1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbrojtja e klimës në qendër të vëmendjes - Samiti i BE-së

Anke Hagedorn8 Mars 2007

Në Bruksel fillon të enjten takimi dyditor i nivelit të lartë të kryetarëve të shteteve dhe qeverive të BE-së

https://p.dw.com/p/AqXX
Fotografi: AP

Në fakt në takimin tradicional të pranverës zakonisht është në axhendë politika ekonomike dhe ajo sociale. Por presidentja e radhës së BE-së, kancelarja Angela Merkel për samitin e parë nën kryesimin e saj ka vendosur si prioritet temën e mbrojtjes së klimës.

Ngrohja globale po nxeh dhe gjakrat. Që duhet bërë diçka për mbrojtjen e klimës, për këtë janë në unanimitet të 27 kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE-së. Por lidhur me masat e veçanta në samitin e Brukselit do të diskutohet ashpër. Në fund duhet të dalin rezultatet konkrete, sepse në këtë mes kemi të bëjmë me kredibilitetin e BE-së. Këtë e bëri të qartë presidenti i Komisionit, Hoze Manuel Barrozo qysh përpara takimit: "Që nga Uashingtoni deri në Moskë do të na vëzhgojnë dhe gjykojnë, nëse ne vërtetë jemi të besueshëm, kur flasim për një furnizim të garantuar me energji dhe për mbrojtjen e klimës. Vendimet, që do të marrin këtu kryetarët e shteteve dhe të qeverive, do ta kenë efektin edhe përtej kufijve të BE-së e madje edhe për brezat e ardhshëm."

Qëllimi prioritar është kufizimi me mesatarisht 2 gradë i rritjes së temperaturës globale. Sipas përllogarive të Komisionit të BE-së për këtë duhet që deri në vitin 2050 në mbarë botën emisionet e dioksidit të karbonit duhet të ulen me 50% në nivelin e vitit 1990. BE-ja do që të japë në këtë drejtim një shembull të mirë, siç deklaroi javën e shkuar presidentja e radhës së Këshillit të BE-së, kancelarja Angela Merkel duke mbajtur një fjalim mbi politikën ndaj Evropës në Bundestag: "Unë bashkohem me udhëzimin që emisionet e dioksidit të karbonit në BE deri në vitin 2020 të ulen me 20%. Por unë nuk dua ta fsheh që ky është një qëllim mjaft ambicioz."

Në fokus është kryesisht çlirimi i dioksidit të karbonit prej automjeteve. Deri në vitin 2012 ky duhet të ulet mesatarisht nga 186 në 120 gram për kilometër. Shoqatat e mjedisit kërkojnë në këtë kontekst për prodhuesit e automobilëve vlera me limite të detyrueshme. Por industria e fuqishme gjermane e automobilëve reziston kundër kësaj.

Një mjet tjetër për të ulur emisionet e gazrave që krijojnë efektin serë në atmosferë është përdorimi më me intensitet i energjive të rigjenerueshme. Ndërkohë kuota e përdorimit të këtyre energjive në konsumin e përgjithshëm të energjisë në BE
është rreth 6,5%. Gjermania me një kuotë prej 5,3% madje është nën mesataren. Kancelarja Angela Merkel dëshiron tani që të angazhohet fort, për rritjen me 20% të energjive të rigjenerueshme. Por lidhur me këtë normë të detyrueshme që synohet ka mosmarrëveshje të mëdha brenda BE-së. Kryesisht Franca, që një pjesë të madhe të energjisë e përfton prej centraleve bërthamore, është shprehur kundër këtij propozimi. Nuk ka kuptim, që në këtë drejtim të shpresosh vetëm tek energjitë e rigjenerueshme, deklaroi të hënën (05.03) në Bruksel ministrja franceze për çështjet e Evropës, Katerine Kolona. Sipas saj, energjia atomike mund të luajë një rol më të fuqishëm në luftën kundër ndryshimit të klimës. Edhe Çekia dhe Sllovakia deklaruan, se do të angazhohen për më shumë centrale bërthamore. Të dyja këto vende gjithashtu i refuzojnë normat e përbashkëta të detyrueshme për energjitë e rigjenerueshme.

Ndaj Angela Merkel duhet të jetë e armatosur mirë për t´i bërë ballë stuhisë në samitin e parë të drejtuar prej saj në BE. Apeli i saj në fillim të takimit është: "Ne deri në vitin 2020 do të na duhet të dëshmojmë, gjë që ne duam ta bëjmë, që ekologjia dhe ekonomia janë në harmoni me njëra-tjetrën dhe ne mund të zhvillojmë strategji, që mundësojnë si rritjen ekonomike dhe hapjen e vendeve të punës, ashtu edhe një qëndrim konseguent ndaj mjedisit."