Merz: „Pa ne asgjë nuk ecën përpara në Evropë"
5 Shkurt 2025Fjala në Bonn e kryetarit të CDU-së dhe me gjasa kancelarit të ardhshëm të Gjermanisë, Friedrich Merz u prit me interes, pas debatit të nxehtë në Bundestag javën e kaluar, për mocionet e CDU-së për migrimin.
Merz i krahasoi zgjedhjet e vitit 2025 me zgjedhjet e vitit 1949 (pas luftës), të vitit 1953 (për ekonominë), të vitit 1972 (fitorja e socialdemokratit Willy Brandt), 1990 (ribashkimi i Gjermanisë). Zgjedhjet e 23 shkurtit i quajti vërtet "zgjedhje për fatin", përballë "zhvendosjes tektonike të qendrave politike dhe ekonomike të pushtetit në botë."
„Përpjekje të mundimshme vitet e ardhshme"
Elementi i parë ku u ndal Merz qe siguria, mbrojtja. CDU-ja kërkon në programin e saj që minimumi i shpenzimeve për mbrojtjen të jetë 2% të PBB. "Vendimtare është që ne të jemi në gjendje të mbrohemi dhe ta bëjmë këtë mundësisht me të tjerë, si p.sh. me fqinjët evropianë", tha ai.
"Kjo do të na kërkojë përpjekje të mundimshme vitet e ardhshme"e përgatiti Merz publikun. Rëndësi për të ka "që të kemi mjetet" financiare dhe që ato të përdoren "me efikasitet." "Evropa ka 17 tipe të ndryshme tankesh", SHBA ka vetëm 2, kujtoi Merz. "Ne duhet të thjeshtojmë, të standardizojmë dhe të rritim numrin e porosive".
Importimet e tankeve gjermane nga shumica e vendeve evropiane flasin që Gjermania e ka vazhduar traditën historike në këtë fushë prodhimi. Edhe kështu mund të kuptohet ky shembull i liderit konservator.
"Gjermania të punojë për besimin e fqinjëve”
Merz la të kuptohet se një politikë ndryshe me të nuk do të thotë izolim nacional, ndonëse u shpreh për një "Gjermani të fortë". Ai quajti "një nga pikat qendrore të politikës" vitet e ardhshme që Gjermania të punojë për besimin e fqinjëve te ajo.
Këtë Merz e merr si mesazh nga koha e ribashkimit të Gjermanisë. Në vitet 1989-1994 ai kishte përjetuar si eurodeputet i Parlamentit Evropian reagimet e fqinjëve për ribashkimin e Gjermanisë.
Britanikët, po edhe italianët nuk qenë entuziastë për ribashkimin gjerman. "Unë e dua Gjermaninë kaq shumë sa preferoj të kem dy të tilla", kujtoi Merz qëndrimin e kryeministrit italian Giulio Andreotti.
"Francezët na besuan, sepse i besuan Helmut Kohlit", tha Merz. Ai kërkoi që Gjermania të përcjellë "një sinjal të qartë" te partnerët, si në traditën e Republikës së Bonnit.
"Nuk shkon, që ne të kemi një distancë të tillë me fqinjin tonë në Perëndim...dhe në Lindje", u shpreh Merz."Ndryshe nga mbajtësi aktual i postit, unë do t'i kushtoj një pjesë të konsiderueshme të kohës sime rivendosjes së marrëdhënieve më të mira me fqinjët tanë evropianë, veçanërisht, por jo vetëm, me Francën dhe Poloninë", u zotua lideri i CDU-së.
"Që nga Bismarcku, Evropa funksionon kur Gjermania e fortë"
Njëkohësisht, Merz kujtoi se "ne e dimë, të paktën që nga Bismarcku, se kjo Evropë funksionon vetëm nëse Gjermania luan një rol të fortë". Kjo nuk është arrogancë gjermane, tha ai. "Ne jemi vendi më i populluar, ekonomikisht jemi ende vendi më i fuqishëm. Jemi aq shumë në qendër të Evropës, saqë pa ne, kundër nesh, asgjë nuk do të ecë përpara në Evropë".
Fuqinë ekonomike të Gjermanisë, Merz e ilustroi kur shpjegoi synimin e CDU/CSU, për një rritje 2% të ekonomisë gjermane. "Kjo përfaqëson 90 miliardë euro rendiment ekonomik" më shumë se tani, kujtoi ai.
