1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ministrja e Jashtme Baerbock dëshiron të forcojë BE

9 Dhjetor 2021

Annalena Baerbock përcaktoi se BE duhet të jetë shtylla kurrizore e politikës së saj të jashtme dhe Franca miku i saj më i rëndësishëm. Në Bruksel dhe Paris, ministrja e re tregoi prioritetet e saj.

https://p.dw.com/p/443m1
Brüssel | Annalena Baerbock Bundesaussenministerin und Josep Borrell
Fotografi: Kay Nietfeld/dpa/picture alliance

Annalena Baerbock kishte njoftuar se kishte ardhur në Bruksel për të dëgjuar, para vizitës së saj tek përfaqësuesi i BE-së për punët e jashtme, Josep Borrell. Dhe ajo e bëri këtë gjerësisht. Në vend të kohës së planifikuar, takimi i mesditës me diplomatin e lartë të BE-së zgjati dy orë. "E dashur Annalena, urime," tha spanjolli Borrell në gjermanisht. Ai është shumë i lumtur që ministrja e re e Jashtme ka ardhur në Bruksel në ditën e saj të parë të punës, vazhdoi Borrell në anglisht. "Kjo vizitë ka një rëndësi të madhe simbolike për BE-në".
Borrelli pranoi se Baerbock kishte një "agjendë absolutisht pozitive" dhe e falënderoi atë për qëllimet e përbashkëta. "Ne ndajmë prioritetin e forcimit të sovranitetit të BE," tha ai. "Ne duam ta bëjmë BE-në një lojtar të besueshëm global”. Është hera e parë që një ministre e jashtme gjermane viziton jo vetëm Parisin, por edhe BE-në në ditën e saj të parë në punë - një veprim i qëllimshëm nga ministrja e re.

"Evropiane me gjithë zemër"

"Unë jam evropiane e vërtetë me gjithë zemër," e siguroi Annalena Baerbock mikpritësin e saj, duke buzëqeshur para shtypit në anglishte të rrjedhshme. Sipas saj, qeveria e re federale beson se politika e BE-së duhet të jetë më shumë se shuma e 27 politikave të shteteve të ndryshme anëtare. "Ka probleme edhe brenda BE-së, por nuk duhet të harrojmë kurrë historinë e pabesueshme të suksesit të BE”, tha ministrja e Jashtme, pa specifikuar nëse i referohej konfliktit midis Polonisë dhe BE-së për sundimin e ligjit apo qëndrimeve divergjente për politikën ndaj Kinës. Gazetarët nuk u lejuan të bënin pyetje pas daljes së saj të shkurtër para shtypit.

Në ditët në vijim, Josep Borrell dhe Annalena Baerbock duan të vazhdojnë të diskutojnë, për tema të tilla si Bjellorusia, imigracioni, Ukraina, Ballkani Perëndimor, të cilat mund të preken vetëm të enjten. Ata do të takohen sërish këtë fundjavë në takimin e G7 në Birmingham, pastaj të hënën në takimin e rregullt të ministrave të jashtëm të BE-së. Në ditët e para të punës, ajo kalon më shumë kohë me Josep Borrell-in sesa me shefin e saj, kancelarin gjerman Olaf Scholz, tha me shaka politikania e Gjelbër.

Miqësi me Francën

Në një mënyrë po aq harmonike dhe ndoshta pak më konkrete u zhvillua edhe vizita prezantuese te ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, në mëngjes në Paris. "Çfarë ka më bukur për një Ministre të Jashtme sesa të jetë në Paris, mëngjesin e parë në postin e saj të ri?”, deklaroi Annalena Baerbock gjatë konferencës për shtyp me Le Drian.

Frankreich | Treffen Annalena Baerbock und Jean-Yves Le Drian in Paris
Fotografi: Gonzalo Fuentes/REUTERS

Jean-Yves Le Drian, i cili tashmë ka njohur dy ministrat e jashtëm gjermanë, buzëqeshi i kënaqur. Është "një traditë e bukur" që ministrat e jashtëm gjermanë vijnë gjithmonë fillimisht në Francë, tha ai. Annalena Baerbock dhe Le Drian i drejtohen me "ti" njëri-tjetrit dhe sigurojnë njëri-tjetrin për miqësinë personale dhe miqësinë e vendeve të tyre. Për Gjermaninë, "nuk ka miq më të afërt se Franca", tha Baerbock. Ajo tha se dëshironte "të investonte në lidhjen e ngushtë midis Berlinit dhe Parisit".

