1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mehmeti dhe Trajanov: Ndarja eventuale e Kosovës rrezik edhe për stabilitetin e Maqedonisë

5 Gusht 2011

Analistë dhe politikanët në Maqedoni janë të mendimit se ndryshimi i kufijve paraqet proces të rrezikshëm, ndërsa ndarja e mundshme e Kosovës kërcënon stabilitetin e Maqedonisë.

https://p.dw.com/p/12Bh5
Fotografi: AP

Kosova e qëndrueshme është qëllimi strategjik i Maqedonisë shprehen njëzëri analistë dhe politikanë në Maqedoni në bisedë për Deutsche Welle-n. Por vlerësimet e tyre janë të ndryshme në lidhje me atë nëse blloku politik shqiptar është më i shqetësuar për stabilitetin e Kosovës se sa për situatën në Maqedoni.

Trajanov: Deklarata e Ahmetit është e papranueshme

Për deputetin Pavle Trajanov deklarata e Ali Ahmetit, përmes së cilës lideri i BDI-së thotë se çdo ndarje e Kosovës do të shkaktonte destabilizim në Maqedoni, është e papranueshme. Trajanov i tha Deutsche Welle-s se për fat të keq prioriteti i politikanëve shqiptarë në Maqedoni është Kosova dhe jo Maqedonia: "Për fat të keq përparësia kryesore e tyre është pavarësia e Kosovës, stabiliteti dhe mosndarja e Kosovës, ndërsa ata kujdesen më pak për situatën e brendshme në Maqedoni. Deri më tani ne nuk kemi ndërtuar një sistem për të respektuar vlerat në Maqedoni. Deklarata e fundit e Ahmetit ka për qëllim ruajtjen e integritetit të Kosovës dhe nuk vlerësoj se ajo do të ketë ndikim në stabilitetin e Maqedonisë. "

Mehmeti: Të gjithë ne duhet të jemi të interesuar për stabilitetin e Kosovës

Deklarata e Ahmetit, në të cilën ai thotë se nëse ka përpjekje për t' i ndryshuar kufijtë e Kosovës, nuk merr përgjegjësinë të jetë rojtar i paqes në Maqedoni, kjo është plotësisht e kuptueshme për shkrimtarin Kim Mehmeti. "Jo vetëm politikanët shqiptarë, por të gjithë ne duhet të jemi aq të interesuar për stabilitetin e Kosovës dhe për ruajtjen e integritetit të saj sa edhe për Maqedoninë, pasi çfarëdo që të ndodhë në Kosovë, pasoja do të ketë edhe për Maqedoninë" thekson Mehmeti.

Mehmeti konsideron se jo vetëm Ahmeti, por askush në Maqedoni nuk mund të garantojë stabilitetin e Maqedonisë. Nëse arrin puna deri tek një korrigjim i kufijve të Kosovës, shqiptarët në Maqedoni nuk mund të jenë vëzhgues të situatës, gjë që i prek edhe ata. Tezën e tij ai e shpjegon me pyetjen: "Cila do të ishte teza, që shqiptarët të asistojnë në ekzistimin e pesë shteteve të Ballkanit, kur dikush udhëhiqet ende nga logjika, që çdo fshat ku jetojnë serbët të deklarohet për Serbi?" vëren Mehmeti.

Autor: Goran Petreski /Qeriman Bekteshi

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora