1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mijëra refugjatë brenda dhe jashtë Kosovës

19 Dhjetor 2011

Komisariati i Lartë për Refugjatë i OKB-së raporton për mijëra të zhvendosur nga Kosova, brenda dhe jashtë saj. 2011 në Kosovë u rikthyen 1025 vetë. Sfidë mbetet kthimi i shqiptarëve të veriut dhe i komunitetit malazez.

https://p.dw.com/p/13VZb
Fotografi: AP

Shahin Haliti, 56 vjeç, nga lagja Kroi i Vitakut në veri të Mitrovicës, edhe pse pronar i tre hektarëve tokë që nga përfundimi i luftës me familjen pesë anëtarëshe banon në dy dhoma të Qendrës Kolektive, në lagjen Bair. Kjo ngaqë vullneti për kthim iu pre që në hapat e parë.

“Shpinë ma kanë djeg e ma kanë rrafshu. Dy herë i kena ngreh shatorrat n´pronë tonën, me 2002, kur na kanë sulmu serbët me armë zjarri dhe jemi plagos katër veta. Unë jam i plagosur n´dorë. Kena provu edhe masanej, s´na kanë leju. Po t´më bahet një zgjidhje e përhershme, siguria, unë shkoj n´vend temin dhe asnjë minut s´rri ktu”, thotë z.Haliti, fatin e të cilit e ndajnë edhe 28 familje të tjera, 90 per qind prej të cilave nga veriu i Mitrovicës.

Banorët e veriut edhe më tej jetojnë me qira dhe në strehimore

Papunësi tek të rinjtë në Kosovë.
Papunësi tek të rinjtë në Kosovë.Fotografi: DW

Ndër to është edhe familja e Zarife Avdiu, 52 vjeçare, e cila që 12-të vjet jeton larg aparatamentit të saj: “Këtu jetoj me burrë e me djalë. Lagështia në mure na mbyti. Banesën e kam në pjesën veriore, por ma kanë uzurpuar serbët. Kemi provu me u kthy, por s´ke ku shkon...S´ka siguri atje! Ktu jetojmë me një social 80 euro të burrit, që ka punu përpara”, rrëfen z.Avdiu.

Përderisa fatin e prindërve dashur pa dashur e ndajnë edhe fëmijët, dy prej të cilëve i gjejmë tek lozin para qendrës: “Jam prej Vidimiriqi. Shpia na u ka kall n´luftë e rrimë ktu. Ktu s´kaloj mirë por...Serbët sillen keq, kur t´shkojmë atje”, thotë Festimi, 11 vjecar, ndërsa përgjegja e Leutrimit vjen me belbezim e me shkëputje .“Unë kam qejf me u kthy po...S´na lënë serbët... S´ka si...gu...ri...”

Persona të zhvendosur në Qendra Kolektive brënda dhe jashtë Kosovës

Sipas Ahmet Jasharit, zëdhënës i komunës së Mitrovicës, janë edhe rreth 10 mijë shqiptarë të zhvendosur nga veriu i Mitrovicës, të cilët jetojnë në jug me qira, apo në Qendra Kolektive. Dhe qytetarët e shumtë nga Kosova vazhdojnë të jetojnë nëpër strehimore të tilla, brënda dhe jashtë Kosovës, thotë për Dojce Velle-n Shpend Halili, zëdhënës i UNHCR-së-zyra në Prishtinë: “Në Kosovë është një numër i konsiderueshëm i Qendrave Kolektive, në të cilat jetojnë rrreth 450 familje. Ndërsa një numër i konsiderueshëm i qytetarëve nga Kosova jetojnë si të zhvendosur në Mal të Zi, të cilët kryessisht i përkasin grupit etnik rom, ashkalinj dh egjiptas, si dhe komuniteti malazez”.

Slobodan Vujicic, kryetar i Shoqatës së malazezëve të Kosovës
Slobodan Vujicic, kryetar i Shoqatës së malazezëve të KosovësFotografi: DW

