1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

EU Landwirtschaft

22 Shtator 2010

Shpërndarja e subvencioneve agrare në BE duhet të reformohet. Por si? Mbi këtë çështje diskutuan të martën (21.9.) ministrat e bujqësisë në La Hulpe në jug të Brukselit, në një takim informal.

https://p.dw.com/p/PIZr

Veçoritë e politikës belge mund të shiheshin më së miri në këtë takim ministrash: pas rreth 100 ditësh nga zgjedhjet nuk ka ende qeveri të re në nivel federal dhe ministrja belge e Bujqësisë Sabine Laruelle është në detyrë përkohësisht. Veç kësaj asaj i kishin vënë përkrah një koleg valonez dhe një flamand. Në konferencën për shtyp megjithatë të tre ishin në unitet në çështjet e politikës agrare.

Grevë e fermerëve evropianë për çmimet e qumështit. Bruksel, 2009.
Grevë e fermerëve evropianë për çmimet e qumështit. Bruksel, 2009.Fotografi: DW

Nuk ka gatishmëri për reforma rrënjësore në nivel të BE-së

Diskutimi për një reformë të rrënjësishme të zërit më të madh në buxhetin e BE-së është në fazën kryesore. Fjala është para së gjithash për kursime në të ashtuquajturën shtyllë të parë të subvencioneve, të financuara vetëm nga BE-ja. Laruelle megjithatë nuk sheh në nivel të BE-së gatishmëri për ndryshime radikale.

"Secili theksoi dëshirën që kjo shtyllë e parë të mos rinacionalizohet, pra që ajo të vazhdojë edhe në të ardhmen të financohet bashkarisht. Kjo shtyllë duhet të kujdeset për aftësinë konkurruese të bujqësisë, por duke u garantuar fermerëve të ardhura dinjitoze."

Franca dhe Gjermania kërkojnë të ruhet sistemi aktual i subvencioneve

Ministrja gjermane e Bujqësisë Isle Aigner.
Ministrja gjermane e Bujqësisë Isle Aigner.Fotografi: AP

Këto fjalë fshehin megjithatë ndasitë e thella në BE. Disa vende si Britania dhe Madhe dhe Suedia ushtrojnë trysni për të shkurtuar në mënyrë radikale subvencionet agrare në përgjithësi. Por ka edhe një zënkë mes Perëndimit dhe Lindjes, mes anëtarëve të vjetër dhe të rinj të BE-së. Aktualisht fermerët polakë për shembull marrin më pak subvencione nga BE-ja për sipërfaqe, se sa fermerët francezë apo gjermanë. Për këtë arsye vendet lindore kërkojnë një shumë fikse për sipërfaqe. Nga ana tjetër Franca dhe Gjermania në një dokument të përbashkët kërkojnë që të mbetet në fuqi sistemi aktual. Laruelle në konferencën për shtyp nuk i jep shumë rëndësi këtij dokumenti:

"Natyrisht çdo vend anëtar i vetëm apo me të tjerë mund të hartojë dokumente për pozicionin e tij. Sigurisht Franca dhe Gjermania - nuk dua ta shqetësoj këtu edhe njëherë zotin Sarkozy - janë vende të mëdha, por BE-ja ka edhe 25 anëtarë të tjerë. Pra ky është një dokument ndër shumë të tjerë, dhe sot nuk u diskutua për të."

Ministrja belge iu referua kështu edhe deklaratave franceze në polemikën për dëbimet e romëve, sipas të cilave "një vendi të madh" si Franca nuk mund t'i tregohet nga Komisioni se si të sillet.

Komisioneri i BE-së për bujqësinë Dacian Ciolos.
Komisioneri i BE-së për bujqësinë Dacian Ciolos.Fotografi: DW/C.Stefanescu

Bujqësia rrezikon të humbasë brezin e ri

Por jo të gjitha problemet e politikës agrare të BE-së kanë të bëjnë me madhësinë e shteteve anëtare dhe rëndësinë relative të bujqësisë. Komisioneri i BE-së për bujqësinë Dacian Ciolos sheh me shqetësim se gjithnjë e më pak të rinj dëshërojnë të merren me bujqësi:

"Është e rëndësishme që të merremi me interesat e të rinjve që ata të shkojnë edhe në bujqësi. Nuk dua të përballem me rrezikun që ne të polemizojmë rreth politikës së përbashkët agrare dhe pas disa vitesh të mos kemi më fermerë, me të cilët mund të zbatohet kjo politikë."

Edhe ndihmat për fermerët e rinj kanë të bëjnë me paratë. Zënkat e hapura rreth subvencioneve nuk kanë filluar ende mirë. "Do të jetë një luftë e nxehtë" parashikoi ministrja gjermane e Bujqësisë Ilse Aigner.

Autor: Christoph Hasselbach / Eliana Xhani

Redaktoi: Mimoza Kelmendi