Në Gjermani diskutohet për një ligj kundër diskriminimit në jetën e përditshme
21 Janar 2005Me ligjin kundër diskriminimit racial në jetën e përditshme, koalicioni qeveritar i përbërë prej social-demokratëve dhe ekologjistëve dëshiron të sanksionojë edhe për sektorin privat, çështjen e trajtimit të minoriteteve.
Sipas këtij ligji që pritet të hyjë në fuqi këtë vit, as punëdhënësit, as pronarët e lokaleve apo hoteleve, as pronarët e banesave, apo sigurimet nuk kanë të drejtë t'i diskriminojnë më klientët e tyre për shkak të origjinës, moshës, preferencave seksuale, fesë, botëkuptimit apo gjymtimeve fizike. Opozita dhe shoqatat e punëdhënësve në Gjermani kritikuan faktin që Berlini zyrtar do të formulojë një ligj më të ashpër nga sa kërkohet prej Brukselit. Ndërsa Brukseli kërkon të ndalohen vetëm diskriminimi racor, apo ai për shkak të përkatësisë etnike, në Gjermani, po të miratohet ligji, do të jenë të dënueshme edhe diskriminimet për shkak të preferencave seksuale, fesë, botëkuptimit apo gjymtimeve fizike.
Opozita mendon se ky ligj do të shkaktojë një vargan të madh ankesash pranë gjykatave, duke u shndërruar në këtë mënyrë në një lloj programi për punësimin e avokatëve. Deputeti i CDU-së Norbert Röttgen tha: "Në këtë rast nuk ka nevojë që të kemi vërtetim të fakteve përmes provave, po gjithkush mund të pretendojë se diskriminohet, dhe çështja përfundon në gjykatë."
Përfaqësuesit e qeverisë iu kundërvunë këtyre kritikave duke thënë se qëllimi i ligit është që çdo qytetari t'i garantohet barazi në drejtim të shërbimeve edhe në jetën civile.