1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mogherini:BE të mbajë premtimin me Shqipërinë dhe Maqedoninë

29 Maj 2019

Komisioni i BE rekomandoi hapjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Raporti i progresit vlerëson rezultatet pozitive të arritura nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

https://p.dw.com/p/3JRId
Belgien Brüssel Hauptquartier der EU Kommission
Fotografi: picture-alliance/NurPhoto/M. Spatari

Komisioni Evropian sërish ka rekomanduar hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në raportin e fundit të progresit, të paraqitur para anëtareve të Komitetit të Politikes së Jashtme të Parlamentit Evropian (PE), ku disa nga referuesit kërkuan që ky hap të aprovohet nga Këshilli i BE-së sa më shpejtë. Raporti gjithashtu u prezantua para mediave nga Përfaqësuesja e Posaçme e BE-se Federica Mogherini, e cila kërkoi që Unioni të mbajë premtimin e vet.

"Është e nevojshme që unioni të mbajë premtimet e veta, të japë vlerësim të mirë kur ai meritohet. Ne themi se ku ka arritur procesi i bazuar në merita. Dështimi në vlerësimin e meritave do të dëmtojë kredibilitetin e BE-së”, tha ajo.

Këtë mesazh e përsëriten edhe euro-parlamentarët Eduard Kukan, nga Konservatorët Evropian, Kati Piri nga Socialistët si dhe Ivo Vajgl nga Liberalët, të cilët kërkuan që Këshilli i BE-së të veprojë në rekomandimin e Komisionit pasi në të kundërtën BE-ja do të humbasë kredibilitetin.

"Është me rëndësi të shikojmë instrumentet tona. Duhet të mbajmë premtimet, pasi BE-ja do të humbasë kredibilitetin, e ç'është më me rëndësi autoritetin e vet”, tha Eduard Kukan pas prezantimit të raportit.

Kati Piri nga socialistët e përkrahu rekomandimin edhe për Maqedoninë e Veriut edhe për Shqipërinë, mirëpo shprehu shqetësimin e vet pse këto raporte paraqiten si paketë e përbashkët. "Çelja e negociatave është proces i bazuar në meritë dhe një vend nuk duhet të lidhet me një vend tjetër”, tha Piri.

Çelja e negociatave ndihmon për Dialogun Kosovë - Serbi

Për komisionarin Hahn, i cili edhe prezantoi raportin çelja e negociatave ka implikime më të gjëra duke përfshirë edhe çështjen e dialogut Kosovë - Serbi, në të cilin sipas tij të dyja palët duhet të bëjnë kompromis.

"Drita e gjelbër për çeljen e negociatave është stimul për të tjerët. Duhet të dihet se cilat janë pasojat pozitive. Nëse nuk japim një shembull të mirë kjo nuk do t'i shërbejë liderëve, të cilët janë duke u ballafaquar me vendime të vështira”, tha Hahn kur foli për negociatat.

Sa i përket Kosovës, Hahn shtoi se përparimet në vend kanë rënë nën hijen e tarifave doganore "të cilat duhet të hiqen”. Në këtë kuadër Hahn tha, se ai do të bëjë edhe një përpjekje në qershor që të tejkalohet situata dhe rezultatet mund të shihen në muajin korrik. Mogherini në pyetjen rreth kërcënimeve të Presidentit Vuçiq për sulme ushtarake nuk iu përgjigj, por tha se ajo do të punojë që dialogu të fillojë dhe se status kuoja nuk krijon qendrueshmëri. Për këtë ajo ftoi për vazhdimin e dialogut duke filluar me heqjen e tarifave.

Në këtë drejtim edhe raportuesit për Serbinë, gjermani David Macallister përmendi se arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht e detyrueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë mbetet një sfidë për Serbinë.

Maqedonia dhe Shqipëria me rezultate pozitive

Sa i përket përmbajtjes së raportit në anën pozitive u theksuan arritjet e Maqedonisë së Veriut në lidhje me marrëveshjen e Prespës dhe të marrëveshjes bilaterale me Bullgarinë, ndërsa për Shqipërinë u theksua vetingu në sistemin e drejtësisë.

"Shqipëria është duke ndjekur reforma të mëdha në transformimin e sistemit të drejtësisë, ata janë duke rivlerësuar secilin gjyqtar dhe prokuror të vendit”, theksoi Hahn. Ai përmendi edhe suksesin e vendit në luftimin e disa bandave kriminele.

Mirëpo për tërë Ballkanin shqetësimi më i madh mbetet zbatimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe zhvillimi ekonomik.

Sundimi ligjit, stabiliteti dhe ekonomia mbeten sfida

Komisioneri Johanes Hahn që raportoi para PE-së tha se sfida më e madhe mbetet "sundimi i ligjit në secilin aspekt të tij”, më tej ai theksoi, se sfidat tjera mbeten stabiliteti dhe bashkëpunimi rajonal dhe fqinjësia e mirë. "BE-ja nuk do të importojë probleme”, tha Hahn.

Ndërsa problemi i tretë i Ballkanit Perëndimor, sipas raportit të progresit, është mungesa e zhvillimit ekonomik dhe dëshira për migrim në mungesë të mundësive për të rinjtë në rajon. "Ekonomia e Balkanit Perëndimor ka dobësi të mëdha strukturore. Për të shfrytëzuat potencialin vendet duhet të bëjnë reforma për ta ulur nivelin e papunësisë. Zhvillimi ekonomik është esencial për demokracinë dhe ballafaqimin me migracion dhe rënien e natalitetit në rajon. Ballkani duhet të ulë disnivelin e të ardhurave me BE-në dhe për këtë ka nevojë të madhe për integrim. Marrëveshja e bërë rishtas për roaming është një shembull i mirë”, tha Hahn.