Muxhahedinët iranianë në Shqipëri
11 Mars 2016Farzin Bahadur Goudarzi më hap derën e lartë metalike të një godine katër katëshe, të rrethuar me shufra të trasha hekuri dhe pisha dekorative. Eshtë një burrë mbi të 50-at, me syze, dhe pamje intelektuali, që flet një anglishte të mirë. Pasi mbyll me kujdes derën e jashtme të godinës, që ndodhet diku në zonën e Kasharit, gjatë autostradës Tiranë - Durrës, më prin drejt një dhome të vogël, në oborr. Është një dhomë ultra minimaliste: një laptop mbi një tavolinë të vogël plastike, një ngrohëse elektrike dhe fotot bardh e zi të varura në mur të udhëheqësve të muxhahedinëve iranianë në mërgim: bashkëshortët Massuid dhe Maryan Rajavi. Të ulur në karrike janë nja 7- 8 burra, shumica të rinj, që ngrihen në këmbë, më përshëndesin me kokë dhe dalin menjëhere njëri pas tjetrit. Një burrë i moshuar, mbi të 60-at me mjekër dhe syze hyn dhe ofron kafe. "Mikpritja iraniane" thotë anglisht, me një buzëqeshje të përmbajtur. Farzin Bahadur Gourdazi është lideri i komunitetit të muxhahedinëve iranianë, që banon në këtë godinë, i caktuar të komunikojë me mediat. Ai tregon se ka mbërritur në Shqipëri para katër muajsh nga ish-baza ushtarake amerikane, Liberty, në Irak, bashkë me një grup prej 20 muxhahedinësh të tjerë.
"Që prej 20 vitesh, jeta ime ka kaluar në kampet Ashraf dhe Liberty në Irak. Në fakt jam një i mbijetuar nga sulmet me raketa të qeverisë iraniane në të dyja kampet. Ndër më të përgjakshmet në kampin Liberty, atë të shkurtit 2013 dhe tetorit 2015, u vranë 76 vetë dhe u plagosën shumë të tjerë. Në kampin Liberty ndodhen tani vëllai dhe motra ime, qindra bashkëluftëtarë të tjerë, që kanë jetën në rrezik", thotë për DW Farzin Bahadur Goudarzi. Ai pranon që është një nga krerët e Organizatës Popullore të Muxhahedinëve në mërgim, në opozitë me qeverinë e Iranit dhe që emri me të cilin prezantohet është pseudonimi i tij.
Pranimi i muxhahedinëve obligim i Shqipërisë si anëtare e NATO-s
Emri i vërtetë ndodhet ndofta në zyrat e Qendrës Kombëtare Pritëse të Azilkërkuesve, në periferi të Tiranës, që varet nga Ministria e Brendshme. Në këtë qëndër ai u regjistrua, mori dokumentat ligjore dhe leje-qëndrimin në Shqipëri si azilant politik. Qendra nuk është e autorizuar nga Ministria e Brendshme të japë të dhëna për numrin e muxhahedinëve, që ka pritur dhe përcjellë që nga viti 2013 kur erdhi kontigjenti i tyre i parë. Një punonjëse e administrates më thotë, që nuk është e lejuar të takoj dhe bisedoj në territorin e Qendrës me asnjë nga azilkërkuesit e strehuar atje, duke përfshirë edhe muxhahedinët. Një kamera regjistron këdo që hyn dhe del nga porta e hekurt që hapet dhe mbyllet nga brenda. Ardhja për here të parë këtu e muxhahedinëve ndodhi pas marrveshjes që ish-kryeministri Sali Berisha nënshkroi me SHBA për pranimin e tyre në Shqipëri, pasi qeveria amerikane e hoqi në 2012 organizatën e muxhahedinëve nga lista e organizatave terroriste. Muxhahedinët u morën nën mbrojtjen e SHBA pas ndërhyrjes së tyre të armatosur në Irak në vitin 2003 dhe mbështetjes që ata u dhanë operacioneve ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme dhe luftën kundër terrorizmit. Rotacioni i pushtetit nga qeveria e PD-së drejtuar nga Berisha tek PS nën kryeministrin Edi Rama nuk e ndryshoi marrëveshjen e arritur më 2013 për pranimin e muxhahedinëve në Shqipëri. Ministria e Brendshme tha për DW, se pranimi i tyre i shërben paqes dhe stabilitetit në rajon. "Shqipëria është angazhuar si vend anëtar i NATO-s, dhe si vend aspirant për anëtar i BE-së, që të marrë të gjitha masat dhe të angazhohet maksimalisht për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, krah për krah vendeve partnere", theksohet në qendrimin zyrtar të Ministrisë së Brendshme.
