1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hetuesit: ADN-ja konfirmon vdekjen e Jevgeni Prigoshin

28 Gusht 2023

Autoritetet ruse konfirmuan zyrtarisht vdekjen e kreut të trupave mercenare Wagner, Jevgeni Prigoshin. Këtë e njoftoi agjencia e lajmeve TASS duke iu referuar komitetit shtetëror të hetimeve.

https://p.dw.com/p/4Vd8b
Rusi: Transportimi i vitkimave nga rrëzimi i avionit në rajonin Tver.
Rusi: Transportimi i vitkimave nga rrëzimi i avionit në rajonin Tver.Fotografi: Dmitry Lebedev/Kommersant Photo/REUTERS

Katër ditë pas rrëzimit të një avioni privat në Rusi me sa duket tani është e qartë, se drejtuesi i trupave mercenare, Wagner, Jevgeni Prigoshin ka vdekur. Këtë, sipas hetuesve rusë, e konfirmon testi i ADN-së në vendin e ngjarjes. "Analizat molekulare gjenetike në kuadrin e hetimeve për rrëzimin e avionit në rajonin Tver kanë përfunduar", tha Svetlana Petrenko, zëdhënëse e komitetit të hetimeve për krime të rënda, mbi bazën e këtyre rezultateve "është konfirmuar identiteti i dhjetë viktimave, që korrespondojnë me listën përkatëse të personave që ndodheshin në avion". Komiteti i hetimeve ende nuk ka deklaruar të të dhëna të tjera më të detajuara.

Spekulime për pjesëmarrjen e Kremlinit

Avioni u rrëzua të mërkurën (23.08.2023) në rajonin rus Tver, ku si pasojë gjetën vdekjen të dhjetë personat në bord. Edhe udhëheqësi ushtarak i trupave mercenare, ish-oficeri i shërbimit sekret Dmitri Utkin dhe të tjerë figura drejtuese të trupës Wagner ndodheshin në avion. Pas rrëzimit të avionit nisën spekulimet, se mund të kemi të bëjmë me një sulm ndaj kreut të Wagner. Kremlini hedh poshtë çdo hamendësim për implikim në rastin në fjalë duke i cilësuar ato si "gënjeshtër absolute".

Pikërisht dy muaj para rrëzimit të avionit Prigoshin nisi marshimin me mercenarët e tij drejt Moskës për një kryengritje. Qëllimi, sipas Prigoshin, ishte që të rrëzonte ministrin e Mbrojtjes Sergej Shoigu. Pas një dite kreu i Wagner megjithatë u tërhoq nga kryengritja dhe në këmbim atij iu sigurua, se nuk do të ndëshkohej.

A donte Kremlini ta eliminonte Prigoshinin?

Në Ukrainë dhe në Perndim hamendësohet, se Kremlini ka dashur ta eliminojë Prigoshin pas tentativës së tij për kryengritje. Kreu i shtetit në Bjellorusi aleat i ngushtë i presidnetit rus, Aleksander Lukashenko tha, lidhur me spekulimet, se nuk e konsideron të mundshme, që Vladimir Putin të ketë të bëjë me vdekjen e Prigoshin. Rrëzimi i avionit është një "veprim i trashë dhe jo profesional", ndaj s'mund të qendrojë Putin pas kësaj.

Putin e pati quajtur tradhëtar Prigoshinin për shkak të revoltës së armatosur përpara dy muajsh, të enjten në mbrëmje (24.08.2023) foli në kohën e shkuar për udhëheqësin e mercenarëve. Ai ka qenë "një burrë i aftë", që "ka bërë gabime të rënda", u shpreh Putin.

Trupa Wagner ka luftuar kryesisht në Bakmut. Deri në rebelim kjo trupë luajti një rol të rëndësishëm në luftën sulmuese ruse në Ukrainë, kryesisht në luftimet në Bakmut. Putin të premten (25.08.2023) nënshkroi një dekret, sipas të cilit pjesëtarët e trupës Wagner në të ardhmen duhet të betohet për besnikëri ndaj shtetit rus.

 

 

 

nob/AR (dpa, afp, rtr)