1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Minat dhe stoqet e municioneve rrezik për kumunitetin në Shqipëri

Arben Muka4 Prill 2013

Në Shqipëri organizatat për pastrimin e territoreve nga minat bashkëpunojnë me partnerë rajonalë, për shkëmbim informacioni dhe ekspertize si dhe për hartimin e projekteve të përbashkëta me mbështetjen e UNDP, BE SHBA.

https://p.dw.com/p/189Pw
Fotografi: DW/A.Muka

Shqipëria ka pasur dëme të mëdha nga shpërthimi i minave dhe municioneve të mbetura në territoret e banuara. Vetëm në kohën e luftës së Kosovës, u infektua nga ushtria serbe me mina dhe municion thërrmues një territor prej rreth 120 km përgjatë vijës kufitare Shqipëri-Kosovë. Bilanci nga shpërthimet ishte tragjk për komunitetin, 34 të vdekur dhe rreth 240 mbetën të lënduar dhe gjymtuar. Nuk ishte vetëm pasiguria për jetën që i goditi anëtarët e komunitetit. Mospërdorimi i tokës bujqësore dhe i burimeve natyrore dhe rrezikimi i mbajtjes së bagëtive ndikuan më shumë në varfërinë e pjesës verilndore të Shqipërisë, në shtimin e problemeve sociale dhe ekonomike.

Autoritetet në Shqipëri me mbështetjen edhe nga partnerët ndërkombëtarë u përfshinë në harkun e një dekade në procesin e pastrimit të këtyre zonave nga kontaminimi me mina dhe municion tjetër i pashpërthyer, si një rrezik potencial për banorët dhe mjedisin përreth. Një nga aktorët kryesorë që ka luajtur rol kryesor në këtë anagazhim është edhe Zyra e Veprimit ndaj Minave dhe Municioneve, ZVMM, një organizatë joqeveritare e themeluar nga viti 1999.

Standarde ndërkombëtare në procesin e çminimit

Juliana Buzi, specialiste programesh pranë ZVMM-së thotë për DW se përfshirja në këtë aksion, si partnerë të ngushtë të qeverisë shqiptare dhe organzatave e institucioneve të tjera, lidhej me plotësimin e objektivave që rrjedhin nga detyrimet që ka vendi në respektimin e konventave ndërkombëtare. "Rikthimi i territoreve të pastra nga minat dhe municionet kishte vlerën e sigurisë njerëzore, por dhe rikthimin e jetës normale në komunitet, në mënyrë që ata të shfrytëzonin tokën dhe asete të tjera mjedisore si të mira materiale, pa pasur frikë e ngurrim nga rreziqet e shpërthimeve dhe dëmeve serioze. Procesi i çminimit dhe pastrimit të të gjithë territorit nën monitorimin e ZVMM-së u krye pa asnjë dëmtim njerëzor, me një ekspertizë profesionale me standarde ndërkombëtare. Edhe më pas kur territoret i janë kthyer komunitetit nuk ka pasur asnjë rast incidenti apo dëmtimi njerëzor apo material."

Juliana Buzi, specialiste programesh pranë ZVMM-së
Juliana Buzi, specialiste programesh pranë ZVMM-sëFotografi: DW/A.Muka

Eleminimi i pasojave të periudhës së luftës së Kosovës ishte si një lloj "çertifikate" për ZVMM, që ajo të angazhohej edhe në një proces tjetër të po së njëjtës natyrë, likuidimin e arsenalit të bartur të municioneve e lëndëve luftarake nga periudha e sistemit komunist para viteve '90, si dhe pastrimin e 16 zonave të vlerësuara si të rrezikshme për komunitetin, nga prezenca e municioneve të paplasuara, nga koha e trazirave të dhunshme të vitit '97 në Shqipëri.

Minat dhe stoqet e municioneve të rrezikshme për kumunitetin

Arben Braha, drejtor i ZVMM-së në bisedës për DW i referohet një vlerësimi ndërkombëtar që i është bërë territorit shqiptar në vitin 2009, ku rezultonin në formën e "stokut" të mbi 190 mijë ton municione të bartura, si prodhime ruse, kineze apo "made in Albania". Sipas Brahës, ZVMM ka bërë më pas një vlerësim në disa aspekte të situatës, duke përcaktuar tregues teknikë, tregues të nevojave humanitare, për trajtimin shëndetësor e psikologjik të të dëmtuarve nga minat dhe municionet. "Nëse në pjesën verilindore të vendit ne kemi një numër rreth 240 persona të lënduar dhe gjymtuar, duke e bërë këtë rivlerësim nevojash edhe për zonat e rrezikshme në shkallë vendi, numri i personave shtohet dhe me rreth 800 të tjerë. Këta janë nga ata që kanë dëmtime fizike e psikologjike nga më të ndryshmet. Me mbështetjen dhe të qeverisë austriake dhe të një partneri nga ky vend, ne po shikojmë në mënyrë të detajuar situatën për 6 qarqe të vendit, për të evidentuar çdo nevojë njerëzore për të afruar asistencë. Ne presim nga qeveria shqiptare që edhe ajo të na mbështesë në mënyrë që infrastrukturën e qarkut të Kukësit ta kemi tani në rang kombëtar, për t'ju gjendur atyre që presin ndihmë".

Arben Braha, drejtor i ZVMM-së
Arben Braha, drejtor i ZVMM-sëFotografi: DW/A.Muka

Zyra e Veprimit ndaj Minave dhe Municioneve ka shfrytëzuar jo vetëm mbështetjen e UNDP, të BE-së, SHBA-ve, të qeverisë shqiptare, por ka ndërtuar dhe një bashkëpunim të ngushtë me partnerë nga vendet e rajonit, nga Kosova, Serbia, Sllovenia, Kroacia, Maqedonia etj. "Qoftë në kooperim bilateral, qoftë në kuadër të Komitetit të Reduktimit të Stoqeve të Municionit në Europën Juglindore bashkëpunimi është për shkëmbim të informacionit dhe ekspertizës, të eksperiencave, të hartimit të projekteve dy a më shumë palëshe me mbështetjen e donatorëve tanë", thotë Arben Braha për DW.