1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mesatarja e notave në Gjermani - Arrati drejt Lindjes për diploma mjekësie

Yordanka Yordanova24 Janar 2014

Vende si Bullgaria dhe Rumania u ofrojnë shansin e fundit të rinjve nga Gjermania, që ëndërrojnë të diplomohen në mjekësi, por në atdheun e tyre nuk ia arrijnë dot për shkak të kritereve të forta të përzgjedhjes.

https://p.dw.com/p/1AwFg
Symbolfoto akademischer Abschluß
Fotografi: Fotolia/Franny-Anne

Në spitalet gjermane punojnë shumë mjekë nga Europa Lindore si nga Bullgaria, Rumania, Polonia. Ndërkohë kjo është bërë e zakonshme, sepse në Gjermani ka nevojë për mjekë dhe nga ana tjetër ky vend ofron kushte të mira pune në krahasim me vendet e Europës Lindore. Gjithashtu mjekët nga Lindja gëzojnë një reputacion të mirë në Gjermani, sepse diplomat e tyre u përgjgijen standardeve ndërkombëtare, ndonëse në vendet e tyre pajisjet mjekësore nëpër spitale nuk u përgjigjen standadit perëndimor.

Cilësinë e kualifikimit të mjekëve në Europën Lindore e vlerësojnë edhe të rinjtë gjermanë që duan të studiojnë në fushën e mjekësisë. Në vitet e fundit në vendet më të varfëra të BE-së mjekësia është mjaft e preferuar si degë studimi. E ndërkohë që në universitetet gjermane janë mjaft të forta kriteret e pranimit të studentëve në këtë degë, në universitetet e vendeve europiano-lindore nuk ka asnjë kufizim as sa i përket mesatares së notave dhe as kohës së pritjes për t'u regjistruar. Në Gjermani mesatarja që kërkohet për t'u regjistruar në degën e mjekësisë është 1.2, pra më e larta e mundshme. Meqënëse për një vend studimi në këtë degë ka një numër të madh aplikantësh shtohet si kriter edhe koha e pritjes. Madje në disa universitete nuk vlen as mesatarja 1.2, ndërkohë që gjimnazistët me mesatare 1.5 apo 1.6 as që kanë shans të aplikojnë për këtë degë. Paradoks është që Gjermania ka nevojë pikërisht për mjekë", thotë Hendrik Loll, drejtor ekzekutiv pranë firmës StudiMed.

Universität von Varna Goldstrand in Bulgarien
Universiteti i VarnësFotografi: picture alliance/Horst Galuschka

Të studiosh atje ku të tjerët kalojnë pushimet

Sipërmarrësi 22-vjeçar e njeh problemin me studimin në degën e mjekësisë në Gjermani. Firma e tij është sipërmarrja e parë ndërmjetësuese, që u mundëson të rinjve gjërmanë të sudiojnë në vendet e Europës Lindore. Të interesuar ka mjaft. Që nga fillimi i vitit në StudiMed janë paraqitur rreth 1500 aplikantë për një vend studimi. "Vendimi për rregjistrimin në universitet nuk organizohet përmes zyrë sonë, por përmes universiteteve të veçanta - thotë Hendrik Loll duke shpjeguar më tej - se ne e dimë përafërsisht, se mbi bazën e cilave kritere përzgjedhin universitetet. Kjo është arsyeja, përse deri tani çdo aplikanti ne i kemi gjetur një vend studimi."

Ai ndërmjetëson për vende studimi në degët e mjekësisë humane dhe dentare në univeritstet e Bullgarisë, Rumanisë, Lituanisë, Kroaisë dhe Sllovakisë. Sipërmarrja e tij ka një kontigjent të caktuar vendesh studimi në univrsitetet përkatëse. Leksionet zhvillohen në gjuhën angleze. "Studioni atje, ku të tjerët kalojnë pushimet", me këtë slogan sipërmarrësi i ri i josh studentët dhe përzgjedh universitete në vende të tilla si Varna në bregdetin e detit të Zi në Bullgari apo në Split buzë Adriatikut në Kroaci.

Sipërmarrja ka punonjësit e vet në këto vende, të cilët i mbështesin studentët e rinj si për të gjetur banesë, ashtu edhe për t'u ingranuar në jetën e vendit. Çdo shërbim ka edhe çmimin e vet, kësisoj për të gjithë procesin e ndërmjetësimit çmimi mund të arrijë deri në 10.000 euro. "Për këtë arsye klientët tanë janë kryesisht fëmijë mjekësh", thotë Hendrik Loll.

Studimi jashtë vendi si trampolinë për karrierën profesionale

Për shumë gjermanë studimi jashtë vendit shërben vetëm si një trampolinë për të nisur studimet në degën e mjekësisë. Ata synojnë që të studiojnë semestrat e parë një ose dy vjet në një universitet në Europën Lindore për ta përfunduar atë në një universitet gjerman, ndonëse në Gjermani nuk kanë garanci për regjistrimin në universitet.

Simon Bonitz nga Regensburgu studion në semestrin e parë mjekësi në Kluzh të Rumanisë dhe dëshiron që t'i mbyllë studimet në Gjermani. Vendin e studimit në Rumani ai e ka gjetur përmes një firme ndërmjetësuese. "Unë dua të kthehem në Gjermani. Ndonëse do të dëshiroja t'i mbyll sutdimet në Gjermani, këtë nuk e kam të sigurtë. Por këtu më pëlqen shumë e ndoshta edhe mund ta mendoj që t'i përfundoj në Kluzh studimet e mjekësisë."

Ai s'ka përse të shqetësohet për fillimin e karrierës si mjek në Gjermani, sepse diplomat nga Rumania njihen brenda vendeve të BE-së.