1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Megjithë rritjen ekonomike shtresa e pensionistëve në Sllovaki vuan nga varfëria

Peter Hornung28 Shtator 2006

Në kohën e pranimit në Bashkimin Evropian, Sllovakia konsiderohej si nga vendet model ndër kandidatët. Rritja e tvsh-s rëndoi së tepërmi kategorinë më të dobët të shoqërisë, pensionistët dhe familjet

https://p.dw.com/p/As6Y
Pensionistët - në Sllovaki shtresë e varfër
Pensionistët - në Sllovaki shtresë e varfërFotografi: Bilderbox

Është mesditë, kambanat bien në Vashec, një fshat idilik në lindje të Sllovakisë me 2500 banorë. Prej këtij fshati mund të shohësh një pamje të mrekullueshme të Tatrës madhështore, një nga vargmalet me shtrirje të vogël, por me lartësi deri në 2600 metra.

Në Vashec banon 71 vjeçarja Maria Feriancekova, në një shtëpizë në qendër të fshatit, të trashëguar nga prindërit. Më parë Maria Feriancevoka ka punuar nëpunëse në administratën e komunës. Sot ajo është një pensioniste e varfër. Fajtore për këtë ajo bën reformat e qeverisë së dikurshme të koalicionit të qendrës dhe të djathtë:

"Pasojat e këtyre reformave janë për ne të rënda. Çmimet e nxehjes me kaldaja janë të papërballueshme. Në Maj neve na duhej të paguanim një shumë shtesë. Mua më duhej të paguaja 20.000 krone, afërsisht 500 euro. Kjo shumë është pensioni i dy muajve e gjysëm."

Maria Feriancekova mund të quhet madje me fat. Bashkëshorti i saj merr nga shteti edhe një pension invaliditeti, të dy pensionistët kanë dy fëmijë që janë në marrëdhënie punë dhe i ndihmojnë financiarisht prindërit. Përveç kësaj ata kanë një kopësht me perime dhe disa pula. Megjithatë kush është pensionist në këtë vend nuk e ka të lehtë.

"Nuk është e lehtë të jesh pensionist në Sllovaki këto kohë. Qeveria e dikurshme nën Dzurinda-n i shtrenjtoi të gjitha. Ne duhet të paguajmë tanimë edhe tek mjeku, në farmaci, madje edhe artikujt ushqimorë janë shumë të shtrenjtë. Për të gjitha paguajmë, shumë shumë shtrenjtë."

Një tarifë prej 19% në tatime si edhe heqja e të gjitha rasteve të veçanta në ligjin e tatimeve janë vetëm disa shembuj të reformave radikale që ndërmori qeveria e dikurshme e koalicionit të qendrës dhe të djathtë. Kundërshtarët e këtyre reformave i cilësuan ato si "neoliberale". Ndërsa përkrahësit si të sukseshme dhe të nevojshme. E vërteta është se shifrat e rritjes ekonomike me 5-6% flasin vetë, dhe investuesit janë të pranishëm në vend duke krijuar vende të reja pune. Por këtu janë harruar më të dobëtit e shoqërisë, të pashkolluarit dhe pensionistët.

Ata nuk kanë një të ardhur që i nënshtrohet tatimeve, por vuajnë atë që prej dy vitesh solli rritja e tvsh-s, i ka bërë artikujt ushqimorë shumë të shtrenjtë. Nga ana tjetër u futën pagesa shtesë në sistemin shëndetësor dhe u shkurtuan asistencat sociale. Pensionistët nuk kanë dalë ende në rrugë, por këtë e kanë bërë shtresa e romëve. Në shkurt të vitit 2004 pak para pranimit në BE, në Sllovakinë lindore pati trazira të mëdha. U sulmuan supermarketet dhe u rrëmbyen artikujt ushqimorë. Kjo për arsye se shkurtimet në asistencën për fëmijët prekën veçanërisht minoritetin rom me shumë fëmijë.

Nuk është rastësi që trazirat ndodhën në Sllovakinë lindore. Në vitet e fundit nuk u thellua vetëm hendeku mes të varfërve dhe të pasurve. Edhe hendeku mes lindjes së dobët nga ana e infrastrukturës dhe perëndimit të zhvilluar sllovak është bërë më i thellë. Pensionistja Maria Feriancekova ankohet se boom-i ekonomik i shumëpërfolur nuk ka mbërritur ende në fshatin e saj. Ajo shpreson tek qeveria e re dhe kryeministri Robert Fico:

"Fico ka shkurtuar prej shtatorit pagesat shtesë si edhe tarifat e recetave në farmaci. Për këtë arsye ne shpresojmë që çmimet e ngrohjes me kaladaja do të ulen. Ne besojmë se ai do të bëjë më shumë për ne se sa kryeministri i shkuar."