1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedonia dhe monumentet

12 Shkurt 2012

Monumentet duhet të bashkojnë dhe jo t'i përçajnë njerëzit dhe etnitë, u tha në debatin mbi "Monumentet dhe ndërtimi i identitetit", ku morrën pjesë të rinjë nga Maqedonia, Franca dhe Gjermania.

https://p.dw.com/p/1427V
"Porta e Maqedonisë"
Porta e (pakonstestueshme) e MaqedonisëFotografi: Makfax

Debati u organizua me inicijativë të "Zyrës franko-gjermane për të rinjtë e Evropës Juglindore", Organizatës Joqeveritare nga Tetova "Loja", Muzeu historik i "Luftës së Madhe" nga Peroni në Francë, nga qendra kërkimore "Max - Mannheim" në Dahau të Gjermanisë dhe ambasadat e këtyre dy vendeve, të ndihmuar nga ministritë e tyre për punë të jashtme.

Në këtë debat të rinjtë nga Maqedonia, Gjermania dhe Franca së pari i paraqitën rezultatet e tyre të seminarit të përbashkët hulumtues me një mesazh se "monumente duhet të kenë funksion gjithëpërfshirës", "për të bashkuar njerëzit", sipas modelit francezo-gjerman.

Temë diskutimi në këtë debat ishin dy monumentet aktuale në Maqedoni:
Monumenti i "Mbrojtësve maqedonas", i ndërtuar me paratë e shtetit në qendër të qytetit të Shkupit si dhe përkujtimorja e anëtarëve të rënë të UÇK-së e ndërtuar me donacione private, si dy monumente të cilat "ndërtojnë dy histori paralele dhe kontraverze, në vend të një historie të përbashkët ".

"Monumentet si falsifikime të ngurta të historisë"


Në debatin që u ndoq nga ambasadori francez Jean-Claude Schlumberger dhe panelistët nga tre vendet e përmendura, ambasadorja gjermane Gudrun Steinacker tha se ajo "nuk e ndan mendimin me Heinz Strocka nga Salzburgu, se "monumentet vetvetiu praqesin provokim për të tjerët". Duke kujtuar një frazë prej një dijetari se "shumë monumente janë falsifikime të ngurta të historisë", ambasadorja theksoi se "në korniza evropiane për monumentet historike shpesh vjen puna për të paraqitur një konceptim të diçkaje që duhet të shikohet në një mënyrë të caktuar dhe se, më në fund , bëhet fjalë për një madhështi të vërtetë apo simbolike të vetë kombit. "

Në mënyrë të veçantë për monumentet në Maqedoni ajo për Deutsche Wellen tha: "Monumentet historike duhet t'i integrojnë njerëzit, t'i pajtojë ata  dhe t'i afrojë. Ato duhet të paraqesin një zonë komunikimi".

Amnbasada gjermane në Shkup.
Në manifestim morën pjesë edhe përfaqësuesit e ambasadës gjermane në Shkup.Fotografi: Petr Stojanovski

Me "Shkupi 2014" nuk ndërtohet identitet i ri por artificial maqedonas

Pjesëmarrësit shqiptarë në këtë debat ashpër akuzuan projektin "Shkupi 2014", duke pretenduar se ai është "njënacional" dhe se "ndërton një identitet të ri, artificial të popullit maqedonas".

Salajdin Salihu, profesor në Universitetin shtetëror të Tetovës tha: "Unë nuk besoj se ky projekt ndërton identitetin multikulturor të Maqedonisë, sepse shqiptarët janë kundër tij. Për aq kohë sa ata janë kundër, do të thotë se ky projekt nuk ndërton një identitet multikulturor. Nuk është keq një identitet i këtillë të ndërtohet, por është shumë keq përderisa nuk merren parasysh ndjenjat e shqiptarëve dhe të gjithëve që jetojnë këtu".

Arkitekti Vangjel Bozhinovski nga Shkupi hedh poshtë se projekti ka për qëllim ndërtimin e një identiteti të ri, artificial maqedonas. "Askush nuk mund të ndërtojë identitet me monumente. Ose keni, ose nuk keni identitet. Maqedonia ka identitetin e vet që mund të shihet shumë qartë në vazhdimësi. Pra, nëse ju keni identitet, ai mund të ndërtohet, nëse jo, ju nuk mundeni atë ta ndërtoni", tha ai.

"Program impresionues"

Arkitekti gjerman Dr. Günter Schlusche, i cili aktualisht po përgatit një monument për "Murin e Berlinit" në Berlin, së pari i paraqiti përshtypjet e tij, i cili këto ditë në metropolin maqedonas vizitoi monumentet e "Shkupi 2014".

"Është një program shumë mbresëlënës, absolutisht mbresëlënës  me ndërtimet këtu. Kjo tregon qartë se sa monumentet janë të rëndësishme në ndërtimin e kombeve", pohon ai.

Por ai paralajmëron: "Është shumë e rëndësishme e ardhmja e monumenteve. Ato mund të bashkojnë njerëzit e origjinave të ndryshme etnike, duke e sjellë në situatë që ato etnitete të jetojnë bashkë. Unë shpresoj se kjo do të realizohet në Maqedoni."

Historiani Dr. Nicholas Moll nga Qendra Kulturore Franceze në Sarajevë, të Bosnje e Hercegovinës, si një pjesëmarrës në debat, për Deutsche Wellen theksoi: "Unë nuk mund të them gjëra të mëdha në lidhje me projektin "Shkupi 2014 ", sepse nuk e njoh shumë mirë atë. Por në një mënyrë gjithëpërfshirëse, të gjitha ndërtimet e identiteteteve janë artificiale. Ai është gjithmonë një konstrukcion. Ai ndërtohet nga simbolet, monumentet, përkujtimet e tjera".

Debati mbi "Monumentet dhe ndërtimi i identitetit" duhet të kontribuojë në hapjen e një dialogu midis të rinjve dhe një zhvillim paqësor dhe demokratik në Ballkan, sipas shembullit gjermano-francez, tolerancës evropiane dhe mirëkuptimit ndëretnik.

Qendra e të rinjëve
Qendra e të rinjëveFotografi: Makfax

Autor: Sveto Toevski/ Qeriman Bekteshi

Redaktoi: Bahri Cani