Mësim dhe kujtesë! Nga ceremonia e hapjes së muzeut në Yad Vashem, në Izrael
16 Mars 2005Ishte himni kombëtar izraelit ai që hapi siparin e ceremonisë festive në Yad Vashem. Ai mban titullin "Hatikva", "Shpresa". Memoriali ne Jeruzalem u ngrit në 1957 dhe sot 48 vjet më pas, përjeton rilindjen e tij. Kuratorja e muzeumit, Jehudit Inbar shpjegon konceptin e muzeut të ri. "Ne ju japim viktimave një identitet të ri, ne i bëjmë ato të kenë fytyrë e zë."
Numri i të mbijetuarve të Holokaustit zvogëlohet gjithnjë e më shumë, pikërisht për këtë është mjaft e rëndësishme për të mbijetuarit në Jeruzalem, të shtjellojnë historinë nga perspektiva e viktimave, kjo përmes ndihmës së fotografive, veprave të artit dhe dëshmive të shkruara. Ky koncept i muzeumit u përkrah edhe nga kryeministri izraelit, Ariel Sharon. Pasi kaloi përmes muzeut dhe errësirës brenda mureve të tij, ai u shpreh:
"Unë e njoh atë ndjenjë të një hebreji, i cili del nga një thellësi e tillë dhe thith ajrin e Jeruzalemit. Ai ndjehet si në shtëpi, i mbrojtur, ai ndjen ndryshimin e tmerrshëm mes dikujt që jeton në atdheun e tij, në vendlindjen e tij, atë vend, që mund t'a mbrojë jetën e tij, dhe tjetrit që është i vetëm përballë njerëzve që janë kthyer në egërsira. Ai e di se shtetit i Izraelit, është i vetmi në botë, ku hebrejtë kanë të drejtën dhe fuqinë, të vetëmbrohen me forcat e tyre. Kjo është e vetmja garanci, që populli hebrej nuk do të përjetojë më kurrë holokaust. Kjo është përgjegjësia jonë përballë popullit hebrej."
Përvoja e holokaustit është për të gjithë botën me rëndësi të veçantë, u shpreh Kofi Anan. Ai e cilësoi si përgjegjësi të shenjtë, të OKB-së, luftën kundër intolerancës dhe urrejtjes, kundër antisemitizmit dhe racizmit:
"Kjo përgjegjësi na lidh me popullin izraelit dhe me shtetin e Izraelit, i cili ashtu si Kombet e Bashkuara u ngrit nga hiri i holokaustit. Dhe kjo na lidh me të gjithë ata popuj, që u kërcënuan nga i njëjti fat apo mund të kërcënohen."
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan shprehu shpresën e tij që muzeu i ri në Yad Vashem të shërbejë për të frymëzuar botën, të gjejë një rrugë më të mirë. Po kështu u shpreh edhe laureati çmimit Nobel për paqen, Eli Viesel: "Të dashurit e mi, ne nuk e tregojmë këtë histori t'i bëjnë njerëzit të qajnë shpejt. Ne nuk duam mëshirë. Kur vendosëm për të treguar këtë histori, këtë e bëmë, sepse dëshirojmë që bota të bëhet një botë më e mirë. Vetëm kaq. Një botë më e mirë: Të nxjerrim mësime, dhe të kujtojmë.