1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mjerim në Maqedoni- shumë lypsarë nëpër rrugë

17 Shtator 2011

Situata e palakmueshme ekonomike në rradhë të parë, por edhe faktorë të tjerë ka bërë që shumë fëmijë të ndodhen në rrugë si lypsarë. Në Maqedoni ky fenomen ka marrë formën e krimit të organizuar.

https://p.dw.com/p/12b2b
Shumë fëmijë dalin në rrugë si lypsarë
Shumë fëmijë dalin në rrugë si lypsarëFotografi: Petr Stojanovski

Ministria e punës dhe politikës sociale ka evidentuar rreth 500 fëmijë lypsarë, që enden nëpër rrugët e qytetit. Për parandalimin e këtij fenomeni, Ministria e punës dhe politikës sociale në bashkëpunim me policinë ka nisur një operacion për shkatërrimin e rrjeteve të lypsarëve, ndërsa fëmijët e kapur në rrugë dërgohen në qendrat për përkujdesjen ndaj tyre. Ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska, thotë se në aksionin e fundit rreth 50 fëmijë u larguan nga rruga. Situata më alarmuese është në qytetin e Kumanovës ku janë evidentuar 24 fëmijë lypsarë. “Ndaj 119 personave janë ngritur kallëzime penale, masa këto që kanë për qëllim të parandalojnë delikuencën tek fëmijët”, shprehet Jankulloska.

Ministri i punës dhe politikës sociale Spiro Ristovski, vlerëson se operacioni për tërheqjen e fëmijëve lypsarë nga rruga, është një aksion human që ka kryesisht për qëllim të parandalojë keqpërdorimin dhe jetën mizore të fëmijëve që janë pre e këtij krimi të organizuar. Gjatë aksionit është konstatuar se në rrjetin e lypsarëve në rrugë janë të përfshira familje të tëra. Ka raste kur fëmijët janë marrë nga prindërit e tyre nga gra kriminele që i kanë paguar me mëditje fëmijët për të lypur në rrugë. Ministria e punës dhe politikës sociale është duke shqyrtuar mundësinë e marrjes së drejtës prindërore për ato familje të cilat keqpërdorin fëmijët e tyre. ”Deri më tani e drejta prindërore iu është marrë dy familjeve, 11 fëmijë janë marrë nga prindërit e pakujdeshëm dhe të njëjtit janë dorëzuar në qendrat për përkujdesjen e fëmijëve. Në procedurë është marrja e së drejtës prindërore edhe për dy familje tjera”, thotë ministri Ristovski.

Kind im Roma-Slum Shutka
Ata persona që keqpërdorin fëmijët në rrugë, do të përgjigjen para ligjit, thotë ministri i punës.Fotografi: DW

Fëmijët lypsarë që tërhiqen nga rruga përkujdesen në qendrën ditore në afat kohor prej 8 orësh dhe në qendrën tranzitore 24 orëshe. Fëmijët mbi moshën 6 vjeçare nën përkujdesjen e punëtorëve socialë dërgohen në shkolla. Përfaqësuesi i ambasadës për fëmijë “Megjashi”Dragi Zmijanac, thotë se problemi i fëmijëve lypsarë është shumë i ndjeshëm dhe zhdukja e kësaj dukurie kërkon një angazhim më serioz institucional.

“Qendrat ditore janë zgjidhje e pjesërishme, përsëri ata fëmijë do t`i gjejmë në rrugë. Duhet kërkuar mundësia ligjore që prindërit e këtyre fëmijëve të punësohen si dhe këto familje të jenë në monitorim të vazhdueshëm të punëtorëve social”, thotë Zmijanac.

Problemi i fëmijëve lypsarë kërkon një angazhim më serioz institucional.
Problemi i fëmijëve lypsarë kërkon një angazhim më serioz institucional.Fotografi: DW

Ministri i punës dhe politikës sociale Ristovski është i vetëdishëm për problemet me të cilat do të ballafaqohen në zhdukjen e kësaj dukurie. Por, ai premton se të gjithë ata persona që keqpërdorin fëmijët në rrugë, do të përgjigjen para ligjit.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Aida Cama