1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Modeli i suksesit - Bundesliga

23 Gusht 2012

Bundesliga ka kohë që është e respektuar mes kampionateve më të mira evropiane. Jo vetëm në planin sportiv, edhe në atë ekonomik. Dhe sa i takon pëlqyeshmërisë s'diskutohet: Askund tjetër nuk vijnë më shumë shikues.

https://p.dw.com/p/15vWx
Gerd Müller dhe Franz Beckenbauer, 1976
Fotografi: picture alliance / dpa

Sezoni i Bundesligës 2012/13, kampionati i pesëdhjetë i kategorisë së parë gjermane, mund të hyjë në historinë e futbollit si një sezon rekord. "Bundesliga është duke u kthyer në fuqinë mbizotëruese në Evropë", thotë Emmanuel Hembert i sipërmarrjes këshilluese A.T. Kearney në Dyseldorf. Arsyeja për këtë gjendet para së gjithash te lidhja e një marrëveshjeje të re televizive.

Prillin e kaluar Bundesliga ka negociuar një kontratë të re për të drejtat televizive mbi ndeshjet e saj: Për katër vitet që vijnë ajo do të marrë 2,5 miliardë euro, për sezon i bie 628 milionë euro. Pjesën e luanit e paguan stacioni televiziv me pagesë Sky. Ajo është afërsisht 50 për qind më e lartë sesa vitet e mëparshme. Edhe Stefan Ludwig e konsideron një sukses këtë marrëveshje të re për të drejtat. Megjithatë ekonomisti, drejtor i grupit të biznesit sportiv në sipërmarrjes këshilluese Deloitte, vë në dukje se kategoria e parë angleze e futbollit, Premier League, fiton shumë më tepër. Prandaj, thotë Ludwig, ajo ka për ta mbajtur vendin e parë edhe "në vitet e ardhshme."

Falë solidaritetit

Fuqia ekonomike e kampionatit matet "me të ardhurat nga tregtimi televiziv, nga sponsorizimi dhe nga shitjet e biletave të shikuesve", thotë në bisedë me Deutsche Wellen, Stefan Ludwig. Po t'i marrësh së bashku këto kritere, Bundesliga arrin vendin e dytë, e pakërcënuar, ndër të ashtuquajtat "Big Five", kampionatet e para të Anglisë, të Gjermanisë, Spanjës, Italisë dhe Francës.

Epërsinë që ka arritur ndërkohë Bundesliga ndaj kampionatit spanjoll Primera Division Ludwig nuk e sheh të rrezikuar, sepse "Spanja është i vetmi kampionat, që ka ende një tregtim të decentralizuar të të drejtave televizive." Çdo klub e tregton me përgjegjësinë e tij veten dhe ndeshjet e ekipit të vet. Kjo bën që dy klubet e mëdha spanjolle, Real Madrid dhe FC Barcelona, të fitojnë pjesën kryesore në këtë biznes, dhe që ekipet e tjera të kategorisë së parë të jenë shumë mbrapa sa i takon të ardhurave nga licencat.

Die großen Strategen des Fußball-Bundesligisten FC Bayern München: Torjäger Gerd Müller (l) und Libero Franz Beckenbauer in einer undatierten Archivaufnahme vom Oktober 1976.
Gerd Müller dhe Franz Beckenbauer, 1976Fotografi: picture-alliance/dpa

"Në Bundesligë është ndryshe. Atje ka një ndarje relativisht të mirë midis tetëmbëdhjetë ekipeve të kategorisë së parë për shkak të parimit të solidaritetit", thotë Ludwig. Bundesliga i administron në mënyrë qendrore të drejtat televizive dhe i shpërndan të ardhurat midis skuadrave profesioniste.

Të bësh ekonomi me mend

Një karakteristikë unike të Bundesligës brendapërbrenda pesëshës evropiane të të mëdhenjve, Stefan Ludwig e ka identifikuar te serioziteti, me të cilin drejtohen ekonomikisht klubet. Në Gjermani klubet duhet t'i nënshtrohen një procedure licensimi: Kur një klub nuk është në gjendje të paraqesë një plan ekonomik të qëndrueshëm, ai nuk merr licensë.

Autor: Dirk Kaufmann/ Elert Ajazaj

Redaktoi: Auron Dodi