1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mungesa e qasjes te uji i pijshëm dhe mbeturinat rëndojnë jetën e kosovarëve

27 Korrik 2009

Sipas Qendrës Rajonale të Mjedisit(REC)për Evropën Qendrore dhe Juglindore - Zyra në Prishtinë, vetëm 60 përqind e popullatës në Kosovë kanë qasje në ujin e pijshëm.

https://p.dw.com/p/IyJ8
Nga mbledhja e mbeturinave jetojnë shumë vetë në Kosovë. Në foto: një rom nga Kosova
Nga mbledhja e mbeturinave jetojnë shumë vetë në Kosovë.Fotografi: DW/ Beqiraj

Kontenierët dhe deponitë e mbeturinave për shumë familje kosovare janë shndërruar në burim ekzistence

„Jetoj nga mbeturinat!“

Ky është njëri ndër realitetet e shtetit të ri të Kosovës, në të cilin papunësia e varfëria janë përherë në rritje. Ndërsa, përgjigje si të Sulejman Sefës nga Gjakova, hasim në çdo rajon të Kosovës.

“Pa punë, pa kurrgja hiç!...S´kemi!...Jetojmë me mbeturina!”

Krahas KEK-ut dhe minierës së Trepçës, problem tjetër i ndotjes së ambjentit ishte importi nga jashtë

Dhe, një mjedis i ndotur jo vetëm e prish imazhin e Kosovës, por është një problem jetik, i cili kërcënon në vazhdimësi shëndetin e popullatës, thotë Zeqir Veselaj, drejtor i Qendrës Rajonale të Mjedisit për Evropën Qendrore dhe Juglindore, Zyra në Prishtinë. Sipas tij, krahas Korporatës Energjetike të Kosovës dhe minierës së Trepçës, si ndotëse të trashëguara nga e kaluara, problem tjetër ishte importi nga jashtë:

"Jemi dëshmitarë se pas luftës patëm një “Bum” të makinave të sjella nga perëndimi, shumica absolute e të cilave ishin të vjetra, ishin me naftë, që prodhonin ndotje ekstra. Kur i shtohet kësaj edhe cilësia shumë e dobët e rrugëve, atëherë pas KEK-ut, sektori i transportit është shndërruar në numrin 2 të ndotjes në Kosovë."

Mbrojtja e mjedisit nuk ka qënë prioritet i qeverive

Ndërsa, në asnjërën prej qeverive të deritashme, qoftë lokale apo qendrore, mbrojtja e mjedisit nuk ka qënë prioritet, thotë z.Veselaj.

„Në bazë të informatave që kam, buxheti i Ministrisë së Mjedisit është tre milionë euro. Tash, llogaritni çka mund të bëhet me tre milionë euro, në një shtet në të cilin vetëm 60 për qind e popullatës kanë qasje në ujë të pijshëm, ku vetëm rreth 50 për qind e popullatës kanë qasje në sistem të mbeturinave dhe ku nuk ka asnjë impiant për trajtim të ujërave të zeza, përvec njërit në Skënderaj, i cili ende s´ka hyrë në funksion. E kuptoj se janë shumë probleme para mjedisit. Por, do të vijë koha që të tjerët të na imponojnë që ajo të ngrihet në prioritet.“

Riciklimi i mbeturinave ushqen shumë familje

Nga ana tjetër, nga riciklimi i këtyre mbeturinave jetojnë shumë familje në Kosovë:

„Mbeturinat janë duke u ricikluar edhe pa impiante. Po t´iu hysh kontenierëve tanë, nuk gjen kanaçe alumini, se po i riciklojnë vetë qytetarët, po i marrin dhe po i shesin. Do të thotë, eksporti më i madh i Kosovës sot llogaritet të jenë mbeturinat e metalit, që shkojnë në Maqedoni.“

Dhe të tillë ka shumë. Kapllan Hyseni, përfaqësues i një lagjeje rome, dëshmon për këtë realitet:

“Dalin shpurdhin nëpër mbeturina, mbledhin llastra, letra, qese plastike: mund të të them lirisht se, po të hysh në çdo shtëpi e gjen plot oborrin me gjithfarë sendesh, prej të cilave e sigurojnë ekzistencën.”

Po, çdo të bëhet në të ardhmen?

„Duhet të fillojmë ta trajtojmë Kosovën si shtëpinë tonë. Vetëm atëherë situata do të përmirësohet”, sugjeron drejtori i Qendrës Rajonale të Mjedisit(REC), Zeqir Veselaj.

Ndërsa, kjo mund të arrihet me formimin e kësaj shprehie tek gjeneratat e reja, mendon qytetari Curr Mezrekaj nga Dranoci, sipas të cilit “në vend që të pastrojmë oborrin dhe ta hedhim bërllokun te dera, duhet që nga shkollat të krijohet një disipilinë për ruajtjen e ambientit.“


Autor: Ajete Beqiraj/ Pejë

Redaktoi: Auron Dodi