1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Muzika dhe letërsia ndikohen shumë nga gjendja shpirtërore

5 Mars 2009

Shkrimtari nga Polonia Artur Becker shkruan për vendlindjen e tij të dikurshme, Mazuret, në gjermanisht. Për veprat e tija, ai u nderua me çmimin Adelbert-von-Chamisso.

https://p.dw.com/p/H6EM
Sapo erdhi në Gjermani Artur Becker u detyrua të vendoste: polonisht apo gjermanisht? vendim ky shumë i dhimbshëm, sepse i duhej të ndahej nga letërsia polake
Sapo erdhi në Gjermani Artur Becker u detyrua të vendoste: polonisht apo gjermanisht? vendim ky shumë i dhimbshëm, sepse i duhej të ndahej nga letërsia polakeFotografi: picture-alliance/dpa

Kur Artur Becker shkruan, mendon më së shumti për dy gjëra: vendlindjen e tij të dikurshme dhe muzikën. Në shtëpinë e tij në qytetin Verden, afër Bremenit, ku jeton prej 23 vjetësh, ai ka mbledhur shumë libra. Në Gjermani ka ardhur në moshën 16-vjeçare, me shumë pak plaçka. Por me vete kishte pllakat e muzikës.

"Muzika dhe letërsia ndikohen shumë nga disponimi shpirtëror. Kur flasim për rolin e muzikës në librat dhe jetën time, më duhet të them se kam nevojë për një sfond tjetër dhe jo vetëm për një letër të bardhë. Për librat që shkruaj kërkoj një muzikë speciale e cila më ndihmon të kem një disponim të veçantë, për të cilin kam nevojë."

Pa idilizëm për pafundësinë e pejzazheve

Kompozimi i Keith Jarrett-it "Sun Bear Concerts", që luan një rol qendror në letrat e Artur Beckerit, të sjell në mend lojën me ujë, rrugët e pafundme dhe luadhet me lule. Autori nuk shkruan me gjuhën e idilizmit, por për pafundësinë e pejzazheve.

Artur Becker është një njeri i fuqishëm. 40-vjeçari ka një ballë të lartë dhe flokë pak të thinjura.

"Ajo që më ka mahnitur në fëmijërinë time është dyanshmëria e natyrës: në njërën anë njohuria se natyra nuk sjell vetëm gjëra të mira, por edhe të këqija, dhe në anën tjetër bukuritë e paimagjinueshme natyrore. Shpresoj se natyra do t'i ruajë gjithmonë këto veçori, që varet edhe nga koha, e cila i ruan peizazhet."

Jetë mes dy kulturave

Të paktën dy herë në vit ai shkon me bashkëshorten e tij, Magdalenën dhe Filipin 14-vjeçar në vendlindjen e tij të dikurshme në Mazure, për të vizituar miqtë e vjetër. Pjesa më të madhe të familjes ai e ka në Gjermani. Prindërit e tij u arratisën prej shtetit socialist polak, ndërsa më vonë erdhi edhe Arturi.

"Në Gjermani kam ardhur me një vetëdije të lartë, sepse në kokë nuk kam pasur asgjë tjetër, veç shokëve, alkoholit, cigareve, seksit dhe leximit të librave, kryesisht poezisë."

Polonisht apo gjermanisht?

Por menjëherë u detyrua të vendoste: polonisht apo gjermanisht? Nga gjyshja kishte mësuar ca fjalë gjermanisht, por në fakt ai e filloi nga zeroja.

"Ky vendim ishte shumë i dhimbshëm, sepse e dija se duhet të ndahesha nga letërsia polake dhe zonja polake."

Gjuha gjermane po, e vendi? Gjermania nuk gjen pothuajse aspak vend në librat e tij. Arturi thotë se edhe kjo do të ndryshojë, sepse deri tani ka shkruar vetëm për Poloninë dhe Mazuret. Në romanin aktual „Wodka und Messer", personazhi kryesor është një polak që jeton në Gjermani. Gjatë vizitës në vendlindje, ai vëren ndryshimet e mëdha dhe gjërat që i mungojnë. Për veprat e tija, ai u nderua me çmimin Adelbert-von-Chamisso, i cili u jepet shkrimtarëve me prejardhje të huaj, që shkruajnë në gjermanisht.

Por Artur Becker nuk shkruan vetëm për mëdyshjet e shumë emigrantëve. Ai kompozon edhe muzikë, së bashku me grupin „Les Rabiates".

Privatisht me të shoqen Magdalenën ai flet polonisht. Në shtëpi e ndjen veten si polak. Po si e ndjen veten si autor në Gjermani? Me siguri jo si autor gjermano-polak, por siç thotë: Autor polak që boton në gjuhën gjermane. Shumë gjermanë e kanë të vështirë ta kuptojnë këtë përcaktim, thotë Arturi duke konkluduar, kjo nuk mund të ndryshohet.

Autor: Vladimir Balzer/ Bahri Cani
Redaktoi: Pandeli Pani