Në kulmin e përgatitjeve për zgjedhjet në Kosovë
8 Nëntor 2007Në Kosovë sistemi zgjedhor kësaj radhe është shumë më i komplikuar sesa sistemet që janë praktikuar në katër zgjedhjet e shkuara. Për herë të parë do të përdoret sistemi me lista të hapura, ndërkohë që në të njëjtën ditë do të votohet si për deputetë për kuvendin e Kosovës ashtu edhe për këshilltarë në asambletë komunale dhe drejpërdrejt për kryetarët e komunave.
Zgjidhet trefish
KQZ këtë radhë janë shumë më të angazhuara sesa në zgjedhjet e mëparshme. Nga Komisionet njoftohet se megjithatë shpresohet se në ditën e votimeve më 17 nëntor, nuk do të ketë probleme. Mazllum Baraliu, kryeshefi ekzekutiv i KQZ-së shpjegon hapat e ndërmarra nga KQZ-ja:
”Tash kemi tri palë, por, megjithatë, kemi bërë përpjekje maksimale që të thjeshtësohet dhe të shkurtohet afati apo kohëzgjatja e votimit. Kemi rritur në këtë aspekt numrin e qendrave të votimit, kemi rritur po ashtu numrin e vendvotimeve dhe kështu zvogëluar numrin e votuesve në një vendvotim, në krahasim me zgjedhjet e kaluara”, thotë Baraliu.
Vështirësi teknike në procesin zgjedhor
Për shkak të kompleksitetit të zgjedhjeve, më parë nga partitë politike ishte hedhur ideja që procesi i votimit të zgjasë dy ditë, por kjo kërkesë është hedhur poshtë nga organizatorët e zgjedhjeve. Ata thonë se qendrat e votimit do të jenë të hapura vetëm një ditë nga ora shtatë e mengjesit deri në 19 të mbrëmjes, mirëpo, orari mund të shtyhet edhe më vonë nëse para qendrave të
votimit ka radhë.
Një tjetër vështirësi për KQZ është numërimi i fletëvotimeve, gjë që sipas zotit Mazllum Baraliut mund të marrë kohë: “Kemi lidhur kontratat dhe pritet trajnimi i personelit këto ditë të një numri të madh të njerëzve të kualifikuar për këtë punë, që njohin teknologjinë informative dhe gjuhën e huaj. Diku 620 punonjës do të punojnë në qendrën e numërimit”.
Serbët nuk do të marrin pjesë në zgjedhje
Për të marrë pjesë në zgjedhjet e 17 nëtorit në Kosovë, janë regjistruar gjithsej 97 subjekte politike, në mesin e të cilave 33 nga pjesëtarët e komunitetit serb. Shumë nga këto subjekte
politike qysh tash kanë paralajmëruar se ka mundësi që mos të marrin pjesë në zgjedhje, kjo për shkak të kërcënimeve që u bëhen nga atoritetet e Beogradit që të tërhiqen nga procesi i zgjedhjeve.
Këto subjekte politike serbe cilësohen si të vogla për nga numri i eletoratit, por, zhgënjyes për autoritetet e këtushme është fakti që në zgjedhje nuk do të marrë pjesë partia më e madhe politike serbe, “Lista Serbe për Kosovën”, e udhëhequr nga Oliver Ivanoviq. Ky i fundit thotë se ai dëshiron të merr pjesë në zgjedhje, por do të respektojë vendimin e autoriteteve të Beogradit, të cilat me një vendim të qeverisë dhe presidencës kanë kërkuar nga serbët që mos të marrin pjesë në zgjedhjet në Kosovë.