241110 Nordkorea Obama
24 Nëntor 2010Në Uashington sundonte të martën një atmosferë e tendosur, kur u dëgjua për sulmin e Koresë së Veriut ndaj një ishulli të Koresë së Jugut. Lajmi po transmetohej nga të gjitha stacionet radiotelevizive:
Ky është incidenti më i rëndë që prej përfundimit të luftës koreane në vitin 1953, njofton ndër të tjera kjo moderatore e lajmeve në televizon. Bill Burton, zëvendësi i zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë njoftoi që presidenti është i indinjuar nga ngjarjet në Detin e Verdhë. Dhe natyrisht që ne i qëndrojmë në krah Koresë së Jugut, aleatit tonë të ngushtë. Nga qeveria në Phenian kërkohet që t'u japë fund veprimeve të saj agresive. Dhe Robert Gibbs, zëdhënësi i presidentit theksoi mbrëmë edhe njëherë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ndiejnë veten të obliguar thellë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Megjithatë Uashingtoni e bëri të qartë po ashtu se: aktualisht nuk ka arsye për ndërhyrje ushtarake. Forcat e armatosura amerikane kanë stacionuar në Korenë e Jugut afro 30 mijë ushtarë.
Manovra të përbashkëta ushtarake
Angazhimi amerikan për mbrojtjen e aleatit të ngushtë është riafirmuar edhe gjatë një bisede telefonike që presidenti i SHBA-së Barack Obama zhvilloi me homologun i tij koreanojugor Lee Myung Bak. Ata ranë dakord për manovra të përbashkëta të forcave të armatosura. Manovra e parë sipas njoftimeve nga Seuli do të zhvillohet ditën e dielë. Në të njëjtën kohë Obama i bëri thirrje shteteve aziatike të jenë të bashkuar në qëndrimin ndaj Koresë së Veriut. Të gjitha vendet e rajonit duhet ta kenë të qartë, se vendi komunist është një rrezik serioz dhe i vazhdueshëm, tha Obama për kanalin amerikan ABC.
Gjendja pritet të mos shkallëzohet
Megjithatë në kryeqytetin amerikan llogarisin që gjendja në kufirin detar mes dy Koreve nuk do të shkallëzohet. I ngarkuari i posaçëm amerikan për Korenë e Veriut, Stephen Bosworth aktualisht po qëndron në Kinë. Të martën (23.11.) ai i takua me ministrin e Jashtëm kinez dhe pastaj me kërkesë të Departamentit Amerikan të Shtetit dha këtë deklaratë:
"Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dënojnë ashpër agresionin e Koresë së Veriut. Ne qëndrojmë qartë në krah të aleatit tonë. Kjo temë u diskutua edhe në takimin tim me ministrin e Jashtëm kinez. Ne të dy jemi të një mendimi se një konflikt i tillë është i padëshirueshëm."
Supozohet se Pekini aktualisht po bën gjithçka është e mundur për të inkurajuar për vetëpërmbajtje qeverinë koreanoveriore. E paqartë mbetet se çfarë do të ndodhë më tej me bisedimet e ashtuquajtura gjashtëpalëshe për programin bërthamor të Koresë së Veriut. Ndërkohë që një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze u shpreh të martën se tani bisedimet e reja janë patjetër të nevojshme, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i shohin si të pakuptimta negociatat e tilla. Për aq kohë sa në tokën koreanoveriore do të zhvillohen programe bërthamore, ne nuk do të ulemi në një tryezë me Korenë e Veriut, u tha prapë në Uashington. Në bisedimet gjashtëpalëshe të ndërprera aktualisht, përveç Koresë së Veriut dhe të Jugut marrin pjesë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina, Japonia dhe Rusia.
Autor: Klaus Kastan/Esat Ahmeti
Redaktoi: Auron Dodi