1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mihael Gorbaçov mbush 90 vjeç

2 Mars 2021

"Gorbi" - kështu e quajnë gjermanët Mihael Gorbaçovin, i cili feston sivjet më 2 mars 90 vjetorin. Ndërsa figura e tij është e diskutueshmë në Rusi për shkak të rolit që ai ka luajtur në ribashkimin e Gjermanisë.

https://p.dw.com/p/3q561
Russland Michail Gorbatschow
Fotografi: Kyodo/picture alliance

Mihael Gorbaçovin e vlerësojnë dhe nderojnë ma pamasë në Gjermani për meritat që ai ka dhe rolin që ka luajtur në ribashkimin e Gjermanisë. Madje atij i është ngritur edhe një monument në Desau, në landin Saksoni-Anhalt, që u përurua më 3 tetor 2020 me rastin e 30 vjetorit të ribashkimit. Mihael Gorbaçov ishte i pari kryetar shteti që vizitoi Gjermaninë pas ribashkimit. Në nëntor 1990 në Bom u nënshkrua marrëveshja për fqinjësinë e mirë, partneritetin dhe bashkëpunimin, kjo ishte e para marrëveshje ndërkombëtare në Gjermaninë e ribashkuar.

Deutschland | Gorbatschow Denkmal in Dessau-Roßlau
Monumenti në DesauFotografi: picture alliance/dpa

I vlerësuar në Perëndim, jopopullor në atdhe: trashëgimia politike e kreut të fundit të shtetit sovjetik, Mihail Gorbaçov, është kritikuar vazhdimisht në Rusi. Bashkimi i Gjermanisë i fiksuar në 12 shtator 1990 në të ashtuquajturin marrëveshje dy-plus-katër, luan një rol qendror për këtë.

Marrëveshja Dy-plus-Katër u nënshkrua në Moskë nga ministrat e jashtëm të RFGJ dhe RDGJ si dhe të katër fuqitë fituese të Luftës së Dytë Botërore - BRSS, SHBA, Britania e Madhe dhe Franca. Dokumenti me shtatë faqe "mbi rregulloren përfundimtare në lidhje me Gjermaninë" i dha fund ndarjes së Gjermanisë pas më shumë se 40 vjetësh.

Michail Sergejeviç  Gorbaçov lindi më 2 mars 1931 në rajonin e Kaukazit Verior, sot Stavropol si biri i një rusi dhe një ukrainasje (Sergei Andrejeviç Gorbaçov dhe Marija Pantelejevna Gopkalo). Prindërit e tij ishin bujq në një kolkoz në Privolnoje. Në moshën 21 vjeçare më 1954 Gorbaçovi hyri në partinë komuniste të BRSS duke vepruar për 22 vjet në rajonin e tij Stavropol. Në moshën 35 vjeçare ai mbaroi studimet në fushën e ekonomisë agrare në Institutin Bujqësor. Ai bëri karrierë në radhët e partisë duke u ngjitur deri në Byronë Politike, ku në vitin 1980 u bë anëtar me të drejta të plota i saj. Gjatë veprimtarisë së tij në byronë politike Gorbaçovi u njoh me shefin e KGB-së Juri Andropov, i cili vinte gjithashtu nga Stavropoli dhe në vitet pasuese e mbështeti atë në karrierën e tij në aparatin partiak.

Flash-Galerie Michail Gorbatschow 80. Geburtstag
Mihael Gorbaçov dhe Ronald Reagan, takimi më 19 nëntor 1985 në hotel D'Eau në GjenevëFotografi: AP

Më 11 mars 1985, ditën pas vdekjes së ish-sekretarit të përgjithshëm të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Konstantin Çernienko, në moshën 54 vjeçare Gorbaçovi u zgjodh sekretar i përgjithshëm i partisë komuniste. Ai nisi shumë shpejt kursin e reformave dhe u distancua prej gabimeve të partisë që nga koha e Stalinit dhe krimet gjatë Luftës së Dytë Botërore. Me ngjitjen e tij në krye të Sovjetit Suprem më 1988 u distancua  qartazi edhe nga doktrina e Brezhnjevit. Me zgjedhjen president i BRSS më 14 mars 1990 Gorbaçovi iu përmbajt kursit të reformave për liberalizim duke i hapur kështu rrugën ndryshimeve në BSSR e gjithashtu edhe ndryshimeve në të gjithë bllokun lindor. Ai u tërhoq nga posti i presidentit të Bashkimit Sovjetik më 1991. Pas kthesës në vitin 1992 ai themeloi fondacionin e tij Gorbaçov.