Mbi macet dhe vajzat: Kthimi i Elda Sorrës në Shqipëri
16 Tetor 2023Sinqerisht, çfarë do të bëje ti si prind në një situatë të tillë: Është dita e parë e shkollës për vajzën tënde gjashtë vjeçare, dhe ti i ke përzgjedhur tërë qejf një fustan. Ajo e vesh, por në momentin që ti i kthen shpinën, e zhvesh, e bën shuk dhe e fut në çantë dhe shkon në shkollë me pantallona të shkurtra dhe kanotierë. Një skenë kjo nga filmi i ri i Elda Sorrës “Mbi Macet dhe Vajzat”, një tablo momenti nga jeta e një gjashtëvjeçareje në një qytet periferik në Shqipëri: Adea (Nergis Nikprelaj) preferon të luajë futboll dhe të veshë pantallona, edhe pse e jëma (Juli Emiri) përpiqet t’ia heqe vajzës këtë “ves”. E vetmja që i jep besim fëmijës se bota e saj nuk është aq anormale, siç pretendojnë nëna dhe shoqet, është pikërisht gjyshja (Rita Gjeka), që i jep fshehurazi pantallonat Adeas, e bashkë me to, edhe forcën për të besuar në vetvete.
Një çmim dhe dy nominime në Berlin
Pas prezantimit së parë në Short Film Corner në kuadër të Festivalit të Kanës (maj 2023) , premierës gjermane në Neisse Filmfestival (maj 2023), premierës ballkanike në Dokufest të Prizrenit (gusht 2023) , dhe premierës në Shqipëri, në Festivalin e Filmit në Tiranë (shtator 2023), “Mbi Macet dhe Vajzat” u shfaq së fundmi (tetor 2023) në Female Filmmakers Festival në Berlin. Krahas çmimit për aktrimin më të mirë përi Nergis Nikprelajn, në rolin e Adeas, personazhit kryesor, filmi u nominua edhe si një ndër tre filmat më të mirë në kategorinë e metrazhit të shkurtër.
Filmi i dytë i Elda Sorrës si regjisore, sikurse i pari, Pamçka (2017), laureat i disa çmimeve ndërkombëtare, përmban shumë elemente autobiografike. Është një moment nga fëmijëria që 45-vjeçarja ka kaluar në Shqipëri deri në fillim të korrikut 1990, kur familja e saj vendosi të kapërcente gardhin e Ambasadës Gjermane në Tiranë dhe të shpërngulej përfundimisht në Gjermani.
Një film për mungesën e hapësirës për fëmijët
Në 18 minutat intensive të filmit, Elda Sorra, ruan perspektivën e fëmijës: Një fëmije që lufton në mënyrë të pavetëdijshme me tutelën e konvencioneve shoqërore. “Kjo është një histori shumë personale”, thotë Elda Sorra në intervistë me DW. “Atë ndjesi dhe ato emocione që kam përjetuar në fëmijëri doja t'u jepja një trajtë universale dhe kështu nisa punën për ta përkthhyer në gjuhën e artit filmik”.
Për xhirimin e filmit ajo u kthye sërish në Shqipëri, jo në Tiranë, ku është rritur, por në Peqin, aty ku kalonte pushimet e verës, te shtëpia e pabanuar e gjyshes. “Ngjarja luhet në Peqin, por ajo mund të ndodhte në çdo vend të Shqipërisë dhe kudo në botë”, thotë regjisorja. “Sepse për fat të keq, vullneti për t’u dhënë fëmijëve hapësirat individuale për të shpalosur identitetin e tyre, vijon të jetë i kufizuar”.
Vajzat të veshura si princesha
Prandaj edhe ngjarja nuk zhvillohet në vitet 80, por në kohën e sotme: “Ajo që ka ndryshuar është teknologjia, fëmijët kanë Ipadin dhe iphonin e fundit, prindërit kanë makina në vend të biçikletave, por dallimet mes vajzave dhe çunave kanë mbetur të njëjta, dhe sidomos për fëmijët që janë ndryshe, ngushtia në të cilën shtyhen vajzat ka mbetur, siç e kam përjetuar edhe unë vetë para 35 vjetësh.”
