1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Minoritetet kritikojnë paketën demokratike të Erdoganit

Senada Sokolliu/Bahri Cani2 Tetor 2013

Erdogani ka paraqitur një paketë për më shumë të drejta të minoriteteve në Turqi. Por shumë minoritete nuk janë të kënaqura me këtë paketë edhe pse ajo shënon një hap përpara.

https://p.dw.com/p/19svC
Erdogan gjatë fjalimit të tij, 30.09.2013Fotografi: Reuters

Me vëmendje të madhe është pritur paraqitja e kryeministrit Recep Tayyip Erdogan. Në Stamboll dhe qytete të tjera njerëzit ishin mbledhur para televizorëve nëpër restorante për të dëgjuar propozimet e tij këtë të hënë (30.09.2013), për paketën e reformave, të njohur në Turqi si "Paketa demokratike".

Kjo reformë parashikon ndër të tjeras që gratë në shërbimet e shtetit mund të mbajnë shami, që deri tani ka qenë e ndaluar, për shkak të ndarjes së shtetit nga feja. Femrat në ushtri, polici dhe organet juridike edhe më tej nuk guxojnë të mbajnë shami.

Lejohet gjuha kurde në shkolla

Ndër pikat e tjera të planit është edhe mundësia e mësimit të gjuhës kurde në shkollat private. Erdogani ka paralajmëruar edhe një ligj i cili mundëson ndryshimin e emrave të qyteteve, që hap rrugën e kthimit të disa emrave të vjetër kurdë. Në të ardhmen do të ketë mundësi për fushata parazgjedhore edhe në gjuhët e tjera. Mund të përdoren edhe shkronjat Q, X dhe W të cilat ekzistojnë në gjuhën kurde, por jo edhe turke. Nga shkollat fillore do të hiqet obligimi për betimin e përditshëm, "unë jam turk". Erdogani ka bërë të ditur se do të fillojë edhe debati për heqjen e cenzusit prej 10 % për t'u futur në parlament, që do të lehtësonte futjen e kurdëve në institucionin më të lartë të pushtetit.

Edhe ndryshimi i emrit të Universitetit Nevsehir në Universiteti Haci-Bektas-i-Veli u shkon në favor minoriteteve, sepse në këtë mënyrë nderohet një lider shpirtëror i alevitëve. Erdogani ka bërë të ditur se në Turqi do të krijohet edhe një Institut për kulturën e romëve.

Türkei Mädchen mit Kopftuch
Vajza turke me shami në kokëFotografi: picture alliance/AP Photo

Reagimet e para ndaj fjalimit të tij kanë ardhur vetëm disa minuta pas përfundimit. Gazeta Cumhuriyet shkruan: "Në këtë paketë janë harruar barazia, punëtorët, alevitët, gratë dhe homoseksualët". Gülten Kisanak, ´nënkryetar i Partisë Kurde BDP, kritikoi Erdoganin për zgjidhje gjysmake. "Paketa është vetëm një manovrim", deklaroi ai për CNN Türk.

Minoritetet fetare të dëshpëruara

Para bërjes publike të paketës së reformave, mediat turke kanë spekuluar me mundësinë e hapjes së një seminari fetar në Ujdhesën Heybeliada (greqisht: Chalki) në Stamboll, por kjo nuk ndodhi. Elpidophoros Lambriniadis, nga shkolla teologjike në Stamboll deklaroi me shkrim për DW: "Kemi shpresuar shumë, se shkolla e lartë mund të rihapet. Por qeveria na ka dëshpëruar".

Kryeministri Erdogan ka zgjuar shumë shpresa të cilat nuk do të realizohen, thotë edhe Muhterem Aktas, drejtor i federatës së alevitëve dhe bektashive, në një bisedë me DW. Ai nuk është i kënaqur me propozimet e kryeministrit. Ndryshimi i emrit të një universiteti nuk mjafton. Erdogani nuk po kujdeset fare për ndjenjat e minoriteteve, tha Aktas.

Rëndësia e lirisë fetare

I pakënaqur me propozimet për mbrojtjen e minoriteteve është edhe eksperti dhe gazetari Cengiz Aktar. "Rihapja e seminareve fetare është tepër e rëndësishme për lirinë fetare në Turqi. Nuk është realizuar as barazia e alevitëve me të tjerët. Këto janë aspekte shumë të rëndësishme", thotë Aktar. Porpozimet e Erdoganit në këtë drejtim ai i quan jo serioze. "Nuk janë plotësua edhe shumë kërkesa të tjera të kurdëve. Gjuha nuk mund të mësohet në shkollat e shtetit".

Kurdisch Kurs in Kurdi-Der Türkei 27.08.2013
Kurs me qytetarë kurdë në një kurs gjuheFotografi: DW/N. Sipar

Nga ana tjetër, mundësia e mbajtes së shamisë në kokë në institucionet e shtetit shihet si një hap përpara. "Në këtë mënyrë u jepen më shumë të drejta grave fetare, që është me rëndësi për demokracinë", pohon ai. Aktar mendon se me këtë paketë do të ketë më shumë demokraci në Turqi, por ka mbetur edhe shumë për t'u bërë.