Merkel dhe Gauck- dy gjermanë nga Lindja në krye të shtetit
1 Tetor 2015Fundi i gushtit 2015. Kriza e refugjatëve arrin kulmin. Por Angela Merkel hesht. Aq sa "#Merkelhesht" dhe "#Merkelthuajdiçka" në twitter arrijnë në krye të hashtags. Edhe në "Spiegel". Vetëm atëherë ajo flet qartë për trazirat në Heidenau të Saksonisë, viziton për herë të parë që prej marrjes së detyrës një strehim refugjatësh dhe vendos pak më vonë çuditërisht për të hapur kufijtë e Gjermanisë për një "aksion humanitar."
Ka situata, ku edhe sot duket sikur dallon origjinën gjermano lindore "të gruas më të fortë në botë". Të kujdesshëm, të tërhequr, me dyshim, kështu janë gjermano lindorët, thotë psikoanalisti nga Halle, Hans-Joachim Maaz. Për të mos dalë mundësisht në majë, ku je i pambrojtur. Me Merkelin qeveris kujdesi në vend të guximit për ndryshime. Maaz ka punuar në RDGJ si mjek neurolog dhe ka shkruar në vitin 1990 librin "Bllokimi i ndjenjave" për pasojat e represionit mbi psiqikën e gjermano lindorëve. Merkel në detyrë është e kundërta e asaj, që pritet nga një politikan perëndimor mashkull, thotë ai. Mungon sjellja "narciste dominante".
Heshtja si strategji për të mbijetuar
"Po, ky është një avantazh i madh nga epoka komuniste, që kemi mësuar të jemi të heshtur. Kjo ishte një nga strategjitë e mbijetesës". Kështu citohet Angela Merkel nga një prej biografëve të saj të shumtë. Publicistja konservatore Gertrud Höhler paralajmëron se askush nuk e di saktësisht se çfarë e motivon Angela Merkelin. Höhler, një ish e besuar e kancelarit Helmut Kohl, kritikoi në librin e saj të botuar 2012 "Ndrikulla" se "sistemi Merkel" ka gjymtuar zakonet politike në Gjermani.
Stop! A nuk ishte mentori politik i Angela Merkelit Helmut Kohli, që i çoi në përfeksion të mosshprehurit për problemet? Që hesht deri më sot në lidhje me donatorët bujarë, që mbushën fondet ilegale të CDU-së(partia kristiandemokrate)?
Nuk është vetëm stili politik i përmbajtur, shumë i pëlqyer në popull, që dallon "vajzën nga Templini" nga paraardhësit në kancelarinë e Berlinit. Një deputet i Partisë së Majtë ka zbuluar se kancelarja Merkel mandatin e parë të detyrës ka porositur jo më pak se 600 sondazhe. Ironikët besojnë se rezultatet kanë qenë orientuesi i vërtetë i politikës së saj. Edhe vetë ish-prifti nga Gjermania Lindore, administratori i mëvonëshëm i akteve të Stasit dhe presidenti aktual gjerman Joachim Gauck, citohet të ketë thënë për Merkelin: "Unë e respektoj atë, por nuk jam në gjendje ta njoh me të vërtetë."
Gauck është ndryshe
Për Gauckun kjo është më e lehtë. Ai e merr autoritetin e tij nga historia e jetës së tij. Babai i tij u deportua në vitet 50-të nga RDGJ në një kamp pune të Stalinit. Kjo ka qenë goditja, distancimi i familjes me shtetin e Gjermanisë Lindore, shkruan Gauck. Ai vetë e gjen strehën nën çatinë e kishës, përmendet më vonë në dosjet e Stasit si një " antikomunist i pakorrigjueshëm". Hapja e arkivave të Stasit pas bashkimit të Gjermanisë është e lidhur me emrin e tij. Ai e sheh veten si një "mësues demokracie në udhëtim". Kur në Thuringji në tetor të vitit 2014 politikani i partisë së Majtë Bodo Ramelow ishte para zgjedhjes për kryeministër, Gauck paralajmëroi, se e majta nuk e ka përpunuar akoma në mënyrë të mjaftueshme të kaluarën e saj në RDGJ. Një përzierje e pazakontë e presidentit në fushatën zgjedhore, por që i sjell atij mbështetjen e konservatorëve.