“Që gjërat kishin ndryshuar shumë pak e vura edhe gjatë përzgjedhjes së vajzës që do të luante rolin kryesor,” rrëfen Elda Sorra: "140 aplikime kisha marrë pas shpërndarjes në rrjete sociale. Përzgjedhjen e parë e bëra nëpërmjet Zoom. Vajzat nuk e dinin fare se çfarë roli kishin, por ato kishin ardhur të tëra të veshura si princesha, dhe ishte interesante të shikoje se pikërisht në atë moment kur vajzat tregonin karakterin e tyre autentik, mamatë ndërhynin me vërejtje për t’i kthyer në korsinë e pritmërive sociale”. Por ishte edhe shumë mbresëlënëse të shikoje këto vajza, që megjithëse shumë të ndryshme në karaktere, secila në mënyrën e vet i rezistonte instinktivisht pritmërive të prindërve. Dhe kjo sërish më kujtoi veten time, 35 vjet më parë.”
Financimi i filmit ishte një sfidë e madhe
Për Elda Sorrën ky ishte filmi i dytë me metrazh të shkurtër si regjisore, një zanat që ajo e ka mësuar në mënyrë autodidakte. Megjithë suksesin e filmit të parë, i cili u laureua me disa çmime, produksioni i dytë nuk përfitoi nga fondet zyrtare të financimit të filmit në Gjermani. “Filma si ky imi, që nuk kanë lidhje me Gjermaninë, e kanë thuajse të pamundur të gjejnë financues në Gjermani”, shpjegon Elda Sorra. Ndërsa për të aplikuar për fondet e Shqipërisë, ajo nuk ishte zyrtarisht shtetase e Shqipërisë, pasi Gjermania nuk e lejon shtetësinë e dyfishtë. Vetëm në maj 2023 qeveria më në fund aprovoi një ligj për lejimin e shtetësisë të shumëfishtë, i cili pritet të ratifikohet nga parlamenti në fund të këtij viti.
E pakompromis siç është, Elda Sorra, nuk ishte e gatshme të sajonte në ngjarje një lidhje me Gjermaninë vetëm e vetëm për të marrë fonde. “Unë nuk doja të portretoja një fëmijë refugjat në Gjermani, mesazhi do të ishte komplet ndryshe”, thotë Elda, “prandaj edhe filmin e financova vetë, të gjithin, duke hedhur çdo cent që fitoja në këtë projekt”. Një sfidë e madhe, por për të cilën ajo nuk pendohet aspak.
Filmi më afroi me veten dhe me Shqipërinë
“Kjo përvojë më afroi me veten dhe më mundësoi një lidhje më të natyrshme me Shqipërinë. Por edhe përvoja e xhirimit në Peqin ishte diçka shumë emocionale. Aty më mbështetën të gjithë, që nga fëmijët e lagjes e deri te Kryetari i Bashkisë. “Kam ndiesinë se me këtë film më në fund bëra paqe me vendin tim”, thotë 45-vjeçarja.
Ndërsa "Mbi macet dhe vajzat” po bën xhiron nëpër festivale të ndryshme në Evropë, ajo vetë është duke përgatitur filmin e tretë me metrazh të shkurtër, i cili do të xhirohet sërish në Shqipëri. Filmi është tani në fazën e financimit dhe Elda shpreson që me këtë sukses do ta gjejë mbështetjen në fonde nga Gjermania dhe Shqipëria në mënyrë që të vazhdojë rrugën e saj si regjisore, pa hequr dorë nga profesioni i parë i saj, aktrimi. Një nga rolet e saj të fundit mund të shihet aktualisht në mediatekën e kanalit televiziv publik gjerman, ZDF, në miniserialin me katër episode, Füxe.