1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në rrezik stabiliteti i Kosovës dhe paqja në rajon

25 Shtator 2023

Tirana zyrtare reagon për vrasjen e efektivit të policisë së Kosovës. Kjo është këmbana më e madhe e alarmit për rrezikun e vazhdueshëm të eskalimit të krizës së zgjatur në një konflikt të armatosur, u shpreh Edi Rama.

https://p.dw.com/p/4WlZE
Albanien Tirana | Historische Nationalmuseum am Skanderberg-Platz
Fotografi: Micha Korb/pressefoto korb/picture alliance

Autoritetet më të larta të Shqipërisë dënojnë me forcë vrasjen të dielën (24.09) e një efektivi të policisë së Kosovës dhe plagosjen e dy të tjerëve, të ndodhura gjatë një sulmi me armë pranë manastirit në fshatin Banjska, në veri të Kosovës, ku banon një shumicë serbe.

Komuniteti ndërkombëtar të reagojë me shpejtësi

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e cilësoi sulmin "akt të organizuar kriminal, cënim të rëndë të rendit, sigurisë, stabilitetit të Republikës së Kosovës dhe paqes në rajonin e Ballkanit Perëndimor.” Përmes një postimi në median sociale Presidenti Begaj i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar "të reagojë me vendosmëri ndaj urdhëruesve dhe zbatuesve të këtij akti.” "Në këto momente nevojitet më shumë se kurrë qetësi, maturi dhe bashkëpunim i ngushtë me KFOR dhe aleatët. Shqipëria është gjithmonë në mbështetje të Kosovës,” theksoi ai.

Këmbanë alarmi për konflikt të armatosur

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e quajti tragjedi „humbjen e jetës së efektivit të Policisë së Kosovës". „Deri më sot është këmbana më e madhe e alarmit për rrezikun e vazhdueshëm të eskalimit të krizës së zgjatur në një konflikt të armatosur. Kriminelët që i morën jetën një njeriu të pafajshëm, i cili shërbente nën uniformën shtetërore të forcave të rendit të Republikës së Kosovës, duhet të dalin përpara drejtësisë, ” theksoi ai në një postim në median sociale.

Presidenti shqiptar, Bajram Begaj në parlament para mikrofonit
Presidenti shqiptar, Bajram BegajFotografi: Press Office/Albania Parliament

"Komuniteti euroatlantik duhet të mbledhë të gjithë forcën e tij imponuese dhe të ulë pa kthim, Kosovën dhe Serbinë, në tryezën e Dialogut të Normalizimit. Thirrja e një konference të jashtëzakonshme paqeje, nën mbikëqyrjen e garancinë e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, e njëkohësisht marrja e të gjitha masave të jashtëzakonshme me KFOR-in, për moslejimin e eskalimit të mëtejshëm të situatës, janë një domosdoshmëri strategjike jo vetëm për rendin e sigurinë në Kosovë sot, po edhe për paqen e të ardhmen e rajonit nesër, përpara sesa kriza e zgjatur në Veriun e Kosovës të dalë jashtë kontrollit e të kthehet në një zjarr destabilizues për krejt rajonin,” paralajmëroi kryeministri i Shqipëris, Edi Rama.

Komuniteti euro- atlantik dhe KFOR- të ndalojnë  përshkallëzimin e situatës

Kryetarja  e Parlamentit të Shqipërisë, Lindita Nikolla në një deklaratë zyrtare, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe KFOR të ndërhyjnë për të ndaluar një përkeqësim të gjendjes." Urdhëruesit e këtij krimi duhet të mbajnë përgjegjësi dhe kriminelët duhet të dërgohen para drejtësisë. Ky akt brutal kriminal ndaj efektivëve të Policisë së Kosovës dhe pasojat e tij tragjike janë shenja se zhvillimet mund të përkeqësohen nëse nuk ndërhyhet nga komuniteti euroatlantik dhe KFOR për ndalimin e përshkallëzimit të situatës. Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, sipas rekomandimeve të SHBA dhe BE, mbetet rruga e vetme për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe. Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është kusht i domosdoshëm për sigurinë dhe paqen në rajon.” thekson Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë,  Lindita Nikolla, në deklaratën e saj zyrtare.

Kryeministri, Edi Rama i ulur në tavolinë duke folur
Fotografi: Albania Premiership Press Office

Autorët të përballen sa më parë me drejtësinë

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani në reagimin e tij e quajti sulmin e armatosur ndaj policisë dhe shtetit të Kosovës, "akt kriminal, kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit."„Autorët duhet të përballen sa më parë me drejtësinë.  Shqipëria është në krah të Kosovës dhe në bashkëpunim të ngushtë me aleatët e partnerët në këto momente të vështira që kërkojnë gjakftohtësi", theksoi ai. Edhe Unioni i Bashkive të Shqipërisë e dënoi sulmin. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e cilësoi sulmin e armatosur ndaj efektivave të policisë së Kosovës „ një barbari të pashoqe për Europën e 2023" „Unioni i Bashkive dënon me forcë këto akte terrori dhe i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së heroit Afrim Bunjaku dhe shërim të shpejtë dy kolegëve të tij”, thekson në reagimin e tij kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Policia merr nën kontroll manastirin në Banjska - policë para automjeteve
Policia merr nën kontroll manastirin në Banjska - sulme ndaj policisë së Kosovës, 24 shtator 2023Fotografi: OGNEN TEOFILOVSKI/REUTERS

Opozita: Autoritetet e Beogradit të distancohen nga aktet destabilizuese

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në reagimin  e tij theksoi se „në këtë çast kritik të betejës kundër krimit jemi në krah të efektivave të Policisë së Kosovës dhe autoriteteve të vendit që punojnë për vënien e autorëve të kësaj ngjarje të rëndë para ligjit" „Ju bëj thirrje autoriteteve të Beogradit të dënojnë dhe të distancohen prerazi nga kjo ngjarje e rëndë dhe nga gjuha e aktet destabilizuese”, theksoi Basha në reagimin  e tij

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana