Merkel premton zbardhje të plotë të skandalit të përgjimeve
15 Korrik 2013Në intervistën e saj të dielën (14.7.) për kanalin e parë gjerman ARD, para pushimit të verës, kancelarja gjermane Angela Merkel tha se qeveria gjermane do të kërkojë me forcë sqarimin e plotë të skandalit të përgjimeve nga shërbimi i fshehtë amerikan NSA. Shërbimi i fshehtë amerikan duhet të respektojë ligjet në fuqi, tha kancelarja: "Unë pres për të ardhmen një premtin të qartë të qeverisë amerikane që në tokën gjermane të respektojë ligjin gjerman.
"Qëllimi nuk justifikon mjetet"
Ne jemi partnerë miq. Jemi në një aleancë mbrojtëse dhe duhet t'i besojmë njëri-tjetrit", tha Merkel. Është e vërtetë se në luftën kundër terrorizmit duhet bashkëpunuar, por: "Qëllimi këtu nuk justifikon mjetet." Merkel kërkoi gjithashtu arritjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare për mbrojtjen e të dhënave. Në këshillimet për këtë temë Gjermania do të kërkojë që "firmat të cilat operojnë në Evropë, të na thonë se kujt ia përcjellin të dhënat." Në nivel shtetesh kombëtare të dhënat e qytetarëve nuk mund të mbrohen më, tha Merkel. "Ne vërtet kemi një ligj federal të shkëlqyer për mbrojtjen e të dhënave por kur Facebook është i regjistruar në Irlandë, vlen ligji irlandez dhe për këtë arsye na duhet një rregullim ligjor i njësuar evropian."
Kritikë e ashpër nga opozita
Merkel theksoi se qeveria e saj i merr seriozisht shqetësimet e njerëzve, qytetarër janë me të drejtë të shqetësuar se çfarë ndodh me të dhënat e tyre jashtë Gjermanisë. Opozita e sheh këtë ndryshe: kandidati për kancelar i Partisë Socialdemokrate (SPD) Peer Steinbrück, e akuzoi Merkelin madje se ka thyer betimin e bërë me marrjen e postit, për të shmangur dëme ndaj popullit gjerman dhe kërkoi një hetim parlamentar.
Sekretarja e përgjithshme e SPD-së Andrea Nahles e akuzoi Merkelin se nuk ka bërë sa duhet trysni ndaj amerikanëve. Para intervistës së Merkelit, Nahles pati kritikuar se lidhur me skandalin e përgjimeve Merkeli do të thotë vetëm "gjëra pa rëndësi". "Shkelja masive e të drejtave civile të qytetarëve gjermanë nga shërbimet e huaja sekrete duket se nuk i intereson Merkelit", deklaroi Nahles.
Politikani i gjelbër Omid Nouripuor, ekspert për çështje të sigurisë, tha për gazetën "Passauer Neue Presse" se një komision hetimor parlamentar për skandalin e përgjigjimeve është një detyrë për periudhën e ardhshme legjislative. Ai pranoi se duhet të sqarohet pa rezerva se çfarë ka ditur apo miratuar qeveria gjermane, pas atentateve të 11 shtatorit 2001 për punën e shërbimeve të fshehta amerikane. Në atë kohë në Gjermani qeveriste një koalicion mes socialdemokratëve dhe të gjelbërve.
Thirrje për udhëheqjen e re në Egjipt
Lidhur me situatën e tensionuar në Egjipt, kancelarja Merkel theksoi edhe një herë qëndrimin e qeverisë gjermane, për lirimin e presidentit të rrëzuar Mohammed Mursi: "Unë kam të njëjtin mendim si ministri i Jashtëm Guido Westerwelle, se zoti Mursi duhet të lihet i lirë, në mënyrë që në Egjipt të mund të zhvillohet një proces politik me pjesëmarrjen e të gjitha grupeve të popullsisë. Gjatë qeverisjes së Vëllazërisë Myslimane u përjashtuan të tjerët, tani nuk duhet të ndodhë e kundërta, pra që ata të cilët mendojnë se kanë tani më shumë ndikim, të përjashtojnë Vëllazërinë Myslimane", kërkoi kancelarja.
Për një koalicion me liberalët
Merkel tha në intervistë se mbështet vazhdimin e një koalicioni konservatoro-liberal pas zgjedhjeve parlamentare, nëse kjo do të jetë e mundur. Por ajo përjashtoi mundësinë e huazimit të votave për partinë liberale, FDP. "Kush dëshëron që unë të mbetem kancelare duhet të votojë Partinë Kristiandemokrate (CDU)", tha Merkel. Ajo u shpreh optimiste për një rezultat të favorshëm që do të mundësonte vazhdimin e koalicionit konservatoro-liberal (CDU, CSU, FDP), megjithatë nuk përjashtoi mundësinë e një koalicioni me të gjelbrit.