1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Ligj dhe drejtësiGjermani

35 vjet pas Rënies së Murit: Drejtësi pas gjysmë shekulli

9 Nëntor 2024

Historia prekëse e polakut 38-vjeçar: Një vrasje tinzare dhe një drejtësi që vonon, por nuk harron.

https://p.dw.com/p/4jHT0
Një memorial për ata që vdiqën duke u përpjekur të kalonin Murin e Berlinit në Bernauerstrasse të Berlinit. Shihen fytyrat e tre personave, personi në qendër është Czeslaw Kukuczka
Kukuczka (në qendër të imazhit) ka qenë gjithmonë një nga viktimat më të dukshme të Murit të Berlinit në monumente si ky në Bernauerstrasse në kryeqytetin gjerman.Fotografi: Monika Stefanek/DW

Më 29 mars 1974, 38-vjeçari polak Czeslaw Kukuczka u qëllua në shpinë në mes të ditës në pikëkalimin kufitar në stacionin e trenit Friedrichstrasse të Berlinit, mes Gjermanisë Lindore komuniste dhe Gjermanisë Perëndimore demokratike. Ishte një nga vrasjet më famëkeqe në zonën e Murit të Berlinit gjatë Luftës së Ftohtë

Kukuczka, i cili njihet si viktima me numrin 114, ndër mbi 140 viktimat e Murit të Berlinit, po përpiqej të arratisej në Perëndim, sepse kishte të afërm në SHBA. Ai kishte shkuar në ambasadën e Polonisë në Berlinin Lindor dhe kishte kërcënuar se do të aktivizonte eksploziv, nëse nuk i jepej kalimi i sigurt. Më vonë u zbulua se çanta e tij nuk përmbante asnjë bombë. 

Kurthi i STASI-t

Shërbimi i Sigurimit të Shtetit i Gjermanisë Lindore (Stasi) ia përgatiti dokumentet e udhëtimit. Mungonte vetëm një fotografi për pasaportën. Czesław Kukuczka-s iu sigurua se fotografia mund të bëhej brenda dy minutash në automat pranë pikëkalimit kufitar. "Kjo shërbente për të qetësuar të dyshuarin," siç thuhet në një raport të mëvonshëm të Stasit dhe të Prokurorisë së Përgjithshme të RDGJ-së. Kukuczka kaloi pa probleme dy nga tre pikat e kontrollit. Por, kur po kalonte nëpër pikën e fundit, ra e shtëna vdekjeprurëse.

Si u zbulua identiteti i vrasësit?

Në fillim të viteve 1990, pas rënies së Gjermanisë Lindore, Prokuroria e Berlinit e rihapi rastin për shkak të akuzave për krime të ndodhura në Murin e Berlinit. Megjithatë, mungesa e dokumenteve dhe faktet e fshehura nga Stasi bënë që hetimet të ndërpriteshin sërish.

Në vitin 1999, përpjekjet për të zgjidhur rastin rifilluan, kur një ekip hetuesish zbuloi një raport obduksioni që përshkruante një plagë të rëndë të shkaktuar nga një plumb pas shpine.

Tränenpalast në Berlin, ish-kalimi kufitar midis Berlinit Lindor dhe Perëndimor, pamje nga fasada ballore, një ndërtesë plot xhama
Pallati i Loteve, ish-pika e kalimit kufitar midis RDGJ dhe RFGJFotografi: Monika Stefanek/DW

Edhe pse vetë vrasja ishte e dokumentuar mirë në të dy anët e Murit të Berlinit në atë kohë, informacioni për vrasësin mungonte. 

Një grup vajzash gjermanoperëndimore që vizitonin Berlinin për një ekskursion, e kishin parë vrasjen dhe e kishin përshkruar vrasësin si një burrë, të veshur me një pardesy të gjatë dhe syze të errëta. Por përshkrimi nuk mjaftonte për të identifikuar vrasësin. 

Vetëm në vitin 2016, Arkivi i Dokumenteve të Stasi-t ofroi një të dhënë vendimtare për identitetin e mundshëm të qitësit: Një urdhër i nënshkruar nga ministri i atëhershëm i Sigurimit të Shtetit, Erich Mielke, përmendte dymbëdhjetë punonjës të Stasit, të cilët duhej të dekoroheshin në lidhje me vrasjen. Sipas dokumentit, i pandehuri ishte dekoruar nga Stasi me "Urdhrin e Luftës në Bronz."

Hetime vetëm nën trysninë e Polonisë

Në fillim, hetuesit mendonin se ishte vrasje pa paramendim që konsiderohej e parashkruar dhe, si e tillë, nuk mund të dënohej. Çështja u shoqërua me dyshime, nëse i pandehuri mund të gjykohet ende 50 vjet pas ngjarjeve.

Vetëm ekuivalenti ligjor gjerman me SHBA i vrasjes së shkallës së parë nuk parashikon parashkrim dhe mund të ketë gjithmonë një dënim me burgim të përjetshëm, i cili zakonisht është jo më pak se 15 vjet burg.

I pandehuri është në këmbë dhe kam mbuluar fytyrën me një dosje
Salla e gjyqit ne procesin gjyqesor kunder StasitFotografi: DW

Për ta vërtetuar këtë, prokuroria do të duhet të provonte jo vetëm se i pandehuri e kishte vrarë Kukuczkën, por edhe se vrasja ishte "heimtückisch" në gjermanisht. Kjo fjalë mund të përkthehet si "tinzare", "e pabesë" ose "dashakeqe", ose përafërsisht si "vrasje gjakftohtë". Formulimi i këtij ligji, i cili daton që nga epoka naziste, është në vetvete i diskutueshëm në Gjermani. Prokurorët kanë argumentuar se faktorë të tillë si natyra e vrasjes, me burrin e dyshuar si të mashtruar dhe të qëlluar më pas pas shpine, e plotësojnë këtë përkufizim.

Në vitin 2023, Prokuroria e Berlinit më në fund vendosi të ngrinte akuzën, e detyruar nga një urdhër-arrest evropian të lëshuar nga autoritetet polake kundër të akuzuarit dhe kërkesave të vazhdueshme nga ana e Polonisë për ekstradimin e të dyshuarit. 

Drejtësi e vonuar për Kukuczkën

Më 14 tetor 2024, Gjykata e Landit të Berlinit e dënoi ish-oficerin e Stasit me dhjetë vjet burg për vrasjen e Czesław Kukuczka-s në vitin 1974. Lidhur me masën e dënimit, gjykata shpjegoi se dënimi me dhjetë vjet ishte përcaktuar sipas Kodit Penal të RDGJ-së, që ishte në fuqi në atë kohë, pasi ky ligj konsiderohet si më i butë. Ligji aktual parashikon dënimin me burgim të përjetshëm për vrasje.

Kryetari i trupit gjykues, Bernd Miczajka, deklaroi: "Nuk ishte një akt individual për arsye personale, por i planifikuar nga Stasi dhe i ekzekutuar pa mëshirë."  Familjarët e viktimës, një vajzë, dy djem dhe një motër, morën pjesë në gjyq si paditës anësorë.

Gjyqi ishte i veçantë për rëndësinë historike të tij dhe për faktin se përfaqësonte dënimin e parë për një ish-punonjës të Stasit për një vrasje të ndodhur gjatë Luftës së Ftohtë në pikëkalimin e Murit të Berlinit. Procesi u regjistrua për shkak të rëndësisë së tij historike.


(Artikulli është përditësuar)