Ekonomia - më e rëndësishmja për CDU
CDU/CSU shihet në Gjermani tradicionalisht e lidhur me një politikë të fortë ekonomike. Firmat konsulente i kanë rekomanduar Merzit tani që të përqendrohet në këtë kompetencë, që nuk shihet se e kanë partitë e tjera. Me sa duket edhe për këtë arsye, temën e migrimit ai vetëm sa e preku në fund.
Përfytyrimi bazë i politikës ekonomike të CDU/CSU-së, sipas Merz, është krijimi i kushteve kuadër më të mira për të gjithë, jo subvencione të mëdha për pak (si p.sh. për teknologjitë e gjelbra).
Ndryshimi "brutal" i SHBA nga Trump, tha Merz, në këtë kuadër mund të tërheqë shkencëtarë në Evropë. "Të parët po vijnë në Gjermani", dhe thonë liritë dhe klima politike që keni janë ndoshta më të mira për ne.
„50 termocentrale të reja me gaz"
"Ky vend duhet të mbetet vend industrial", deklaroi Merz. 300.000 vende pune humbën në tri vitet e kaluara në industri, kujtoi ai. Në këtë kuadër lider konservator tha se ne duam që pas 10 vjetësh nga automjetet të mos dalë më dioksid karboni CO2. "Por se çfarë teknike motorike ka automjeti, këtë politika nuk mund ta thotë", precizoi ai. Me këtë Merz theksoi indirekt mbështetjen e partisë së tij edhe për motorin me djegie të brendshme.
Pasi kritikoi si absurde mbylljen e centraleve bërthamore në Gjermani, Merz u ndal te termocentralet me gaz. CDU/CSU mbështesin ndërtimin e shpejtë të 50 termocentraleve me gaz në Gjermani - duke i shpallur ato "me interes mbizotërues publik".
"Shfrytëzim i të dhënave", më shumë se "mbrojtje e të dhënave"
Produktivitetin në Gjermani, CDU/CSU do ta nxisë duke ulur tatimin për ndërmarrjet. Ai do të jetë 25%, "një normë tatimore konkurruese". Për të nxitur digjitalizimin, partia e tij do të ngrejë një ministri të posaçme.
Si një burim suksesi për Inteligjencën Artificiale (AI) në Gjermani, Merz sheh shfrytëzimin e bazës së të dhënave, që kanë sipërmarrjet. Dhe përqendrimin "te shfrytëzimi i të dhënave", më shumë se te "mbrojtja e të dhënave", këshillë që Merz e kishte marrë për Gjermaninë nga shefi i Microsoftit.
Më shumë punë përballë punës inteligjente
Merz kërkoi ndryshim të qëndrimit ndaj punës e që Gjermania "të përveshë krahët për punë". Puna nuk duhet parë si "ndërprerje e pakëndshme e kohës së lirë", tha ai. Me "ekuilibrin punë-jetë(work-life) dhe me javë pune katërditëshe" ai tha se nuk mund të ruhet mirëqënia e Gjermanisë.
Migrimi - temë dytësore në fjalim
Sondazhet e deritashme nuk i dëshmojnë CDU/CSU përfitim nga debati i javës së kaluar në Bundestag për migrimin. Sondazhe të reja të rëndësishme do të publikohen deri të premten.
Sidoqoftë, Merz tha në Bonn kalimthi se me temën e migrimit ishte marrë kundër dëshirës. Por i detyruar nga atentatet në Aschaffenburg, Magdeburg e Solingen; nga fakti që problemi i migrimit duhet zgjidhur; nga fakti se për tre vjet nën qeverinë "semafori" AfD-ja e kishte dyfishuar mbështetjen nga 10% në 20 %.
Arritjet e CDU-së në 80 vitet e fundit ruhen "vetëm në qendrën politike" u shpreh Merz. "Unë nuk do të zgjas kurrë dorën për të bashkëpunuar me AfD-në apo për të formuar një qeveri”, siguroi ai.
„Çdo votë për AfD, të nesërmen e zgjedhjeve pa vlerë" praktike
Kryetari i CDU-së dhe kandidati për kancelar të Gjermanisë, Friedrich Merz kujtoi se çdo votë për AfD-në, që të nesërmen e zgjedhjeve, do të jetë pa vlerë. Kjo pasi asnjë parti gjermane, as CDU/CSU, nuk duan të kenë të bëjnë me AfD. Ndaj kërkoi votën për partinë e tij.
Jashtë sallës së aktivitetit të CDU-së, në një të ftohtë të acartë rreth 1500 vetë protestonin. Kundër së djathtës, ekstremizmit të djathtë. Dhe kundër CDU-së që pranoi votat e AfD-së për planin pesë-pikësh në Bundestag.