Mes shpresës dhe frikës për jetën
Farzin Bahadur Goudarzi nuk dëshiron të fotografohet as ai, as dhoma ku po bisedojmë, as godina ku ai banon me shokët e tij. Ai i trembet se mos zbulohet nga shërbimet sekrete të Iranit.
"Nëse shërbimet sekrete të Iranit zbulojnë që jam në Shqipëri, kjo vë në rrezik jetën e të afërmëve dhe shokëve të mi, që janë ende në kampet Ashraf dhe Liberty në Irak por edhe jetën time. Jam mirënjohës për mikpritjen në Shqipëri, jemi nën kujdesin e shtetit shqiptar por dora e shërbimeve sekrete iraniane mund të arrijë edhe këtu. Organizata jonë, e themeluar në vitin 1965, ka shpresë të madhe që regjimi i Iranit do të përmbyset një ditë. Ky do jetë një zhvillim pozitiv për gjithë Lindjen e Mesme, pasi Irani eksporton terroristë kudo në botë", thotë ai.
Sa reale është frika e tij nga shërbimet sekrete iraniane? Tre vjet pas ardhjes së muxhahedinëve në Shqipëri nuk është raportuar ndonjë akt subversiv ndaj tyre. Sipas Komisariatit të Lartë të Kombëve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) dhe gazetës Washington Post, (14 shkurt 2016) deri tani në Shqipëri jetojnë 700 muxhahedinë që pritet të shtohen nga të tjerë gjatë këtij viti. Artan Hoxha, gazetar i mirënjohur investigues në Tiranë, thotë për DW se nisur nga kapacitetet e pamjaftueshme logjistike të policisë dhe strukturave të Antiterrorizmit në Shqipëri, frika e Farzin Bahadur Goudarzi nuk është pa baza.
"Irani i konsideron muxhahedinët terroristë, armiq potencialë të regjimit që kërkojnë ta rrëzojnë atë. Nuk përjashtohet mundësia që ata të jenë objekt i akteve subversive nga shërbimet sekrete iraniane. Shërbimet tona të antiterrorizmit janë njoftuar vitin e kaluar nga shërbimet sekrete të vendeve partnere që në Shqipëri kishin hyrë dy gra, të njohura si ekzekutore për të ekzekuruar drejtues të grupit të muxhahedinëve, që strehohen në Shqipëri. Misioni i tyre u dekonspirua dhe ato dolën nga territori shqiptar, pasi policia rriti shumë kontrollet. Për garantimin e jetës së muxhahedinëve në Shqipëri përveç vëmendjes së shtetit shqiptar hyn në lojë bashkëpunimi me vendet partnere të NATO-s kryesisht SHBA-në", thotë Artan Hoxha.
"Muxhahedinët e strehuar në Shqipëri asnjë rrezik për popullsinë"
Farzin Bahadur Goudarzi thotë se ndihet mirë dhe jeton në një mjedis mikpritës dhe mbështetës. Banorët vendas të zonës periferike ku ai banon përpiqen ta ndihmojnë komunitetin e muxhahedineve në gjërat e jetës së përditshme. "Tani për tani nuk kemi asnjë plan të largohemi nga Shqipëria. Respektojmë rregullat, lajmërojmë policinë nëse ndryshojmë banesë apo lëvizim në një destinacion tjetër", thotë ai.
Sesa do të jetë numri i muxhahedinëve që do të vijnë gjatë këtij viti në Shqipëri për t'iu bashkuar Bahadur Goudarzi-t e grupit të tij? Mediat ndërkombëtare mes tyre edhe VOA raportojnë për 2000 syresh. Por Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri, tha të enjten (10.03.2016) në Parlament, se "është e pavërtetë që qeveria ka marrë vendim për strehimin e 3000 muxhahedinëve, kjo është një marrëdhënie e nisur që nga koha e qeverisë së kaluar". Por pavarësisht nëse numri aktual prej 700 vetësh i muxhahedinëve që janë tani në Shqipëri do të dyfishohet apo trefishohet si edhe faktit që jetesa e tyre financohet nga qeveria e SHBA-së, BE dhe UNHCR, çështja që ngrihet është nëse ky numër ka gjasa të krijojë probleme për shtetasit shqiptarë. "Jo, nuk ka gjasa apo ndonjë rrezik. Ata shikojnë punën e tyre, pas marrjes se lejeve të qëndrimit shumica ikin nga Qendra Kombëtare e Pritjes për Azilkërkuesit dhe marrin banesa me qira, disa fillojnë punë", thotë Artan Hoxha.
Megjithatë qeveria garanton sigurinë e shtetasve shqiptarë. Në deklaratën zyrtare të Ministrisë së Brendshme për DW theksohet se: "Qeveria jonë nuk ka marrë dhe nuk do të marrë asnjë hap që do të cenojë sadopak sigurinë e secilit shtetas shqiptar me banim brenda apo jashtë Shqipërisë."