Sipas kryetarit të Shoqatës së Malazezëve të Kosovës, vetëm në Serbi dhe Mal te Zi janë të shpërngulur rreth 14 mijë malazezë: “Para luftës në Kosovë kanë jetuar 20.028 persona të deklaruar si malazezë etnik. Numri aktual i malazezëve të shpërngulur në Mal të Zi është 5. 300, në Serbi janë 8.300, një numër prej tyre kanë shkuar në vende të treta, përderisa të tjerët jetojnë në veri të Kosovës. Mirëpo ata nuk guxojnë të deklarojnë identitetin e tyre kombëtar për shkak të situatës së tensionuar në atë pjesë. Mua personalisht më jeton motra në Leposavic, por ajo nuk guxon të deklarohet si malazeze dhe të kërkojë të drejtat e veta për shkak të rrethanave, në të cilat jetojnë atje. Pjesa tjetër janë në Rajonin e Pejes, ku kane presion të madh nga ana e strukturave paralele të udhëhequra nga përfaqësues serbë. Ne nuk jemi të pranuar si komunitet as në kushtetutën e Kosovës. Prandaj këto janë probleme evidente, në zgjidhjen e të cilave do duhej të ndihmonin qeveria e Kosovës dhe ajo e Malit te Zi”, thotë z.Vujiqiq.

UNHCR: 18 mijë të zhvendosur brenda Kosovës dhe 10 mijë jashtë saj

Përderisa Sabit Hykolli, zëdhënës i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, thotë për Dojce Vele-n se kjo ministri po bën përpjekje të vazhdueshme për kthimin e të zhvendosurve në vatrat e veta: “Kthimi nga Mali i Zi është një rrethanë krejt tjetër, sepse ne kemi bashkëpunim të vazhdueshëm me autoritetet malazeze në këtë drejtim dhe të gjithë ata, që dëshirojnë të kthehen këtu edhe mund ta bëjnë. Ne si ministri mbi bazën e përgjegjësisë, që kemi, do t´i ndihmojmë të gjithë ata, që dëshirojnë të kthehen në vendet prej nga kanë ardhur”, thotë z.Hykolli.

Ndërkohë që edhe mijëra të tjerë vazhdojnë të jetojnë si të zhvendosur brenda dhe jashtë vendit, raportojne nga Komisariati i Lartë për Refugjatë i Kombeve të Bashkuara. Shpend Halili është zëdhënës i Zyrës në Prishtinë vjen me të dhënat më të fundit: “Janë rreth 18,100 persona, të cilet konsiderohen të zhvendosur brenda në Kosovë, të cilët iu përkasin të gjitha grupeve etnike, ndërsa numri më i madh është i shqiptarëve dhe i serbëve, kurse një numër më të vogël e përbëjnë komunitetet e tjera në Kosovë. Një numër prej 10 mijë personash jetojnë si të zhvendosur në Mal të Zi, të cilët kryesisht u përkasin komuniteteve RAE dhe atij malazez. Nga Bosnjë Hercegovina, Kroacia dhe Maqedonia, nga numri i madh i refugjatëve prej atje aktualisht në Kosovë jetojnë edhe 63 refugjatë nga Kroacia, 6 nga Bosnjë Hercegovina, si dhe 54 nga ish Republika Jugosllave e Maqedonisë”.

Brenda këtij viti janë kthyer në Kosovë 1025 të zhvendosur

Sipas z.Halili gjatë vitit 2011 janë kthyer në Kosovë 1025 persona. Përderisa, UNHCR në partneritet me Ministrinë për Komunitete dhe Kthim gjatë katër viteve të fundit për të kthyerit ka ndërtuar 100 shtëpi dhe ka renovuar 35 të tjera për të rikthyerit Ky projekt do të vazhdojë edhe në vitin 2012 më ndërtimin e 30 shtëpive: “Përfitues janë të gjtiha komunitetet pa dallim. Ndërsa duhet theksuar gatishmëria për të pranuar të zhvendosurit, kur ata duan që të kthehen si dhe e drejta e tyre për të vendosur në bazë të informimit se kur duan që të kthehen”, thotë z.Halili.

Përderisa zona më problematike për rikthimin e të zhvendosurve mbetet veriu i Mitrovicës, prej nga vjen thirrja e vazhdueshme e ketyre banorëve-refugjatë n´shtëpi të vet: “Stabilizim i pjesës verirore dhe kthim" - thotë z.Haliti. "Që të gjithë te kthehemi n´vendin tonë dhe të jetojmë ne paqe e në qetësi, pa presione e torutra, që na kanë filluar pa plas lufta. Familjet tona janë të traumatizuara edhe atëherë se gjithmonë kemi qënë të shtypur prej serbëve e na ka shku jeta tuj u rujt. E tash, n´kohen e lirise, prapë me nejt tuj rujt me rend me pushkë n´dorë? Jeta nuk shkon gjithmonë me trauma e me frikë...”.

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Angjelina Verbica