Merkel nga Lindja
Revolucioni paqësor solli shkencëtarët, priftërinjtë, inxhinierët në politikën e RDGJ-së, e cila po rrëzohej. Fizikantia Merkel iu desh Helmut Kohlit për të plotësuar kuotën nga Lindja për kabinetin e parë mbarëgjerman. Në 1990 ajo kishte menduar edhe që të anëtarësohej në SPD (partia socialdemokrate), para se të vendoste për CDU-në, pranon Angela Merkel, pas fitores së tyre zgjedhore. Kjo përshtatet me akuzën, se ajo po e bën CDU-në sozialdemokrate duke vjedhur idetë e SPD-së.
Ish "vajza e Kohlit" nga Uckermark i Brandenburgut mësoi nga ish-modeli i saj duke përvetësuar shpejt rregullat e prëndimit. Vitet e RDGJ-së luajtën vetëm një "rol kontribues", shkruan gazetari Nikolaus Blome, i cili shpesh e ka intervistuar Merkelin dhe e ka shoqëruar atë në udhëtime. Pikërisht gruaja, që e filloi karrierën politike në një lëvizje qytetare të Gjermanisë Lindore, organizon në vitin 2008 një festë për ditëlindjen e drejtorit të Deutsche Bank Ackermann, në kancelari. "It´s the economy, stupid", slogani i fushatës së Bill Klinton mund të ishte edhe nga Angela Merkeli, e cila ka përjetuar dikur mangësi dhe kolaps ekonomik të RDGJ-së.
"Politikania mbarëgjermane"
Në vitin 2005 Merkel e siguron biografin e saj më të njohur Gerd Langguth, se ajo ka qenë e ndikuar në rininë e saj nga RDGJ, por "tani unë kam mbërritur plotësisht me zemër dhe mendje në Gjermaninë si një të tërë". Langguth e quan Merkelin që atëherë politikane mbarëgjermane: "Në Gjermaninë Perëndimore shumëkush e konsideron ende si gjermano lindore dhe në Gjermanisë Lindore shumëkush e konsideron gjermano perëndimore."
Pengesat politike në detyrë për Merkelin janë të njëjta si për paraardhësit e saj dhe ajo kujdeset të mos bjerë ndesh me to. Ajo është e kujdesshme, sidomos në marrëdhëniet ndërkombëtare, mendon politikani i majtë, gjithashtu me origjinë nga Lindja, Gregor Gysi. Në krizën e Euros ajo ka vepruar qëllimisht nën hijen e ministrit të saj të Financave Schäuble.
Më e guximshme ajo është në raportin me Rusinë. Ndërsa Gauck e shmang sa të mundet takimin me presidentin Putin, kancelarja e cila flet mirë rusisht, bën atë që di më së miri: të negociojë, të moderojë, të mbajë kontakte. Angela Merkel ka gjezdisur si studente në Bashkimin Sovjetik. Ajo i njeh më mirë rusët se ç'i njohin ato Hollande, Cameron apo Obama. Ajo e do kulturën dhe shpirtin e vendit, ndërsa Putinin jo.
Endrra për Amerikën dhe lirinë
Vlerë shumë të madhe ajo i kushton marrëdhënieve me SHBA, vendit të ëndrrave të rinisë. Sikur donte të largonte në Uashington çdo dyshim për besnikërinë ndaj aleancës të njeriut të rritur në pjesën komuniste të Gjermanisë, në vitin 2003 ajo mbështeti luftën e Bushit kundër Irakut. Dhe shumë çuditen sot për butësinë e saj lidhur me përgjimet e amerikanëve. Idealizimin e SHBA-së ajo e ka të përbashkët me presidentin gjerman. Për të dy, si për shumë gjermano lindorë, "Amerika" është sinonim për lirinë dhe mundësitë e pakufizuara.
Presidenti gjerman Gauck e ka bërë "lirinë" perëndimore temën e tij, duke e ditur fare mirë se jo të gjithë kanë entuziazmin e tij. Këtë gëzim për lirinë mund ta kuptojnë vetëm ata, që e kanë dëshiruar atë, thotë Gauck.