1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbështetja në Gjermani për qeverinë nuk po ndryshon

Kay-Alexander Scholz
4 Shtator 2020

Demoskopët kanë studiuar se si janë marrë masat e qeverisë që nga fillimi i pandemisë. Sipas tendencës së matur nga ARD në Gjermani, mbështetja për qeverinë është më e madhe sesa ka qenë për një kohë të gjatë.

https://p.dw.com/p/3i1Wr
Deutschland Berlin | Coronavirus | Brandenburger Tor, wenige Menschen
Fotografi: picture-alliance/Fotostand

Protestat kritike ndaj qeverisë të "jokonformistëve" në Gjermani, të cilat kohët e fundit bënë bujë ndërkombëtarisht me pamje nga Berlini, nuk duket se pasqyrojnë ndjesinë e përgjithshme në popull ose tregojnë për një ndryshim të gjendjes shpirtërore. Të paktën kjo është ajo që thotë tendenca e fundit e Gjermanisë, e konstatuar nga instituti i sondazheve Infratest Dimap. Sondazhi u krye në 31 Gusht dhe 1 Shtator - pas demonstratave të fundit në Berlin.

Me punën e qeverisë federale, janë të kënaqur aq shumë njerëz, sa nuk kanë qenë të kënaqur që nga viti 1997 (!). Për të qenë më të saktë: 66 përqind e rreth 1000 të intervistuarve si përfaqësues janë të kënaqur me punën e koalicionit qeveritar të Kristjandemokratëve (CDU / CSU) dhe Socialdemokratëve (SPD). Ky është një rekord i ri për tendencën në Gjermani. Me përjashtim të AfD-së, vlerësimi dashamirës mbizotëron në të gjitha partitë.

Dhe - një shifër rekord gjithashtu - 72 përqind janë të kënaqur me punën e Kancelares Angela Merkel. Shkalla e mbështetjes për të në periudhën aktuale legjislative nuk ka qenë kurrë kaq e lartë që nga vjeshta 2017. Rritja e besimit për qeverinë që filloi me menaxhimin e krizës së Coronas vazhdon të ndihet edhe në shtator.

Çfarë do të ndodhë me Karnavalet dhe tregun e Krishtlindjeve?

Frika e infektimit me patogjenin COVID-19 është ulur. Tani është përsëri në nivelin e pranverës dhe fillimit të verës. Në gusht frika ishte rritur pak. Sipas sondazheve të opinionit, kjo shpjegohet me valën e pushuesve që filluan të kthehen në shtëpi dhe fillimim të afërt të shkollës pas pushimeve verore. Një e katërta e të anketuarve aktualisht janë të shqetësuar se mund të infektojnë veten ose anëtarët e familjes.

Nga ana tjetër, gjermanët janë të hapur për masa të mëtejshme për të mbajtur nën kontroll pandeminë. Një anulim i festimeve të Karnavaleve është hap i duhur, thonë 86 përqind. Dy të tretat mbështesin gjithashtu futjen e numrit maksimal të festuesve për dasma dhe festime të tjera private ose anulimin e tregjeve të Krishtlindjeve.

Të anketuarit janë më kritikë për shtimin e ambjenteve ku duhet të mbahen maska, siç është ajo në Francë për vendin e punës. 55 përqind nuk mendojnë se kjo është një gjë e mirë. Antipatia ndaj maskave për nxënësit në klasë është edhe më e madhe - 66 përqind e refuzojnë atë.

Pyetja e së dielës

Bazuar në një nivel të lartë kënaqësie me punën e qeverisë, partitë unioniste mbeten më të fortat në gjendjen aktuale politike federale. Sidoqoftë, CDU / CSU bien me dy pikë në përqindje në të ashtuquajturën pyetje të së dielës, krahasuar me muajin paraardhës dhe arrijnë 36 përqind.

SPD rritet me të njëjtën sasi - plus dy pikë përqindjeje. Aktualisht ajo arrin 17 për qind.

Sidoqoftë, SPD mbetet pas të Gjelbërve, të cilët aktualisht arrijnë 19 përqind (+1). AfD paraqitet më dobët se muajin e kaluar dhe aktualisht merr 10 përqind. Nuk ka asnjë ndryshim në Partinë E Majta ose FDP.