1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

my space 03 - Shqipëria në muajin e fotografisë në Berlin

Aida Cama7 Nëntor 2008

Në kuadër të muajit të fotografisë është hapur në Berlin ekspozita "my space 03" me punimet fotografike të 12 artistëve shqiptarë. Fotografia në Shqipëri, nuk shihet si art, dhe tregu i artit nuk e përkrah ende atë.

https://p.dw.com/p/Foox
my space- Berlin - tetor 2008
my space- Berlin - tetor 2008Fotografi: DW/Aida Cama

Nikolini nxjerr nga xhepi i pantallonave një USB për të treguar punimet e tij. Artisti nga Shkodra ndodhet në Berlin, së bashku me artistë të tjerë nga Shqipëria. Të gjithë ata janë nxënës të profesor Edi Hilës. Artistët kanë ardhur për të ndjekur hapjen në Haus am Lützowplatz të ekspozitës "my space 03" . "my space 03" ka bërë bashkë punimet fotografike të 12 artistëve nga Shqipëria dhe 4 nga Gjermania, të zgjedhura nën temën "space- hapësirë".

Nikolini tregon tre fotografitë e tij, pjesë e "my space 03". Ato tregojnë mish, mish kafshe të therur, të futur në hell dhe bërë gati për tu pjekur. Në hell janë futur dhe dy koka kafshësh. Goja e shqyer e kafshëve, të bëra kurban për të inaguruar ngritjen e një shtëpie të re, duket sikur tregon babëzinë për zënie "space", hapësire në Shqipërinë aktuale.

Dy kuratoret e "my space 03", Julie August dhe Adelja Demetja janë i kanë zgjedhur këto fotografi. Kombinimi i tyre ka bërë të mundur projektin artistik "my space" i cili ka patur stacione në Tiranë dhe në Berlin. Nga Silva Agostini, ato kanë marrë punimin "varnish & certain/ the wet setting" që merret me bumin e ndërtimeve, bum që i ka dhënë fund fantazisë në favor të mundësive të banimit. Nga Ardi Mulla kanë marrë atë që tregon një të moshuar pa familje, që jeton duke mbledhur plehra. Shpëtim Kërçova ka sjellë "linja", seri fotografish të njerëzve që flenë në parqet e Tiranës dhe kthejnë hapësirën publike në private. "Hapësira pa kufi" e Heldi Pemës ka shoqëruar të gjitha njoftimet e shtypit për këtë ekspozitë në Berlin. Fotografia paraqet artistin pranë një pikture të periudhës së Rilindjes.

"my space 03" u hap nga Matthias Harder. Gjatë hapjes ai tregon librat që ka marrë me vete. Ndër to edhe një libër "guide" Shqipërie, që ai e ngre përpjetë për t`ja treguar publikut si ftesë për të shkuar në Shqipëri. Ai tashmë e ka këtë meritë, sepse e ka vizituar këtë vend, emri i të cilit i thotë shumë pak shumë gjermanëve. Dhe kur ata janë konsumues arti, aq më tepër. Skena e artit njeh këtu shqiptarin e vetëm artist, Anri Salën. Aty fillon dhe mbaron Shqipëria artistike për Berlinin.

"my space" sjell artistë të tjerë shqiptarë, të cilët nuk mund të përfaqësohen krejtësisht. I sigurt se me punimin e tij "pa titull" nuk i ka prezantuar aftësitë e tij artistike, Nikolini tregon se merret kryesisht, me video që dokumentojnë "ndërhyrje në urbanistikën shqiptare". Me një video artistike, Nikolini tregon si reagojnë qytetarët e Tiranës, kur ai u vendos në stacionet e autobusëve një hartë që tregon linjat e autobusit të qytetit. Të pa mësuar me këtë informacion, njerëzit irritohen nga vendosja e një rregulli, në kaosin e qarkullimit.

my space- Berlin - tetor 2008
my space- Berlin - tetor 2008Fotografi: DW/Aida Cama

Fotografia dhe instalacionet me video, janë ende mediume të reja artistike në Shqipëri. Ato nuk përkrahen nga skena e artit. "Në Shqipëri ekziston një treg blerës për kryesisht i pikturës, pikturës së kavaletit, jo për alternativën siç është fotografia, videot. Për to nuk ka ende treg në Shqipëri. Arti shpesh tek ne shihet i lidhur më shumë me procesin bojë, penel dore, virtuozitet, teknika të tilla," thotë Valentina Koçi që prej një viti drejton Galerinë "Zeta" në Tiranë. Ajo prezantoi aty katër artistët gjermanë të projektit "my space", Beatrice Mindan me "vëzhgim i brendshëm", fotografi që tregojnë dhoma gjumi ose dhoma ndënjieje, Andreas Göxin dhe Hannes Wanderer me serinë e fotografive të lokaleve të ish dyqaneve të mbyllura në Berlin dhe Robert Karlin, me fotografitë 180 gradë.

Që fotografia nuk ka arritur të mbushë potencialin që ka në Shqipëri, duket edhe nga punimet e artistëve shqiptarë. Vlerat e shumë prej fotografive të artistëve shqiptarë janë më shumë dokumentareske, sesa artistike. Pjesa më e madhe nuk kanë aparate fotografike me cilësinë që kërkohet. "Prurja e artistëve shqiptarë, mentaliteti, ajo çfarë përmban vepra është krejt tjetër. Shqiptarët sjellin një kulturë të vetën. Domethënë, prezantohesh me atë çfarë ti ke tënden, origjinale si prurje, " thotë Koçi e cila është edhe vetë piktore.

Kristine Daum e cila ka bërë një film për 3 sat mbi artin në Shqipëri, mendon se: "Pas 20 vjet postkomunizmi duket sikur ky vend po i kthehet izolimit, në vend që të dalë prej tij. Artistët e kanë jashtë vendit më lehtë se brenda vendit."

Valentina Koçi
Valentina KoçiFotografi: DW

Nikolini tregon edhe një video tjetër të tij. Në të ai sheh se si ndryshon me një ndërhyrje të vogël mënyra e sjelljes së njerëzve. Një trotuar në Tiranë, është i mbushur me makina të parkuara. Njerëzit kalojnë në rrugën e makinave. Nikolin Bujari vendos një tabelë për ndalimin e parkimit, dhe xhiron efektin. Ngadalë trotuari zbrazet nga makinat dhe kthehet sërish në vend ku kalojnë këmbësorët.

Artistët në Shqipëri janë shumë të prekur nga problemet sociale, ndaj edhe në vepra sundohen prej tyre. Valentina Koçi, mendon se në Shqipëri mungojnë strukturat që ndihmojnë artistët. Firmat e mëdha që përkrahin artin, janë më shumë të interesuara për aktivitete të mëdha, festivale ose show, dhe lënë pas dore përkrahjet e vogla edhe për llojet e tjera të artit.