1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Myslimanët shqiptarë në Gjermani qytetarë të këtij vendi

Aida Cama12 Shkurt 2007

Në Gjermani jetojnë 3 milionë myslimanë, mes tyre dhe myslimanë shqiptarë, kryesisht nga Maqedonia, Kosova dhe pak nga Shqipëria. Të gjithë ata janë pjesë e shoqërisë gjermane.

https://p.dw.com/p/AsCn
Zulhajrat Fejzulahi, hoxhë shqiptar në Hamburg
Zulhajrat Fejzulahi, hoxhë shqiptar në HamburgFotografi: DW

A është Gjermania vetëm e feve kristiane? Jo, edhe myslimanët bëjnë pjesë në pamjen e Gjermanisë, megjithëse kjo nuk është e vetkuptueshme. Kështu nuk është e vetkuptueshme që një grua me shami në kokë, ose një arab me mjekër ta ndjejë veten, por edhe të shihet si pjesë e Gjermanisë.

Dr.Friedbert Pflüger, kryetar i fraksionit kriatiandemokrat në parlamentin e Berlinit, e ka të qartë se "islamizmi është pjesë e aktualitetit dhe të ardhmes së perëndimit".

11-12 milionë myslimanë jetojnë në Europë, 7,5 milionë prej tyre vetëm në Gjermani dhe në Francë. Dhe meqenëse nuk është e vetkuptueshme, që myslimanët të shihen si pjesë e shoqërive perëndimore problemi është kapur aktualisht nga politika, e cila është duke zhvilluar debate publike.

Një i tillë u organizua në fundjavë në Berlin me aktorë nga politika, shoqëria civile dhe kleri të cilët diskutuan për rrugët që duhen ndjekur që myslimanët ta ndjejnë veten, por edhe të pranohen si qytetarë të shoqërisë gjermane.

Të gjithë janë të të njëjtit mendim se ajo që kërkohet është një mënyrë e re të të menduarit si për myslimanët ashtu si për jomyslimanët. Diskutimet duhet të marrin impulse të reja. Ato kanë mbetur tek diskutimi për shaminë e kokës, prej të cilave lindën pyetjet a i përshtatet myslimanizmi Gjermanisë, çfarë fshihet pas shamive të kokës, çfarë ndodh brenda xhamive, a jeton dot Gjermania me myslimanët që ka mes vetes dhe se a janë të gatshëm myslimanët të zbatojnë ligjet e shtetit gjerman?

Zulhajrat Fejzulahi, imam shqiptar nga Hamburgu që merr pjesë në diskutim thotë: "Pas vitit 2001 flitet haptas se xhamitë kontrollohen, për të parë çfarë fshihet pas shamive, xka fshihet në xhami. Kjo është normale dhe ne e dimë këtë gjë. Por na asaj s'i përtojmë për shkak se na e dimë, e kemi shumë të qartë çka lyp feja, çka lyp ligji, dhe mes këtyre dy gjëra ne mundohemi me mënyrën më të mirë si të thuash të krijojmë rrugën tonë, dhe bazën e jetës sonë në këtë shoqëri."

Dihet se 1 shtatori nuk e ka bërë më të lehtë jetën e myslimanëve në Gjermani. Kështu Fejzulahi: "I vërejmë ndryshimet, por vijnë gjërat duke u shpjeguar më mirë. Në të vërtetë edhe shoqëria gjermane edhe ne ndodhemi në një situatë jo të qartë, të panjohur. Dhe na duhet të bëjmë diçka në këtë drejtim dhe shoqëria gjermane duhet të bëjë diçka që të mund ta zgjidhim këtë problem në formën më të mirë, që të mos vijmë deri tek diskriminimi ose deri tek gabimet. Edhe të huajt mund të bëjnë diçka gabim ndaj këtij shteti."

Fejzulahi drejton një nga 22 xhamitë e shqiptarëve në Gjermani, atë të Hamburgut me rreth 500 anëtarë aktivë. Anëtarët kryesorë vijnë nga Maqedonia, Kosova dhe pak Shqipëria. A bëjnë gjermanët dallim midis myslimanëve, a është njëri mysliman nga Irani, nga Afganistani, apo nga Ballkani? "Gjermania nuk besoj se bën dallim, por vetë myslimanët mund të krijojnjë disa tmosfera ndaj vetvetes, dhe na si shqiptarë kemi një emër të pranueshëm, një emër të mirë në shoqërinë gjermane. Nuk kemi krijuar probleme, sidomos në baza fetare."

Të tre këta aktorë mendojnë se rrugët e afrimit midis shumicës jomyslimane të shoqërisë dhe pakicës myslimane kalojnë: Zulhajrat Fejzulahi mendon se "Integrimi është abstrakt në realitet, një fjalë abstrakte. Ne, të dy palët duhet të punojmë që të kemi një rezultat konkret në këtë drejtim. Dhe kjo dera e dialogut nuk guxon të mbyllet." Dr.Friedbert Pflüger, kërkon që gjermanët që ndodhen prej shekujsh këtu me familjet e tyre të largohen nga mendësia e përkatësisë shtetërore në bazë të etnisë dhe të mos vendosin nën dyshim të gjithë myslimanët sa herë ndodhin sulme terroriste. Mariluise Beck dëshiron që Gjermania t'i afrohet mendimit republikan të kombit, me te drejta të barabarta për të gjithë qytetarët.