1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mozaiku i atentateve ende i paplotë

AUD (afp,Spi)22 Mars 2016

Identifikohen bashkëpunëtorë të tjerë të atentatorëve të Parisit. Po ende ka shumë punë për sqarimin e plotë.

https://p.dw.com/p/1IHDN
Belgien Polizisten bei einer Festnahme in Molenbeek
Fotografi: picture-alliance/dpa/Belga Photo/D. Waem

Hetimet e autoriteteve belge dhe franceze vazhdojnë me ritme të larta pas arrestimit të Salah Abdeslam të premten e javës së kaluar. Atentatori i vetëm, i mbetur gjallë në atentatet e përgjakshme të Parisit të 13 nëntorit po mbahet aktualisht në një burg të sigurisë së lartë në Belgjikë.

Abdeslami që kërkohej si njëri nga dorasit në atentate është edhe vëllai i njërit prej atentatorëve vetëvrasës dhe besohet se i ka çuar me automjet tre prej atentatorëve në stadiumin e Parisit, Stade de France. Më e vonta pas tri muajsh, Abdeslami pritet që t'u dorëzohet prej belgëve drejtësisë franceze.

Të hënën hetuesit bënë edhe një hap më tej: ata identifikuan një bashkëpunëtor tjetër të terroristëve të Parisit. Prokuroria belge bëri të ditur në Bruksel se fjala është për 24 vjeçarin Najim Laachraoui, i cili deri tani jetonte me emrin fals Soufiane Kayal. Me emrin Kayal qe marrë me qira një shtëpi në Namur, në jug të Belgjikës, e cila shërbeu për përgatitjen e atentateve.

Së bashku me algjerianin e diktuar të martën e kaluar, Mohamed Belkaid, ai besohet se ka komunikuar me telefon mbrëmjen e atentateve me atentatorët e Parisit. Sipas kësaj ekzistojnë shumë gjasa, që Belkaidi të jetë personi që mori mesazhin sms, të cilin e shkruan atentatorët nga salla e koncertit Bataclan, se do të fillonin.

Web-Video fotografi e Najim Laachraoui alias Soufiane Kayal
Web-Video fotografi e Najim Laachraoui alias Soufiane KayalFotografi: picture-alliance/epa/Belgium Federal Police

Autoritetet hetimore franceze bënë të ditur se në lëndët shpërthyese të përdorura në atentatet e Parisit janë gjetur gjurmë DNA të Laachraouit. Sipas autoriteteve belge, Laachraoui u kontrollua veç kësaj në 9 shtator në një automjet me Salah Abdeslamin dhe Mohamed Belkaidin në kufirin e Austrisë me Hungarinë.

Algjeriani 35 vjeçar Belkaid u vra në një shkëmbim zjarri të martën e kaluar, gjatë një bastisjeje të policisë në periferinë e Brukselit Forest.

Ende shumë për të bërë

Megjithë këto suksese, autoritetet hetimore thonë se ka ende shumë punë për t'u bërë. Prokurori i Përgjithshëm i Belgjikës, Frédéric van Leeuw tha të hënën se "jo pak pjesë të mozaikut kanë gjetur vendin e tyre". Por ai tha se autoritetet janë ende shumë larg përfundimit të mozaikut me të gjitha pjesët që mungojnë.

Frédéric van Leeuw u shpreh në një konferencë shtypi pas një takimi në Bruksel me Prokurorin e Parisit François Molins. Molins bëri të ditur se ekspertë belgë dhe francezë kanë ndërtuar një një ekip të përbashkët hetimor për sqarimin e atentateve të Parisit.

Molins u shpreh para përfaqësuesve të medieve edhe për deklaratën e avokatit të Abdeslamit, Sven Mary, për ta paditur Molins-in për shkak të shkeljes së fshehtësisë së hetimeve. "Unë jam shumë i qetë në këtë çështje", tha Prokurori i Parisit në Bruksel. Të shtunën, Molins u tregoi gazetarëve për marrjet në pyetje të Abdeslamit nga hetuesit belgë. 26 vjeçari pati deklaruar ndër të tjera se ai kishte dashur ta hidhte veten në erë në 13 nëntor në stadiumin e Parisit, Stade de France. Por pastaj qe tërhequr. Ministri i Jashtëm i Belgjikës, Didier Reynders i konfirmoi këto të dhëna.