1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

MPJ gjerman Steinmeier vazhdon përpjekjet për ndërmjetësim në Lindjen e Mesme

9 Gusht 2006

Pas takimit me kryeministrin izraelit Ehud Olmert, Steinmeier deklaroi se, pas lëvizjeve të orëve të fundit besoj edhe më tepër se gjatë kësaj jave do të arrijmë në një përfundim

https://p.dw.com/p/Aqc1
Fotografi: AP
Pas vizitës së tij në Liban dhe bisedave në Bejrut, Ministri gjerman i Punëve të Jashtme Frank Walter-Steinmeier zhvilloi sot bisedime me përfaqësuesit izraelitë. Ata i shpjeguan MPJ gjerman qëndrimin e palës izraelite në lidhje me rezolutën që planifikon të miratojë OKB-ja për Libanin. Pas takimit me kryeministrin izraelit Ehud Olmert, Steimeier deklaroi: "Pas lëvizjeve të orëve të fundit besoj edhe më tepër se gjatë kësaj jave do të arrijmë në një përfundim dhe shpresoj se ky vendim i Këshillit të Sigurimit do të jetë bazë për armëpushimin." Kryeministri izraelit Ehud Olmert i relativizoi disi këto fjalë duke deklaruar: "Besoj se do të ishte me e drejtë që të themi se ne kemi filluar me këtë gjë. Propozimet duken interesante dhe do t'i shqyrtojmë ato nga nga afër." Qeveria gjermane deri tani i është shmangur një kritike të drejtpërdrejtë të mënyrës se si po vepron Izraeli në Liban duke theksuar se shteti izraelit ka të drejtë të vetëmbrohet. Ministri gjerman i Punëve të Jashtme dhe bashkësia ndërkombëtare po përpiqen të ndërmjetësojnë mes palëve ndërluftuese, sepse sikurse është shprehur gjithmonë Steinmeier: "zgjidhja që kërkon rezoluta mund të funksionojë vetëm në rast se pranohet prej rajonit. Për këtë ne po përpiqemi që si pala libaneze edhe ajo izraelite të jenë dakord dhe për këtë unë po përpiqem edhe personalisht përmes bisedimeve këtu." Këto përpjekje nuk duket se janë tepër të sukseshme. Ministri izraelit i mbrojtjes, Amir Perez deklaroi se Izraeli do ta përforcojë ofensivën kundër milicëve hizbollah dhe se Izraeli nuk do të miratojë asnjë lloj zgjidhjeje, "e cila nuk premton për shumë vjet stabilitet dhe qetësi në rajon".