1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mësimi i gjuhës dhe kulturës së tjetrit përmes lojës - Projekti "Mozaik" në Maqedoni

9 Tetor 2010

12 vjet rresht në disa kopshte për fëmijë në Maqedoni zbatohet projekti i quajtur “Mozaik”. Fëmijët e moshës 3 deri 6 vjeç në këto kopshte krijojnë një mozaik të vërtetë ndëretnik të mbushur plot me lojëra.

https://p.dw.com/p/Pa4n
Kopështi i fëmijëve "Mladost" në Tetovë, pjesë e projektit "Mozaik".
Kopështi i fëmijëve "Mladost" në Tetovë, pjesë e projektit "Mozaik".Fotografi: DW/Toevski

Pikërisht "Mozaik" është titulli i modelit të arsimit dhe edukimit modern multikulturor të fëmijëve parashkollorë në grupet etnikisht të përziera, edukimi i të cilëve bëhet në kombinim të disa gjuhëve: në gjuhën maqedonase, shqipe, turke dhe serbe. Organizata Joqeveritare “Në kërkim të bazës së përbashkët” nga Shkupi e realizon këtë projekt që nga shtatori i vitit 1998. Ai zbatohet në 13 kopshte, në gjithsej 9 komuna të Maqedonisë.

Drejtoresha e kësaj Organizate Vilma-Venkovska-Millçev tregon për rezultatet e arritura të këtij projekti:

"Me anë të përdorimit të të dy gjuhëve në grupet bilinguale ne promovojmë barazi në mes kulturave. Qëllimi kryesorë është, që të arrihet socializim i përbashkët dhe reciprok ndërmjet fëmijëve me prejardhje të ndryshme etnike, duke e zhvilluar vetëdijen e tolerancës së ndërsjellë midis tyre nga një moshë e re, duke nxitur njëherit ndjenjën e përkatësisë së njëri-tjetrit. Nëpërmjet të shoqërimit të përditshëm ata mësojnë tolerancën dhe respektimin etniteteve dhe kulturave të ndryshme. Grupet janë etnikisht të përziera - maqedon dhe shqiptarë. Në disa grupe edukimi bëhet në gjuhën serbe e turke. Në ato grupe janë të angazhuar nga dy edukatorë të trajnuar mirë, të cilët komunikojnë në dy gjuhë me fëmijët. "

Grupe etnikisht të përziera - fëmijë në kopështin "Mladost" në Tetovë.
Grupe etnikisht të përziera - fëmijë në kopështin "Mladost" në Tetovë.Fotografi: DW/Toevski


Për fëmijët nuk është e rëndësishme gjuha, por loja

Projekti "Mozaik” realizohet me mbështetjen financiare të Agjencionit për Bashkëpunim dhe Zhvillim nga Zvicra dhe Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar nga Suedia, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale të Maqedonisë.

Sahide Musliu, edukatore e gjuhës shqipe në një kopsht në institucionin e kombinuar "Mlladost" në Tetovë tregon se si zbatohet ky model i arsimimit në praktikë:

"Për fëmijët nuk ka rëndësi se në çfarë gjuhe flitet, me rënëdësi është që ata të kuptohen dhe të luajnë me njëri-tjetrin, pa marrë parasysh se cilit etnitet ata i takojnë: Maqedon, Romë apo Shqiptarë. Nëse kuptohen në lojë, ata luajnë së bashku pa marrë parasysh se çfarë gjuhe flasin. Kur ka nevojë, i'u përkthehet fëmijëve nga njëra gjuhë në tjetrën dhe anasjelltas."

Edukatorja në gjuhën maqedonase Maria Mitrevska e të njëjtit grup shton:

Marija Mitrevska, edukatore në kopështin e fëmijëve "Mladost".
Marija Mitrevska, edukatore në kopështin e fëmijëve "Mladost".Fotografi: DW/Toevski

"Fëmijët gjatë lojës nuk mund të vërejnë se cila edukatore është shqiptare dhe cila është maqedone, d.m.th. njëra fillon të flasë në gjuhën shqipe ndërsa tjetra ndërlidhet në gjuhën maqedonase, e gjithë kjo rrjedh nëpërmjet një lloj aktiviteti të lojës. Ne komunikojmë me prindër shqiptarë por edhe me ata maqedonas. Vetë ata shumë mirë e kanë pranuar projektin “Mozaik" i cili ndihmon edhe në komunikimin midis tyre".

Listë pritjeje për kopshtin e fëmijëve "Mozaik"

Trivjeçarja Marta tregon se në mesin e miqve të saj ka maqedonas edhe shqiptarë, me të cilët ajo luan kur është në kopsht."Unë luaj me Tamarën Radmillën dhe me Blendin", thotë Marta.

Xhevahire Sinani, edukatore e gjuhës shqipe në kopshtin e fëmijëve "Angell Shajçe” në Kumanovë, pjesë e projektit "Mozaik"që nga viti 1998, thekson:

"Fëmijët bëhen më tolerantë dhe mund të kuptohen nga shokët e tyre të cilët flasin gjuhë tjetër. Në sajë të këtij projekti tani në Kumanovë është shfaqur një interes më i madh i fëmijëve shqiptarë për kopshtet e fëmijëve. Dikur ata pothuajse aspak nuk ishin të përfshirë në këto institucione. "

Një varg kopshtesh në Maqedoni informojnë se një numër i madh prindërish zgjedhin që fëmijët e tyre të mos regjistrohen në grupet klasike, por në grupet bilinguale të "Mozaikut", për të cilat diku ka madje edhe listë pritjeje.

Projekti është në fazën përfundimtare të realizimit të tij, apo, ndoshta, para një fillimi të ri: në muajin korrik përfundon financimi nga donatorët ndërkombëtarë. Tanimë po analizohen mundësitë për institucionalizimin e tij, resepktivisht instalimin e përhershëm të tij në grupet parashkollore në sistemin arsimor në Maqedoni, si një model jo vetëm për arsimim, por edhe për të mësuar se si thyhen stereotipet negative dhe paragjykimet etnike në Maqedoni.

Autor: Sveto Toevski/Qeriman Bekteshi

Redaktoi: Eliana Xhani