1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel viziton Athinën

J. Paadimitriou/Eliana Xhani9 Prill 2014

Angela Merkel do të vizitojë Athinën. Qeveria greke e vlerëson këtë si shenjë mbështetjeje. Ekspertët mendojnë megjithatë se kriza ende nuk është kapërcyer.

https://p.dw.com/p/1BeHT
Merkel dhe Samaras nga takimi në Berlin(22.11.2013)Fotografi: Reuters

Që në nëntor 2013 Kancelarja pas një takimi me kryeministrin grek Antonis Samaras në Berlin, lëvdoi hapat e Greqisë në reforma dhe në veçanti faktin që Athina ia kishte dalë mbanë të arrinte një të ashtuquajtur "tepricë primare" në buxhet. Thënë qartë: për herë të parë që prej 11 vjetësh shteti grek ka më shumë të hyra se të dala në buxhet, nëse nuk merret parasysh barra e interesit për borxhet e vjetra.

Vizita e kancelares Angela Merkel (11.04.) sipas ministrit të Jashtëm grek dhe zv/kryeministrit Evangelos Venizelos është dëshmia përfundimtare që vendi i tij po "hap një faqe të re". Përballë rikthimit të planifikuar të Greqisë në tregjet financiare, kancelarja gjermane do të japë një sinjal mbështetjeje, deklaroi Venizelos në kuadër të takimit të ministrave të jashtëm të BE-së të shtunën (05.04.) në Athinë.

Jorgos Tzogopoulos nga instituti i analizave në Athinë ELIAMEP është më pak entuziast: "Tregjet mund ta shohin vërtet si garanci mbështetjen e Berlinit, aq më tepër që shumë nga reformat e premtuara në Greqi janë vënë tashmë në jetë. Por simbolika politike nuk mjafton", paralajmëron Tzogopoulos në bisedë me DW. Veçanërisht e rëndësishme është tani që Greqia t'i përmbahet edhe më tej marrëveshjeve dhe të rifitojë kështu besimin afatgjatë të tregjeve, thotë ai.

Jorgos Tzogopoulos Think Tank ELIAMEP in Athen
Jorgos Tzogopoulos - analist në AthinëFotografi: DW/J. Papadimitriou

Rikthimi në tregjet financiare

Prej javësh në Athinë spekulohet nëse Greqia do të guxojë rikthimin në tregjet financiare që në gjysmën e parë të 2014. Kundër këtij rikthimi flet me sa duket ngurrimi i agjencisë së vlerësimit Moody's, për të përmirësuar notën për bonitetin e Greqisë. Një vendim për këtë duhej të merrej në fillim të javës së kaluar, por u shty për në fillim të gushtit. Vizita e planifikuar e kancelares në Greqi duket se po i jep një shtysë të re optimizmit: sipas informacioneve të gazetës Ta Nea, qeveria greke po konsideron seriozisht që ditët e adhshme, ndoshta që në ditën e vizitës së kancelares, të paraqesë në treg obligacione shtetërore me afat maturimi tre ose pesëvjeçar, për të testuar reagimin e tregjeve.

Sinjalet duken të mira, beson analisti i ekonomisë dhe drejtor i portalit të lajmeve për ekonominë Capital.gr Thanassis Mavridis. "Investitorët ndërkombëtarë po largohen aktualisht nga vendet në ekspansion dhe kërkojnë mundësi të sigurta investimi në Evropë. Kjo mund të rezultojë në shanse të mira për Greqinë", thekson Mavridis.

Thanassis Mavridis Wirtschaftsanalyst aus Athen
Thanassis Mavridis -ekspert për ekonominë në AthinëFotografi: DW/J. Papadimitriou

Analisti tërheq megjithatë vëmendjen se shumë investitorë ndjekin kryesisht interesa afatshkurtër dhe nuk besojnë detyrimisht në përfundimin e krizës së Greqisë. "Nuk duhet harruar se edhe në vitin 2009 kërkesa për tituj financiarë shtetërorë grekë ishte e fortë, megjithëse kriza ishte në prag", thotë Mavridis në bisedë me DW. "Sipas kësaj logjike rikthimi i afërt në tregjet financiare nuk do të thotë detyrimisht se i ka ardhur fundi krizës së borxheve." Por kjo ofron sigurisht shanse. Nëse Greqia do të arrijë të rikthehet në tregjet e kapitalit, ekonomia reale do të furnizohej me para të reja, beson eksperti i ekonomisë nga Athina.

Inkurajim për reforma nga Gjermania

Politikanët gjermanë gjatë muajve të kaluar e kanë shoqëruar në mënyrë intensive programin grek të reformave. Për kujtesë: në ditën e Krishtlindjeve, Greqinë e vizitoi shkurt ministri i shtetit në Ministrinë e Jashtme Michael Roth, dhe vetëm dy javë më vonë në Athinë qendroi për konsultime ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier. Pas një vizite me efekt të fortë mediatik të Presidentit gjerman Joachim Gauck në fillim të marsit, tani në Greqi shkon edhe kancelarja Merkel, për herë të dytë brenda vetëm 18 muajsh.

Fakti që vizitat nga Gjermania po shtohen, nuk është rastësi, mendon Jorgos Tzogopoulos: "Qendrimi politik i Gjermanisë ndaj Greqisë duket veçanërisht miqësor, pasi në Berlin u mor vendimi përfundimtar që vendi të mbetet në eurozonë", shpjegon politologu. Sipas Tzogopoulos kthesa ka filluar që në gusht 2012. Tani politika gjermane kërkon vazhdimësi dhe dëshëron ta mbështesë në mënyrë aktive Greqinë për të arritur objektivat e saj të kursimit.

Por disa masa ndihme ecin shumë ngadalë: që në verë 2013 ministri gjerman i Financave Schäuble nënshkroi në Athinë një kontratë paraprake për themelimin e një fondi grek investimesh sipas modelit të KfW (Bankës gjermane të ndihmës për rindërtim), me një volum kredie prej gjithsej 500 milionë euro. Por që atëherë nuk kanë ndodhur shumë gjëra duke parë vështirësitë në financim që ka pala greke. Sipas gazetës së përjavshme greke To Vima, kancelarja tani do të merret sërish me projektin me pjesëmarrjen edhe të KfW, fondacionit grek Onassis dhe Bankës Evropiane të Investimeve.