Më pas Baerbock-u e lajkatoi pak më shumë mikpritësin e saj francez, duke shpjeguar se donte të frymëzohej nga Franca në çështjet e diplomacisë klimatike. "Nuk është rastësi që unë do të jem përgjegjëse për politikën ndërkombëtare të klimës në Ministrinë e Punëve të Jashtme”. Franca kishte vepruar tashmë në këtë mënyrë në samitin e klimës në Paris në 2015. Ishte një "moment i madh diplomacie”. Më vonë në Bruksel, përfaqësuesi i BE-së për punët e jashtme vlerësoi shprehimisht lëvizjen e diplomates gjermane. Diplomacia e klimës ka më shumë peshë. "Është një sinjal i mirë," tha Borrelli.

Ministrja e Jashtme gjerman siguroi se Republika Federale do ta mbështesë Francën me të gjitha forcat gjatë presidencës së ardhshme të Këshillit të BE-së. "Mund të mbështeteni tek ne". Konferenca evropiane për të ardhmen e Evropës, për të cilën është kaq i angazhuar Presidenti francez Emmanuel Macron, në mes të fushatës elektorale, "është "shumë e rëndësishme".

Frankreich Paris | Pressekonferenz Annalena Baerbock und Jean-Yves Le Drian
Fotografi: Gonzalo Fuentes/AFP/Getty Images

Një "busull strategjike" e re e BE-së duhet të miratohet nën presidencën franceze. Kjo mbështetet nga ministrja e Jashtme, edhe nëse kjo përfshin ngritjen e një force të fuqishme ndërhyrëse ushtarake. Këtë e parashikon marrëveshja e koalicionit qeveritar gjerman.

Mosmarrëveshje për energjinë bërthamore

Pavarësisht nga harmonia e shfaqur, sigurisht që ka dallime, pranoi Baerbock në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve. Franca, për shembull, dëshiron të ankorojë energjinë bërthamore në politikën klimatike të Bashkimit Evropian si një alternativë e gjelbër dhe neutrale ndaj klimës ndaj qymyrit, naftës dhe gazit. Politikania e gjelbër e sheh këtë në mënyrë kritike, pasi Gjermania po mbyll gradualisht termocentralet e saj bërthamore. Si kryetare e re e diplomacisë, ajo megjithatë u mjaftua duke deklaruar në Paris se "tani po flasim për këtë në të gjitha nivelet". Ajo iu referua liderit të saj, kancelarit gjerman Olaf Scholz, i cili do të takohet me presidentin francez të premten dhe samitit të BE-së të javës së ardhshme në Bruksel.

Me tren nga Parisi në Bruksel: kështu, nevojiten më pak avionë të forcave ajrore për udhëtimin e parë zyrtar.
Me tren nga Parisi në Bruksel: kështu, nevojiten më pak avionë të forcave ajrore për udhëtimin e parë zyrtar.Fotografi: Kay Nietfeld/dpa/picture alliance

Brenda qeverisë së re federale dhe midis Gjermanisë dhe Francës, ka ende diskutime për një "bojkot diplomatik" të mundshëm të Lojërave Olimpike Dimërore në Kinë. Shtetet e Bashkuara, Australia, Kanadaja dhe Britania e Madhe nuk duan të dërgojnë zyrtarë qeveritarë në Pekin. Annalena Baerbock dhe Jean-Yves Le Drian raportuan se ende nuk ishte marrë asnjë vendim dhe se vendimi duhej të merrej brenda kornizës së Bashkimit Evropian.

Solidaritet me Ukrainën

Dyshja më pas iu kthye krizës më urgjente të politikës së jashtme aktualisht në Evropë, përkatësisht vendosjes së trupave ruse, nga e cila Ukraina ndihet e kërcënuar. "Integriteti territorial i Ukrainës nuk është i negociueshëm”, theksoi Annalena Baerbock në drejtim të Moskës. "Rusia do të paguante një çmim të lartë politik dhe mbi të gjitha ekonomik”, tha ministria e Jashtme.

Ajo dhe ministri i Jashtëm francez janë dakord se duhet të shmanget sulmi i Rusisë në pjesë të tjera të Ukrainës. Marrëveshja e bllokuar e Minskut mbetet rruga përpara për të arritur qetësimin në Ukrainën lindore. Gjermania, Franca, Rusia dhe Ukraina bashkohen këtu si pjesë e të ashtuquajturit formati i Normandisë. Megjithatë, samiti i fundit u zhvillua tashmë dy vjet më parë.

Josep Borrelli, përfaqësuesi i lartë i BE-së për punët e jashtme dhe ish-ministri i jashtëm spanjoll, i uroi Annalena Baerbock-ut, e cila në moshën vetëm 41 vjeç, po merr rolin e saj të parë në qeveri, "shumë sukses dhe fat". Megjithatë, ai tha se funksioni nuk do të sjellë shumë gëzim për shkak të krizave të shumta në botë. 

 

Bernd Riegert, me kostum dhe kravatë të kuqe, me kostum blu dhe këmishë bojëqielli.
Bernd Riegert Korrespondent nga Brukseli, me fokus te njerëzit, ngjarjet dhe politikat në BE