga shoqëria. Ata diskriminohen vazhdimisht dhe përballen me përjashtimin social. Në Evropën Lindore gjatë viteve të shkuara ka pasur herë pas here sulme dhe zjarrvënie ndaj lagjeve të romëve. Një gjendje kjo e papranueshme theksoi Presidenti i Komisionit të BE-së, Jose Manuel Barroso në hapje të konferencës së nivelit të lartë. Ai nënvizoi: „Çdo burrë, grua e fëmijë ka të drejtë të jetojë pa u diskriminuar dhe përndjekur. Kjo nuk është një çështje vetëm evropiane, por ka të bëjë me të drejtat universale, është një çështje e korrektesës dhe drejtësisë social,e e vlerave themelore demokratike.“
Mënyra si autoritet italiane veprojnë ndaj problemit të romëve është e gabuar
Kohët e fundit Italia tërhoqi vëmendjen e opinionit, sepse synon të marrë shenjat daktiloskopike të romëve. Një qëndrim ky i paranueshëm, kritikoi George Soros, kryetari i Institutit Open Society, një organizatë joqeveritare që financon projekte në mbështetje të romëve në Evropën Lindore. „Mënyra se si autoritet italiane veprojnë ndaj problemit të romëve është e gabuar. Ky nuk është një problem sigurie dhe nuk mund të zgjidhet si një problem i sigurisë. Përkundrazi në këtë mënyrë çështja përkeqësohet edhe më shumë. Regjistrimi i shenjave daktiloskopike, protokollimi i profileve racore janë të papranueshme, madje unë mendoj, se një gjë e tillë është ilegale. Shpresoj, që Gjykata Evropiane do ta trajtojë këtë rast dhe do ta dënojë atë si një veprim ilegal“.
Ligjet nuk zbatohen
Në bazë të raportit të fundit të BE-së lidhur me gjendjen e romëve ndonëse ekzistojnë ligjet përkatëse dhe mbështetja financiare për romët, në vendet antare lë për të dëshiruar zbatimi i tyre. Gjatë periudhës 2000-2006 janë financuar projekte të posaçme për romët ne vlerën prej 275 milionë eurosh. Përveç kësaj janë shpenzuar një miliardë euro për grupet e lëna pasdore duke përfshirë këtu edhe romët.
Dallimi mes romëve dhe pjesës tjetër të popullsisë po bëhet gjithnjë e më i madh
Një ndër problemet më urgjente është numri i lartë i papunësisë së romëve. Nga njëra anë kjo ka të bëjë me faktin, se duke munguar një vendbanim i përhershëm i tyre ata nuk kanë leje qëndrimi në vendin ku jetojnë. Por pengesa më e madhe është se ata nuk kanë arsim. Presidenti i Komisionit të BE-së Barroso theksoi: „Në vendimet politike, që kanë të bëjnë me romët, duhet të merret parasysh realiteti soacial i tyre. Ajo që na duhet ne është mbështetja për arsimimin e romëve si dhe mbështetja e tyre në gjetjen e një vendi pune, ku të respektohen veçoritë kulturore të tyre. Ne mund t´i mbështesim romët përmes kurseve të menaxhimit, minikredive apo instrumentave të tjerë, që ata të aftësohen për të marrë pjesë në një veprimtari legale."
Romët duhen inkurajuar për të marrë më shumë përgjegjësi për gjendjen e tyre
Edhe gjendja shëndetësore e romëve është në përgjithësi më e keqe krahasuar me mesataren e gjendjes shëndetësor të pjesës tjetër të popullsisë. Jetëgjatësia e tyre është rreth dhjetë deri në 15 vjet më e ulët se mesatarja e pjesës tjetër të popullsisë. Shumë grupe të romëve jetojnë pjesërisht në kushte pa ujë të pijshëm dhe elektricitet. Barroso kërkoi një angazhim më të fortë të institucioneve publike. Megjithatë sipas Presidentit të Komisionit, njëkohësisht duhet që edhe romët të inkurajohen për të marrë më shumë përgjegjësi për gjendjen e tyre.